Kronika e një udhëheqje pa drejtim

Institucionet nuk jetojnë nga fotografitë e takimeve, por nga pesha morale e veprimeve dhe qartësia e vizionit

Nga Mr. Abaz Islami

Titujt e njëpasnjëshëm që rendisin takime, pritje, vizita dhe pjesëmarrje formale janë shndërruar në një zëvendësim të rremë të veprimit real institucional. Kur komunikimi publik i një institucioni fetar reduktohet në kronikë pritjesh aspak të rëndësishme dhe album fotografish, kemi të bëjmë jo me transparencë, por me një përpjekje të dëshpëruar për të mbuluar boshllëkun e vizionit. Kjo dukuri, e mishëruar në paraqitjen publike të vetëquajturit “reis” Shaqir Fetai, flet më shumë për izolim sesa për udhëheqje, më shumë për pasivitet sesa për reformë. Një institucion si BFI nuk matet me numrin e vizitorëve që kalojnë pragun e zyrës së kreut, por me ndikimin e tij real në jetën fetare, arsimore, morale, politike dhe shoqërore të besimtarëve. Kur lajmi bëhet takimi me vartës, me miq personalë, me figura pa peshë institucionale ose me afaristë të paqartë, atëherë “lajmi” është vetë mungesa e lajmit. Populli thotë: “Kur nuk ke çfarë të bëshë, luaje derën”!

Asnjë menaxher serioz, në asnjë fushë të jetës publike, nuk ndërton reputacion duke raportuar takime rutinë me stafin apo vizita kortezie. Këto janë procese të brendshme, jo arritje. Vetëm një udhëheqës i pasigurt, pa strategji dhe pa rezultate, ka nevojë të dëshmojë se “po punon” duke prodhuar tituj bosh. Kjo praktikë e shndërron institucionin në skenografi personale dhe e degradon funksionin e Reisul Ulemas nga lider shpirtëror në zyrtar protokollar. Izolimi i BFI-së nga debati real shoqëror, nga sfidat e besimit në kohë krize morale, nga nevojat e rinisë, nga edukimi serioz fetar dhe nga dialogu me institucionet relevante të brendshme e ndërkombëtare, nuk thyhet me vizita formale dhe as me lutje publike pa program. Izolimi thyhet vetëm me ide, me guxim dhe me përgjegjësi.

Kur mungon strategjia, lind improvizimi; kur mungon programi, mbizotëron propaganda; kur mungon plani i veprimit, mbetet vetëm fotografia. Kurrë më keq nuk ka qenë BFI-ja pikërisht sepse kurrë më e madhe nuk ka qenë hendeku mes asaj që duhet të jetë dhe asaj që shfaqet. Një institucion fetar nuk jeton nga protokolli, por nga besueshmëria; jo nga vizitat, por nga drejtimi; jo nga heshtja, por nga qëndrimi moral. Sot, BFI duket e humbur në një rreth vicioz vetë-justifikimi, ku çdo takim i parëndësishëm shitet si sukses dhe çdo kritikë trajtohet si armiqësi.

Nëse një lider fetar synon reforma të thella, së pari duhet të dalë nga logjika e marketingut personal dhe të artikulojë qartë një vizion të matshëm për institucionin: çfarë do të ndryshojë, pse dhe brenda çfarë afati. Së dyti, duhet të ndërtojë një ekip profesional, të pavarur nga klientelizmi dhe miqësitë personale, që prodhon politika konkrete në arsim fetar, administrim transparent dhe shërbim real për xhematin. Së treti, duhet të hapë institucionin ndaj kritikës së brendshme dhe publike, sepse vetëm përmes llogaridhënies lind autoriteti moral. Pa këto, çdo titull mbetet një alibi, çdo vizitë një justifikim dhe çdo ditë e kaluar një humbje për institucionin dhe besimtarët që ai pretendon t’i udhëheqë. Nuk është kurrfarë arritje fakti që një numër “bashkëpunëtorë” të “reisit” tashmë janë bërë milionerë, ndërsa me rroga “minimale”! Ky “sukses” arrihet vetëm me vjedhje, zhvatje e korrupsion! Përkundër këtij fakti, asnjëherë nuk u raportua për këto dukuri! Apo, gjithçka në BFI po shkon si në tëlynë! Faktet e shumta janë shumë kryeneçe dhe po e flasin krejtësisht të kundërtën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *