Kosova është e përkushtuar plotësisht për t`u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian, theksoi Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij të parë në Kosovë. Ai kërkoi një rol aktiv të presidentit Costa për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.
Ai gjithashtu theksoi se Kosova është evropiane në vlera, histori dhe kulturë, dhe kërkoi dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Në këtë drejtim, Kurti kërkoi heqjen e menjëhershme dhe të plotë të masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Ai theksoi arritjet e Kosovës në fusha të ndryshme, duke përmendur përparimin në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, rritjen ekonomike dhe reformat që janë në përputhje me kërkesat e BE-së.
Kurti e informoi presidentin Costa gjithashtu për progresin e Kosovës, i cili është njohur nga organizata ndërkombëtare si Freedom House, Transparency International dhe World Justice Project. Po ashtu, Kosova ka arritur rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Gjithashtu, kryeministri Kurti ngriti shqetësimin për sigurinë rajonale, duke përmendur kërcënimet që vijnë nga Serbia, e cila është përgjegjëse për sulmin paramilitar dhe terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023. Ai kërkoi që Radoiçiq të dorëzohet para drejtësisë së Kosovës.
“Në takim, kryeministri gjithashtu ngriti shqetësimin për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të nën-përfaqësuar në institucionet publike, diskriminohen në punësim dhe të drejtat e tyre shpërfillen në mënyrë të vazhdueshme, tha ai”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.