Nuk ka mëkatar më të madh se ai që shenjtërinë e kthen në biznes. Në emër të Zotit nënshkruhen kontrata që mbushin xhepa, jo zemra. E Haxhi bëhet vit pas viti, jo si pelegrinazh shpirtëror, por si pazar fitimprurës. Kështu, çdo nënshkrim me “autoritetet fetare” shndërrohet në vulë hipokrizie
Nga Mahir Rexhepi
Këto ditë, Shaqir Fetai, i instaluari policor në krye të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, na informoi përmes njoftimeve zyrtare e kronikave mediatike se në Arabinë Saudite paska zhvilluar takime me Ministrin saudit të Haxhit dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi. Me shumë bujë u raportua për “nënshkrimin e marrëveshjes për Haxh” me Ministrinë saudite, si dhe për “thellimin e bashkëpunimit mes BFI-së dhe autoriteteve të larta arabe”.
Në pamje të parë, gjithçka duket formalisht korrekte. Por, sapo përballesh me praktikën e përvitshme të organizimit të Haxhit nën dirigjimin e BFI-së, e kupton se pas këtyre “marrëveshjeve” dhe fotografive zyrtare që shpërndahen me kujdes në portale, fshihet një realitet shumë i hidhur: një industri e tërë e keqpërdorimit, abuzimit dhe vjedhjeve financiare si dhe manipulimit të shenjtërisë për interesa të ngushta personale dhe grupore.
Kur shenjtëria kthehet në përfitim
Në çdo sezon Haxhi, qindra haxhilerë nga Maqedonia e Veriut ankohen për mungesë transparence në organizim, për çmime të larta e të pashpjeguara, për trajtime poshtëruese dhe për vonesa të panevojshme gjatë qëndrimit në vendet e shenjta. Këtë vit, sipas shumë burimeve, çmimi i Haxhit i caktuar nga BFI arriti rreth 6,950 euro për person (afro 200 euro më shumë se një vit më parë) shifër që u komunikua haxhilerëve vetëm në momentin e fundit, kur kthimi prapa ishte i pamundur.
Në asnjë moment nuk është bërë publik ndonjë dokument zyrtar që shpjegon përbërjen e këtij çmimi, partnerët kontraktualë të përfshirë apo fitimet që rrjedhin nga kontratat me hotelet dhe kompanitë e transportit. Po aq i mjegullt mbetet edhe procesi i përzgjedhjes së “agjencive bashkëpunëtore” që supozohet se ndihmojnë në menaxhimin e haxhit.
Këto dyshime të thella ushqehen nga ajo që tashmë është bërë zakon: Shaqir Fetai dhe “40 hajdutët e tij” shfaqen publikisht me flamuj bashkëpunimi dhe fjalime fetare, ndërkohë që prapa kamerave nënshkruajnë kontrata që, sipas shumë zërave të brendshëm të komunitetit, janë të kurdisura për përfitime personale. Përdorimi i institucioneve fetare për interesa private është një plagë që prej kohësh e gërryen besimin e myslimanëve shqiptarë në RMV, por kurrë më qartë se sot nuk është parë ky kontrast mes moralit të shpallur dhe praktikës së zbatuar.
Hotelet e “shenjtëruara” dhe transporti i bekuar
Çdo detaj i Haxhit, nga akomodimi në Meke e Medine deri te transporti ajror e tokësor, është kthyer në mekanizëm për përfitime të fshehta. Shpesh përzgjidhen hotele që nuk përputhen me standardet e premtuara, por që janë pjesë e marrëveshjeve të favorshme për grupet e hajnave të lidhur me drejtuesit e BFI-së. Po kështu, kompanitë e transportit janë zgjedhur pa procedurë transparente, ndërsa çmimet justifikohen me “rreziqe logjistike” që askush nuk i verifikon.
Çdo vit haxhilerët mbahen në vendet e shenjta për ditë të tëra pas përfundimit të ritualeve, vetëm për të justifikuar shpenzimet shtesë të kontraktuara paraprakisht, pavarësisht se kjo vonesë përveç në kohë u kushton edhe në xhep! Dhe për ta mbuluar këtë farsë, BFI prodhon video-klipet e zakonshme “promovuese”, ku shihet ndonjë grup haxhilerësh të buzëqeshur para Qabesë, me narrativën se “gjithçka ka shkuar për mrekulli”. Por çdo haxhi i ndershëm e di se përvoja shpirtërore është një gjë, ndërsa zhvatja materiale që ndodh në prapaskenë është diçka krejt tjetër.
Kur imazhi fetar përdoret për të larë mëkatin institucional
Më e rënda është se në këtë rrjet manipulimesh po përfshihen edhe autoritetet arabe, pa dijeninë e tyre të plotë për realitetin lokal. Shaqir Fetai, në emër të “bashkëpunimit institucional”, i përfshin emrat e zyrtarëve sauditë në njoftime që përdoren më pas për propagandë të brendshme. Çdo fotografi me një ministër arab, çdo firmë mbi një “memorandum mirëkuptimi”, shitet si dëshmi e suksesit të “institucionit”, duke i dhënë legjitimitet një strukture që, në fakt, është e zhytur në mosfunksionim moral.
Në fakt, ky është manipulim i dyfishtë: përdorimi i autoritetit fetar ndërkombëtar për të pastruar imazhin e një organizate që po humbet çdo ditë më shumë besueshmëri në sytë e besimtarëve të vet.
Kur haxhilerët paguajnë për heshtjen
Çdo haxhi që shkon në vendet e shenjta paguan një shumë të madhe, shpesh të mbledhur me vite sakrifice. Ata nuk paguajnë vetëm për shërbimin logjistik, paguajnë për besimin se do të trajtohen me ndershmëri. Dhe kur kjo ndershmëri kthehet në treg, kur çmimi i besimit rritet pa arsye, kur institucioni që duhet të mishërojë drejtësinë shpirtërore shndërrohet në një agjenci të biznesit të errët, atëherë haxhi nuk është më udhëtim besimi, por dëshmi e zhgënjimit kolektiv.
Kërkesa minimale
BFI duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve të drejta dhe të thjeshta:
Pse çmimi i Haxhit ndryshon çdo vit pa ndonjë raport publik shpjegues?
Kush janë partnerët ekonomikë me të cilët lidhen kontratat për akomodim dhe transport?
Pse nuk publikohet lista e plotë e shpenzimeve dhe përfitimeve?
Pse nuk ekziston një organ auditimi i pavarur që verifikon fondet e Haxhit?
Pa përgjigje për këto pyetje, çdo marrëveshje e re me “autoritetet e larta arabe” mbetet thjesht një fotografi boshe, një fasadë që fsheh korrupsionin, servilizmin dhe mungesën e çdo etike fetare.
Në vend të përfundimit
Asnjë marrëveshje, sado “e shenjtë” të duket në pamje të parë, nuk mund të shlyejë mëkatin e përdorimit të fesë për përfitime personale. Nëse Haxhi bëhet burim fitimi për një rreth të ngushtë njerëzish, ndërsa besimtarët shfrytëzohen e poshtërohen në emër të Zotit, atëherë kemi të bëjmë me një krim moral, shpirtëror dhe kombëtar.
Shaqir Fetai mund të nënshkruajë marrëveshje me kë të dojë, mund të fotografohet me çdo ministër të botës arabe, por nuk mund të nënshkruajë me Zotin kontratë për të mbuluar mëkatin e vet. Dhe përderisa në krye të institucionit që duhet të udhëheqë shpirtin qëndron një njeri që e sheh fenë si mekanizëm fitimi, atëherë Haxhi, për shumëkënd, mbetet një udhëtim i shenjtë që fillon në Mekë, por për fat të keq, mbaron në xhepat e njerëzve pa ndërgjegje. Dhe, këta njerëz me në krye Shaqir Fetain “do t’i dojë Zoti”?!
