Shaqir Fetai nuk është përfaqësues i krenarisë fetare, por simbol i kapjes së fesë për interesa personale. Ai nuk është inspirim për besimtarët, por shembull i asaj se si një institucion fetar mund të zhytet në imoralitet publik kur bie në duar të gabuara
Nga Blerim Nagavci
Nuk është hera e parë. Dhe, fatkeqësisht, nuk do të jetë as hera e fundit — përderisa individë si Shaqir Fetai vazhdojnë të rrinë në krye të një strukture të rrënuar, të delegjitimuar dhe të diskredituar siç është Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, e kapur nga interesa personale, klientelizëm dhe një arrogancë që e tejkalon edhe hipokrizinë më klasike të politikanëve ruso-ballkanikë.
Deklarata e fundit e Shaqir Fetait, e shpërndarë me zhurmë propagandistike, për gjoja “suksesin” e Bashkësisë Fetare Islame si fituese në Garat Kur’anore Ndërkombëtare të mbajtura në Prishtinë, është një tjetër episod i neveritshëm i një praktike tashmë të institucionalizuar: vjedhjes së meritave të të tjerëve, shtrembërimit të së vërtetës dhe abuzimit me ngjarje ku ai vetë, apo institucioni që e drejton, s’ka pasur asnjë lloj kontributi — përveç etjes së neveritshme për lavdi të rrejshme.
Ky nuk është përfaqësim – është uzurpim!
Garat në fjalë nuk ishin organizuar nga Bashkësitë Fetare të rajonit, as nuk ishin të ndërtuara mbi ndonjë sistem përfaqësimi institucional. Ato ishin një ftesë për individë të dalluar në hifz, të cilët paraprakisht kanë kaluar faza përzgjedhjeje përmes komisioneve profesionale, të pavarura dhe jashtë ndikimit të strukturave fetare burokratike. Garuesit nga Maqedonia e Veriut nuk ishin dërguar atje nga BFI-ja e Shaqir Fetait, por kishin shkuar falë mundit, talentit dhe përgatitjes së tyre personale, shpesh të përkrahur nga mësues të devotshëm të Kur’anit që nuk i lidh asgjë me klikën që përfaqëson Fetai.
Nuk ka pasur përkrahje institucionale. Nuk ka pasur mbulim logjistik. Nuk ka pasur trajnim, organizim apo udhëheqje nga BFI-ja e Fetait. As ftesa për anëtarin e komisionit nga Maqedonia e Veriut nuk ka ardhur përmes Institucioneve fetare të vendit, porse i është dërguar personalisht atij. Dhe kjo flet shumë.
Atëherë si guxon Shaqir Fetai të thotë se ky është sukses i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut? Si mund të ngrihet një njeri për të përvetësuar punën dhe djersën e njerëzve të tjerë, ndërkohë që i ka lënë në harresë, i ka injoruar dhe shpesh i ka përbuzur në strukturat e veta?
Kronikë e një mentaliteti mashtrues
Përgjigjja është e thjeshtë dhe brutale: sepse kjo është doktrina e Shaqir Fetait – një njeri i mësuar të jetojë nga hijet e punëve të të tjerëve, i cili përpiqet të ndërtojë një imazh publik të rremë, duke veshur kostumin e “sukseseve” që nuk i ka arritur kurrë vetë. Kjo është një strategji klasike e pseudo-udhëheqësve pa kredibilitet: të kapin çdo rast për t’u dukur si liderë, edhe kur realiteti tregon qartazi se nuk janë as afër kësaj.
Ai nuk është organizator. Ai nuk është mentor. Ai nuk është përkrahës. Ai është përvetësues. Dhe më keq, është manipulator që kërkon të ndërtojë autoritet jo përmes punës dhe përkushtimit, por përmes deformimit të realitetit.
Ky është poshtërim për garuesit
Kandidatët që kanë marrë pjesë në këto gara nuk meritojnë të përdoren si vegla propagandistike të një strukture që as i ka ndihmuar, as i ka motivuar, dhe shpeshherë as nuk i njeh. Ata kanë punuar me vite të tëra për të mësuar përmendësh Librin e Shenjtë – Kur’anin – dhe kjo është një arritje që nuk mund dhe nuk duhet t’u vidhet nga një aparat burokratik i diskredituar.
Të thuash se “fitoi Bashkësia Fetare Islame” është të tallesh me djersën e tyre, me netët pa gjumë që kanë kaluar, me mësuesit e përkushtuar që punojnë në heshtje dhe me prindërit që i kanë përkrahur në këtë rrugë. Është të ulësh vlerën e vërtetë të punës së ndershme, për të ngritur në piedestal një farsë.
Shaqir Fetai nuk është përfaqësues i krenarisë fetare, por simbol i kapjes së fesë për interesa personale. Ai nuk është inspirim për besimtarët, por shembull i asaj se si një institucion fetar mund të zhytet në imoralitet publik kur bie në duar të gabuara.
Për sa kohë që manipulimi dhe përvetësimi i meritave të huaja do të vazhdojnë të pranohen si “normale” brenda strukturave fetare të vendit, as feja, as morali, dhe as komuniteti nuk do të kenë shpresë për pastrim e reformë. Sepse kush vjedh meritën sot, nuk do të ndalë nesër — do të vjedhë pasurinë, drejtësinë, të vërtetën…
Koha është që njerëzit me dinjitet t’i thonë ndal këtij teatri. Dhe ta bëjnë këtë me zë të lartë, të qartë dhe pa frikë. Sepse heshtja përballë mashtrimit është bashkëfajësi.
P.s.
Hafëz Numan ef. Selamin e urojmë nga zemra për suksesin e arritur në këto gara kuranore duke e zënë vendin e parë në Ballkan dhe e lusim Zotin Mëshirëplotë që t’i japë shëndet dhe mbarësi.