Kur çdo dështim mbulohet me “bekim”

Kur propaganda mbulon vjedhjen, gënjeshtrën dhe nepotizmin, epoka e individit zë vendin e shërbimit publik. Çdo lavdërim i vetes nuk është sukses, por maskë mbi dështimet e shumta. Institucioni që i nënshtrohet egoizmit të një njeriu nuk mund të jetë në shërbim për komunitetin

Nga Mr. Mahir Rexhepi

Kur një figurë publike, përmes gojës së miqve lajkatarë, deklaron me krenari se “jemi të bekuar që jetojmë në epokën e Shaqir Fetait”, duhet të ndalemi dhe të pyesim: çfarë fsheh ky “bekim” përtej fjalëve? Tek Shaqir Fetai, ky “bekim” duket të jetë mbulesa e një kalvari të tërë dështimesh, skandalesh, vjedhjesh dhe poshtrimesh institucionale që kanë shndërruar BFI-në nga institucion fetar në një instrument të glorifikimit personal.
E para që bie në sy është strategjia propagandistike e tejdukshme, një narrativë naive që tenton të mbulojë çdo zhvatje, abuzim financiar apo nepotizëm lokal me lavdërime dhe falenderime të orkestruara. Në vend që të pranojë kritikat për keqmenaxhimin e fondeve, për konfliktet dhe për intrikat brenda BFI-së, figura qëndron në qendër të “komenteve dashamirëse”, të postuara nga miq të detyruar ose të paguar, duke krijuar iluzionin e një epoke të begatë. Kjo nuk është vetëm arrogancë; kjo është manifestim i narcizmit patologjik, një obsesion për admirimin publik dhe kontrollin mbi çdo perceptim të jashtëm.
Përpjekja për të lidhur historinë e BFI-së me figurën e tij, duke sugjeruar se organizata ekziston dhe funksionon vetëm që nga koha kur ai u instalua në krye, është manipulim ekstrem i të vërtetës, mbështetur dhe orkestruar shpeshherë nga shërbimet sekrete të huaja. Në këtë narrativë çdo kontribut i mëparshëm, si ai i reisul ulema H. Sulejman ef. Rexhepit, kryetarit të OH “El Hilal” Dr. Abdurauf Pruthi apo sekretarit Bexhehudin Shehapi (të cilët dekada e dekada më parë kishin marrë pjesë në eventin ndërkombëtar të DAVOS-it), fshihet sistematikisht, duke e kthyer historinë e pasur të Institucionit në një mjet për glorifikimin personal të Shaqir Fetait.
Duhet thënë qartë dhe pa ekuivok: pjesëmarrja e Shaqir Fetait në Davos këtë vit, në mesin e mbi 400 të ftuarve, nuk përbën as sukses historik, as arritje institucionale, e aq më pak ndonjë rol real në ngjarjen kryesore ekonomike për të cilën mblidhen krerë shtetesh, liderë globalë dhe vendimmarrës strategjikë të botës. Bëhet fjalë për një prani periferike, të kategorisë së ulët protokollare, pa peshë vendimmarrëse dhe pa ndikim real në forumet ku artikulohen politikat globale. Keqpërdorimi i kësaj ftese, duke e shitur si “moment historik” për BFI-në, është një manipulim i qëllimshëm i opinionit publik, një gënjeshtër e paketuar me pompozitet propagandistik për të mbuluar dështimet, skandalet, abuzimet, vjedhjet dhe zhvatjet e brendshme. Ky lloj fryrje artificiale i një pranie formale nuk është gjë tjetër veçse përpjekje e dëshpëruar për restaurimin e një imazhi të copëtuar, duke e shndërruar Davosin në alibi morale për një pushtet që ushqehet nga nepotizmi familjar e lokal, nga keqmenaxhimi dhe nga degradimi institucional. Davosi nuk e pastron bilancin e dështimeve dhe as nuk i shndërron dështakët në burra shteti; ai vetëm e ekspozon edhe më qartë hendekun mes realitetit dhe propagandës.
Skandali kryesor nuk është thjesht arroganca, por përdorimi i fondeve publike dhe të besimit të komunitetit mysliman për pasurimin e imazhit personal. Darkat, eventet dhe promovimet e “bekimit” të vetvetes janë një formë e qartë kapitalizimi të devotshmërisë dhe parave të fitrit, të zeqatit dhe donacioneve, që nuk shkojnë për avancimin e komunitetit apo institucionit, por për të ushqyer imazhin personal. Ky fenomen nuk është rastësi, ai lidhet me abuzim sistematik, nepotizëm familjar dhe lokal, dhe zhvatje të resurseve të komunitetit, një realitet që minon besimin në institucion dhe komunitet.
Narcizmi institucional shfaqet në dy mënyra të dukshme: së pari, në mosveprimin ndaj kritikës publike, dhe së dyti, në kërkimin e lavdërimit të vazhdueshëm nga miqtë dhe bashkëpunëtorët, të cilët ndihen të detyruar të glorifikojnë epokën e tij, pavarësisht skandaleve, vjedhjeve dhe veprimeve antikushtetuese. Kur një individ kërkon që çdo sukses i institucionit të lidhet ekskluzivisht me figurën e tij, ky nuk është legjitimitet, por është obsesion për pushtet dhe kontroll total, një fenomen i dokumentuar edhe në literaturën shkencore mbi narcizmin dhe liderët autoritarë.
Historikisht, BFI ka pasur figura që kanë kontribuar me përkushtim dhe pavarësi, duke forcuar institucionin dhe besimin e besimtarëve. Por, në narrativën e ndërtuar rreth Shaqir Fetait, çdo arritje para “epokës së tij” duket e padobishme, çdo skandal, zhvatje apo veprim i dyshimtë mbulohet me lavdi të orkestruar. Kjo është një përdhosje e trashëgimisë kulturore dhe fetare të myslimanëve të Maqedonisë së Veriut, ku çdo vendim personal ka përparësi mbi nevojat e komunitetit.
Dështimet e shumta të epokës së Shaqir Fetait, vjedhje, gënjeshtra, abuzime, nepotizëm familjar e lokal, zhvatje, keqmenaxhim, skandale dhe tradhëti institucionale, nuk përbëjnë thjesht mangësi të menaxhimit, por një model pervers të sundimit personal mbi institucionin. Kritikat publike, të cilat sipas tij “orientojnë punën”, nuk janë mekanizëm për përmirësim, por një simbol i paaftësisë për përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje.
Deri sa nuk ka llogaridhënie reale, deri sa shërbimet dhe fondet e komunitetit përdoren për të legjitimuar pushtetin personal, çdo lavdërim i vetes mbetet një maskë cinike mbi një epokë të tërë dështimesh. Çdo sponsorim idiotik, çdo darkë, çdo koment lajkatar është pjesë e një propagande që nuk ka asnjë lidhje me shërbimin publik, por vetëm me glorifikimin e individit.
Duke parë gjithë këtë kontekst, nuk ka dyshim: kjo nuk është epoka e komunitetit, por epoka e individit, ku çdo institucion dhe vlerë publike përdoret për të shërbyer egoizmit dhe ambicies personale. Pyetja mbetet e hapur: a mund të ndreqet një institucion kur sundimi i tij ka kaluar nga shërbimi publik në glorifikimin personal, kur paratë, besimi dhe historia janë shndërruar në instrumente të pushtetit të imponuar?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *