Kur hajduti i vakëfit predikon për ngritje morale

Editorial

“Mos harro! Ti ke një mision, një synim dhe një rrugë që ka të bëjë me ngritjen tënde dhe të tjerëve.” — kështu i drejtohet vetes Shaqir Fetai në një pusullë të stisur si “aforizëm i urtë”, duke imituar stilin e liderëve të mëdhenj shpirtërorë apo mendimtarëve moralistë, ndërkohë që realiteti që e rrethon është krejtësisht në kundërshtim me këtë “urti” të letërshkruar.

Është ironike, për të mos thënë tragjike, që një njeri i përfolur gjerësisht për afera korruptive dhe keqpërdorime të mëdha të fondeve të Bashkësisë Fetare Islame (BFI), guxon të flasë për “mision” dhe “rrugë për ngritje”. Kur misioni i Shaqir Fetait është të avullojë mbi 9 milionë euro në emër të “denacionalizimit” të vakëfit, kur synimi i tij është ngritja personale përmes shkatërrimit të një institucioni të shenjtë si BFI, atëherë çdo fjalë që shqipton për “moral” dhe “synim” bëhet jo vetëm qesharake, por edhe ofenduese për inteligjencën kolektive të besimtarëve.

Shaqir Fetai nuk po e flet këtë “aforizmën” për të ndriçuar mendjet apo për të frymëzuar ndërgjegje. Ai po e përdor atë si maskë. Si mënyrë për të krijuar një narrativë të rreme, një fasadë që të fshehë korrupsionin e institucionalizuar, luksin personal që po paguhet me paratë e BFI-së, dhe heshtjen e blerë të atyre që sot i shërbejnë si marioneta.

A është ky “misioni” për të cilin flet? A është kjo “rruga” që do të na çojë drejt ngritjes?

Në të vërtetë, filozofia që shfaq në këtë fjali të vetë-drejtuar është thellësisht egoiste: “Unë duhet të ngrihem, dhe bashkë me mua ndoshta edhe të tjerët”. Por ngritja e vetme që kemi parë është ajo financiare dhe personale e vetë Shaqir Fetait – ndërkohë që BFI-ja si institucion ka degraduar si asnjëherë më parë, dhe fondet e saj janë shndërruar në burim pasurimi për sekserë dhe shantazhues që garantojnë mbijetesën e tij në kolltukun e uzurpuar.

Kur dikush që nuk ka as integritetin moral, as transparencën institucionale, guxon të flasë për “ngritje”, ajo bëhet tallje. Jo vetëm me besimtarët e sinqertë, por edhe me vetë idenë e fesë, e cila kërkon pastërti, drejtësi dhe përkushtim ndaj së vërtetës.

Në vend që t’i drejtohet vetes me këshilla boshe, Shaqir Fetai duhet t’i përgjigjet pyetjeve shumë konkrete:

– Ku shkuan milionat e zhdukur në procesin e denacionalizimit të vakefit?

– Pse luksi i tij personal i kushton qindra mijëra euro në vit BFI-së?

– Pse hesht ndaj hajdutëve të cilët i përdor për të ruajtur kolltukun e tij?

– Pse nuk ka asnjë transparencë financiare në institucionin që ai drejton?

Këto janë pyetjet që një reis i vërtetë duhet t’i bëjë vetes çdo ditë, jo të luajë rolin e një “guru” që u flet të tjerëve nga maja e një morali që kurrë nuk e ka pasur.

Fundja, nuk e njeh Shaqir Fetain nga ata me të cilët ka punuar ky mahluk; kush nuk ia njeh kapacitetin e tij moral e intelektual që e ka stërvitur kryesisht nëpër zyrat e UDB-së? Të predikojë ky moral është ngjashëm si hajni të predikojë ndershmëri, si hipokriti të predikojë besnikëri… /LMR në BFI/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *