Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka takuar përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen.
“Kryeministri çmoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Norvegjisë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit, si dhe në proceset integruese, përfshirë mbështetjen aktive të saj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Bëhet e ditur se gjatë takimit, Kurti me emisarin norvegjez diskutuan për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në fushës e mbrojtjes dhe sigurisë, energjisë dhe teknologjisë së informacionit. “Çështjet rajonale dhe tema tjera me interes të përbashkët, ishin po ashtu pjesë e diskutimit përgjatë takimit”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në njoftimin qeveritar thuhet se kreu në detyrë ka falënderoi Norvegjinë për rolin e saj në arritjen e Marrëveshjes Tregtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, e cila, sipas qeverisë, krijon mundësi të reja për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe raporteve tregtare.