KUR SHARLATANËT GLORIFIKOHEN DHE TË HESHTURIT BËHEN FAJTORË

Shkruan: Avni Halimi

Në kohën kur fjalët janë më të shumta se kuptimet, dhe zhurma është më e dëgjuar se mendimi, shoqëritë prodhojnë një kategori të re “sunduesish”: figurat bosh, të afta për të zënë hapësirë, por jo për të thënë ndonjë gjë me vlerë. Ata nuk janë thjesht simptoma të degradimit kulturor, janë vetë arkitektët e tij. Të përkëdhelur nga një publik i mpirë, të ushqyer me duartrokitje nga një komunitet analfabetësh funksionalë, këta sharlatanë të mendimit formojnë një kastë të re të “shenjtëve të rremë”, të cilët ngjiten në panteonin e kulturës shqiptare duke mbajtur në duar jo libra, por megafonë. Pastaj, fatkeqësisht, glorifikimi i sharlatanëve institucionalizohet nga “zyrat” që nuk kanë lidhje as me etikë, as me estetikën dhe as me kulturën kombëtare.
Në këtë peizazh të zymtë, ligjërimi nuk shërben për të artikuluar të vërtetën, por për të maskuar boshllëkun. Fjalitë janë të gjata, intonacioni i ngritur, citatet të bollshme, por përmbajtja është një çarje e madhe, një fluskë që pret të pëlcasë. Kjo nuk është më paaftësi, por një strategji e qëllimshme: sepse në një komunitet ku shkrimi nuk lexohet dhe mendimi nuk matet, vetëm zhurma dëgjohet. Dhe kush e bën më shumë zhurmë, shpallet më “intelektual”. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një zhvendosje të dhunshme të hierarkive të dijes: kompetenca e heshtur zëvendësohet nga mediokriteti që ulërin.
Në këtë mes, filozofi francez Zhak Elil në veprën “Propaganda: forma dhe struktura” paralajmëronte për rrezikun që paraqet përhapja e propagandës në një shoqëri ku individët nuk janë më në gjendje të filtrojnë informacionin: “Shpesh, propaganda më efikase nuk është ajo që manipulon bindjet tona, por ajo që ndërpret aftësinë për të menduar.” Kjo është gjendja që shohim sot: një popullsi e shplarë nga brenda, jo përmes dhunës, por përmes një zhurme konstante, e pandërprerë, e shpërndarë si “dijë” e re, si “alternativë” intelektuale.
Këta profetë të rremë nuk janë më figura margjinale. Ata janë ngjitur në kulme, të ftuar në tryeza akademike, të përshëndetur si “zëra të epokës”. Ndërkohë, ata që kanë folur pak, por kanë menduar gjatë; ata që kanë shkruar me përmbajtje, jo për efekt; ata që kanë zgjedhur të mos konkurrojnë në tregun e zhurmës, janë shtyrë në heshtje. Dhe më e frikshmja është se kjo heshtje tashmë perceptohet si faj. Nuk je më “intelektual” nëse nuk flet çdo ditë. Duhet të jesh gjithmonë në transmetim, në prani, në status. Heshtja është barazuar me mungesën.
Mund të thuhet se jemi futur në atë që filozofi britanik Xhon Grej e quan epoka e retorikës pa substancë. Në analizën e tij, Graj thekson se moderniteti nuk është domosdoshmërisht triumf i arsyes, por shpesh një zbrazëtirë e përmbajtjes nga përfaqësimi i saj. Në shoqëri të tilla, thotë ai, figura të rreme zënë hapësira reale, sepse publiku nuk kërkon më përmbajtje, kërkon përfaqësim.
Dhe përfaqësimi është më i lehtë të manipulohet sesa e vërteta. Nëse do të duhej një krahasim më i ashpër, do të mjaftonte të përmendnim përfytyrimin që Umberto Galimberti, filozof italian, ka për gjendjen aktuale të kulturës: “Ne jemi në një kohë ku njerëzit e cekët mendojnë se thellësia nuk ekziston vetëm sepse nuk e kanë takuar kurrë.” Ky konstatim është një diagnozë brutale e një shoqërie që nuk mësohet më me kompleksitetin, me përmbajtjen, me nuancën. Në këtë realitet, një fjali që kërkon reflektim duket si një “vështirësi e panevojshme”. Shkurtësia dhe zhurma janë format supreme të komunikimit.
Në skaj të këtij rrethi vicioz, qëndron pyetja më e hidhur: pse heshtin të vërtetët? Pse nuk ngrihen ata që e dinë se ç’është fjala, që e njohin peshën e saj? A është kjo heshtje një formë vetëruajtje në një terren të papërballueshëm, apo është dorëzim i heshtur përballë një klime ku çdo fjalë e vërtetë zhurmohet nga korri i injorancës kolektive? Në të dyja rastet, mungesa e tyre është brenga më e thellë e kësaj kohe.
Ndërkohë, zhurmaxhinjtë vazhdojnë të ushtrojnë dhunë ndaj kujtdo që ngre zërin. Mjafton një kritikë ndaj njërit prej këtyre “shenjtëve të rremë”, dhe menjëherë ushtria e ndjekësve, të verbër e të papërgatitur, ngrihet në mbrojtje. Jo të së vërtetës, por të idhullit të tyre. Të tillë janë banorët e një komuniteti të shplarë mendërisht: ata nuk kërkojnë të kuptojnë, por të adhurojnë. Dhe ky adhurim është çmimi që paguajmë për heshtjen tonë.
Në këtë klimë, nuk mund të ketë më kompromis me të rremën. Nuk mund të ketë më respekt për zërat që kanë ngritur vetveten mbi asgjënë. Sepse çdo akt nderimi për një figurë të rreme është një fyerje për një mendimtar të vërtetë. Është koha për të thënë troç: mjaft më me ngritjen në piedestale të atyre që kanë folur gjatë e nuk kanë ditur se çfarë po thonë, apo që mendimi i tyre personal është baras me boshësinë. Mjaft më me heshtjen që hesht për të ruajtur paqen, kur përballë ka sharlatanë që e përdhosin fjalën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *