Kontributi i ulemave të Shkupit në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe fetar

Është e një rëndësie të veçantë të thuhet se, nga ky qytet si në periudhën e Perandorisë Osmane, po ashtu edhe gjatë pushtimit të Mbretërisë së SKS (Jugosllave), dolën shumë figura dhe personalitete të shquara kombëtare fetare. Ndër ta duhet veçuar myderrizin Idriz Efendiun, një intelektual dhe atdhetar i shquar, i njohur edhe në Stamboll ku kishte qëndruar një kohë të gjatë

Shkruan Afrim Tahiri

Shkupi me rrethinë deri në vitin 1912 ishte i banuar me shumicë shqipëtare, ndërsa elementi sllav (maqedonas, bullgar, serb), përbënin një pakicë të parëndësishme. Menjëherë pas pushtimit të këtij qyteti nga ushtria serbe, filloi shpërngulja e dhunshme e tyre për në Turqi, si dhe kolonizimi me serbë, malazias, maqedonas, boshnjak etj.
Për të pasur një pasqyrë më të qartë rreth përbërjes etnike të Shkupit, po i referohem një dokumenti të hartuar në janar të vitit 1913 nga Komanda e Përgjithshme ushtarake e Mbretërisë së Serbisë, ku thuhet: “Pushteti ushtarak në Shkup ka bërë regjistrimin e popullsisë sipas kombësive. Të dhënat e këtij regjistrimi tregojnë se, Shkupi numëron rreth 50.000 banorë. Nga ky numër 14.000 janë sllavë, në mesin e të cilëve mund të ketë më së shumti 1000 serbë. Muhamedanë ka rreth 30.000, ndërsa popullsia tjetër përbëhet nga shqiptarë (mendohet për shqiptarët të besimit katolik – A.T.), hebrenj, vlleh, grek etj..”(1) Mirëpo, gjithnjë duke ju referuar burimeve serbe, shohim se numri i popullsisë së Shkupit, në atë kohë ishte shumë më i madh, për shkak se, siç thuhet në një dokument: “shumica e kryefamiljarëve, veçmas myslimanët, nuk i regjistrojnë tërë anëtarët (fëmijët dhe gjininë femërore”, prandaj mendohet se“ky numër duhet të sillet rreth 80.000…”.(2) Për sa më sipër del se numri i popullsisë shqiptare të besimit islam në Shkup me rrethinë, arrinte diku rreth 60.000 banorë, ndërsa të gjithë të tjerët rreth 20.000.
Diplomati dhe atdhetari i mirënjohur shqiptar, Hamit Kokolari, në librin e tij “Kosova – Djepi i Shqiptarizmit”, duke u ndalur në përbërjen etnike të viseve shqiptare të aneksuara nga Serbia, shkruan: “…elementët serbe e malazeze të infiltruar gjer më 1912 në krahinat shqiptare që më vonë do të aneksoheshin nga Jugosllavia, nuk përfaqësonin veçse 5% të popullsisë së përgjithshme, por çka meriton të vihet në dukje fakti se në krahinat në fjalë, sidomos në veri të distrikteve të Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës, Gostivarit e Kërçovës, as para as pas vitit 1912, nuk figuron asnjë element bullgaro-maqedhonas. Por dhe në ato vise shqiptare si Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga, Ohri, Manastiri, ku elementi maqedhonas ka mundur të infiltrohet para vitit 1912, numri i tij ka qenë kurdoherë pa rëndësi në krahasim me numrin e Shqiptarëve.”(3)
Është e një rëndësie të veçantë të thuhet se, nga ky qytet si në periudhën e Perandorisë Osmane, po ashtu edhe gjatë pushtimit të Mbretërisë së SKS (Jugosllave), dolën shumë figura dhe personalitete të shquara kombëtare fetare. Ndër ta duhet veçuar myderrizin Idriz Efendiun, një intelektual dhe atdhetar i shquar, i njohur edhe në Stamboll ku kishte qëndruar një kohë të gjatë. Në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Pejës, u dallua si organizator i qëndresës kundër administratës osmane. Veprimtaria e tij atdhetare erdhi në shprehje sidomos gjatë vitit 1900, kur në shenjë revolte kundër masave antishqiptare të Hafiz Pashës, në qytetin e Shkupit, organizoi demonstrata mbarëkombëtarë, të cilat në historiografinë tonë kombëtare njihen si “manifestimet e Shkupit shkurt – mars 1900”.(4)
Gjatë manifestimeve, të cilat zgjatën më shumë se një muaj, Idriz Efendiu dhe udhëheqësit tjerë shqiptarë, i paraqitën Sulltanit kërkesën për shkarkimin e valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz Pashës, kryetarit të bashkisë së Shkupit, të komandantit të xhandarmërisë si edhe të gjithë nëpunësit e gjykatave dhe financave. Ata shtruan edhe kërkesën e largimit të konsullatës ruse nga Shkupi, për shkak se përkrahte pretendimet e Beogradit e të Sofjes në vilajetet shqiptare.
Me qëllim të organizimit dhe qëndresës sa më të fuqishme, nga pjesëmarrësit e manifestimeve u formua një komitet, i cili së shpejti krijoi fondin e vet financiar të grumbulluar nga popullsia shqiptare, e cila qëndronte fuqishëm pas kërkesave të tyre. Komiteti i Shkupit, synonte vendosjen e një administrate autonome shqiptare, duke ruajtur njëkohësisht sovranitetin e sulltanit mbi Shqipërinë.
Pika kulmore e qëndresës shqiptare të Shkupit u arrit në manifestimet e 2 dhe 7 marsit të vitit 1900, të cilat e detyruan sulltanin ta shkarkoj, valiun e Kosovës Hafiz Pashën, për ta zëvendësuar atë me ish mytesarifin e Prishtinës, Reshat Beun. Duhet të vëmë në dukje faktin se në momentin kur pritej ardhja e Reshat Beut në Shkup, Hafiz Pasha arrestoi Idriz Efendi Shkupjanin. Një akt i tillë, irritoi tej mase popullsinë shqiptare të Shkupit, e cila për disa ditë bllokoi tërë qytetin, duke kërkuar lirimin e udhëheqësit të tyre.(5) Burimet e Perandorisë Osmane, vënë dukje se kërkesat e shqiptarëve nuk i mori përsipër as valiu i ri, me çka me 16 mars, Idriz Efendiu së bashku më të birin e tij, Sait Hoxhën, internohet në qytetin Bitlisë të Kurdistanit, ndërsa dy vjet më pas në Konjë të Anadollit, ku edhe vdes në vitin 1904.(6)
Pas vdekjes së babait, në korrik të vitit 1905, Sait Hoxha, nga dëshira e madhe për tu kthyer në vendlindje, nëpërmjet një telegrami i drejtohet Vezirit të Madh, ku kërkon leja nga ai të kthehet në Shkup. Telegrami kishte këtë përmbajtje: “Telegram deri te Veziri i madh, prej Seidit biri i marhumit Shkupjan Idriz efendiut, në lidhje me punën zyrtare tash më të ndjerit babait tim i cili ndërroj jetë pak më herët ashtu që jam në Konjë pesë vjet dhe kërkoj prej Madhërisë Juaj që të lejoni kthimin tim zyrtarisht dhe ligjorë në vilajetin e Kosovës. 15 gusht 1321/ 28 gusht 1905. e diel. Seid djali i merhumit Idriz efendi Shkupjanit.”(7) Një ditë më pas, nga ana e kabinetit qeveritarë, lëshohet telegrami kthyes i nënshkruar nga vetë Veziri i madh në të cilin thuhej: “Telegram prej Vezirit të madh, me të cilin konfirmon se e ka pranuar telegramin prej Seidit djalit të të ndjerit Shkupjanit Idriz efendiut, në lidhje me kërkesën e tij që të lejohet kthimi i tij në vilajetin e Kosovës.
Në lidhje me kthimin e Seidit djalit të Idriz efendiut njërit prej ulemasë së Shkupit në vendin e vet.
Nëse nuk ka as një pengesë sipas autorizimit zyrtarë, ndërsa shihet që nuk ka atëherë lejohet kthimi i tij.”(8)
Posa lejohet kthimi i tij në Shkup, ai njëkohësisht i vazhdon studimet e ndërprera në Stamboll, që me sukses i kryen në vitin 1906. Deri në vitit 1908, ishte imam në xhaminë “Murat Pasha” në Çarshinë e Shkupit. Përveç kësaj, filloi ta studioj gjuhës arabe, historinë si dhe do të shkruaj poezi në gjuhën shqipe me alfabet arab. Në korrik të vitit 1908, ishte një ndër organizatorët kryesor të lëvizjes Xhon Turke në Shkup, dhe si rezultat i kësaj në zgjedhjet e nëntorit, bashkërisht me Nexhip Dragën zgjidhet deputet i parlamentit osman. Sipas asaj që deklaron në procesin e hetuesisë, zona e tij shtriheshe nga Kaçaniku e deri në Radovish.(9)
Sait Hoxha do të jetë krahu i djathtë i Hasan Prishtinës, sidomos gjatë kryengritjes së përgjithshme kombëtare të vitit 1912. Kah mbarimi i tetorit të vitit 1912, arrestohet nga pushtuesit serbë. Arrestimi i tij u bë në afërsi të Shkupit, ku bënte përpjekje maksimale për ta ndalur valën e shpërnguljes së shqiptarëve nga frika e barbarisë sllave. Ai u burgos së bashku me Hasan Prishtinën dhe 12 patriot tjerë, ndër të cilët ishin: Idriz Seferi, Nexhip Draga etj.,të cilët u internuan në burgun e Kalasë së Beogradit. Pikërisht ky arrestim ishte shkaku kryesor që këta figura të shquara shqiptare nuk morën pjesë në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.(10)
Pasi lirohet nga burgu (1913), ai udhëton për Vjenë ku do të qëndroj deri në vitin 1916, për tu kthyer përsëri në Shkup. Deri në vitin 1941, nuk do të merret me asfarë aktiviteti politikë, përveç se gjatë viteve 1934-1937, ku do të jetë anëtarë i Kuvendit Merarif të Bashkësisë Islame në Shkup (11), si dhe udhëhoqi organizatën bamirëse “Shefket” në Shkup.(12)
Kjo organizatë bamirëse, gjatë viteve tridhjeta të shekullit të kaluar, pati aktivitete të shumta, sidomos në arsimimin dhe edukimin e popullsisë myslimane në Shkup. Për këtë të dhëna më të detajuara na ofron Raporti i Ulema Mexhlisit të Shkupit, dërguar në mars të vitit 1940, Reis ul-ul-ulemasë në Sarajevë, ku shprehimisht thuhet: “Mungojnë aksionet kulturor-arsimore te këta shoqëri për shkak mjeteve financiare si dhe për shkak personelit profesional. Mirëpo këtu duhet të merret si shembull shoqata “Shefqet” në Shkup e cila ka hapur shkollën e saj profesionale të femrave në Shkup, e cila me sukses ekziston dhe punon tash më për disa vite me radhë.”(13)
Përkundër pasivitetit politik të tij gjatë periudhës së përmendur kohore, Said Hoxha nëpërmjet Abaz Ilmi Pashës(14), mbante lidhje të përhershme me krerët e shteteve arabe. Madje në vitin 1930, qëndroi plot dy muaj, ku krahas Egjiptit, pati takime zyrtare edhe në Jordani, Jemen, Arabi Saudite etj. Veçmas duhet veçuar takimin e tij me Emirin e Jordanit, Abdullahun, i cili siç pohon Said Hoxha para organeve të hetuesisë ishte i nivelit më të lartë diplomatik. Gjithnjë sipas tij, takimi ishte mbajt në Oborrin Mbretëror në Aman, ku për nder të mysafirit të lartë, krahas Emirit, morën pjesë të gjithë ministrat si dhe Kryemiftiu i Jordanisë.(15)
Një figurë tjetër me ndikim gjithsesi se ishte Ataullah efendi Kurtishi, kontributi i të cilit ishte i shumëllojshëm, veçmas në krijimin e kuadrit profesional fetar. Medreseja e tij “Medah”, nxori figura të shquara fetare e kombëtare si: Haki Efendiu, Fetah Efendiu, Memed Efendiu, Xhemal Efendiu, Ferat Efendiu etj.(16) Burimet serbe bëjnë të ditur se kjo Medrese, ishte ndër më të vjetrat në Shkup. Në një vështrim të hartuar në vitin 1935, nga Ministria e Arsimit të Mbretërisë jugosllave, kushtuar medreseve në hapësirat shqiptare nën pushtimin jugosllav, përshkruhet edhe një histori e shkurtë e kësaj medreseje. Në të shprehimisht thuhet: “Kjo medrese është ndër medresetë më të vjetra në Shkup. Gjendet në oborrin e xhamisë Medah në afërsi të barnatores qendrore. Është ndërtuar nga udhëheqësi i Shkupit, Jigit Pasha, rreth viteve 1397/98. Kjo medrese ka dhënë shumë personalitete të shquara, midis të cilëve më i njohuri është filozofi Letfullah Efendiu. Emrin Medah e ka marrë nga myderrizi i parë baba Medah – emri i vërtetë i të cilit ishte Mudehin. Krahas medresesë gjendet edhe tylbja ku gjendet varri i Jigit Pashës. Me luftërat ballkanike ajo pushoi së punuari dhe më vonë ajo shfrytëzohej si teqe, ndërsa para 10 viteve, kur u hap Medreseja e Madhe Kral Aleksandri i I-ë, me iniciativë të Ataullah Hoxhës përsëri u hap. Vitin e kaluar doli gjenerata e parë prej 6 nxënësve. Tash myderrizi kryesor është Rexhep Ramizi.”(17)
Siç shihet, rihapja e kësaj medrese nga ana e Ataullah Efendiut, ishte si kundërpërgjigje ndaj vendimit të zyrtarëve të Beogradit, për hapjen e Medresesë së Madhe në Shkup, ku siç bëjnë të ditur burimet e kohës, ata planifikonin asimilimin, përkatësisht serbizimin e popullsisë myslimane shqiptare. Mirëpo, hapja e Medresesë Medah, si dhe fushata që u zhvillua në atë kohë nga krerët atdhetarë shqiptarë, si Ataullah Efendiu, Ferhat Draga etj, ndikoi dukshëm që shumica dërmuese e popullsisë shqiptare në Shkup e më gjerë, të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në Medresenë e Madhe. Në informatën e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës jugosllave, dërguar në mars të vitit 1925, Ministrisë së Fesë në Beograd, vihej në pah se politikanët shqiptar, në krye me Ferhat Dragën e Atulla Hoxhën: “..zhvillojnë agjitacion në Shkup e më gjerë që myslimanët mos i regjistrojnë fëmijët e tyre në Medresenë e Kral Aleksandërit, sepse boshnjakët do ti serbizojnë…”(18)
Ataullah Hoxha, krahas aktivitetit për krijimin e kuadrit të mirëfilltë fetar, u shqua edhe në aktivitetin për pengimin e shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve mysliman për në Turqi, nga pushteti i atëhershëm serb. Ai së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kudo që shkonte, apelonte që shqiptarët mysliman të mos i lëshojnë vatrat e tyre, duke u shprehur me fjalët: “ai që e lëshon vatanin është shkja (i pa fe – A.T.), ndërsa Turqinë e Ataturkut, e konsideronte si “një vend pa fe, shtet ku nuk ekziston morali dhe ku nuk respektohen liritë fetare.”(19)
Duhet të vëmë në dukje faktin se, Ataullah Efendiu, në zgjedhjet e para të lira që u organizuan brenda Bashkësisë Fetare Islame në Shkup, në vitin 1937, edhe pse doli me listë të veten, ai pas zgjedhjeve mbështeti krahun e Ferhat Dragës, për çka edhe u zgjodh njëri ndër katër anëtarët e Ulema Mexhlisit të Shkupit. Krahas tij, ishin edhe Sherif Osmani (Langu) nga Dibra (kryetar i Ulema Mexhlisit), Mulla Idriz Hajrullau nga Gjilani dhe Bedri Abazi nga Shkupi.
Burimet arkivore ofrojnë të dhëna të shumta për veprimtarinë e udhëheqjes së Ulema Mexhlisit të Shkupit, që doli pas zgjedhjeve të sipërpërmendura, ku padyshim se rol të rëndësishëm patën edhe Ataullah efendi Kurtishi dhe Bedri efendi Abazi. Ky i fundit, në një raport dërguar në korrik të vitit 1939, Reis ul-ulemasë në Sarajevë, duke e përshkruar gjendjen e mjerueshme të popullsisë myslimane në këto vise, ndër të tjerash thekson: “Është shumë e dhimbshme të konstatohet se myslimanët sot janë elementi më i varfër dhe se mjerimi i tyre gjithnjë po shtohet. Janë të shumta shkaqet, disa prej të cilave po i përmendi: marrja e tokës dhe të pronës pa dëmshpërblim; shpërngulja për në Turqi dhe shitja e pronës pa vlerë; rënia e zejtarëve e të tregtarëve të vegjël; mungesa e kapitalit etj. E gjithë kjo ka ndikuar në varfërinë e përgjithshme të myslimanëve e të gjitha shtresave dhe lidhur me këtë edhe prapambeturia në fushat e tjera të veprimtarisë…”(20)
E një rëndësie të veçantë paraqet fakti se, regjimi komunist jugosllav, ndër personalitetet më të rrezikshëm të regjimit të tyre, krahas mësuesve dhe veprimtarëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, i konsideronte edhe mbështetësit e politikës së Ataullah Efendiut, përkatësisht pasardhësit e tij siç ishin: Fetah Efendiu, Memet Efendiu, Xhemal Efendiu, Ferast Efendiu e shumë të tjerë, të cilët deri në vdekje qëndruan besnik ndaj idealeve të tyre fetare e kombëtare. Se çfarë qëndrimi patën këta figura të shquara kombëtare e fetare, ndaj ideologjisë komuniste më së miri mund ta shohim në fjalimin e Ferhat Hoxhës, dhënë para xhematit të tij në f. Ramanli, ku shprehet: “Unë kam luftuar kundër këtij regjimi dhe nuk do të ndalem së luftuari përkundër asaj se kam vuajtur gjashtë vjet burg. Unë jam betuar dhe e kam thënë të vërtetën se cila është e drejta për myslimanët. Mua më ka rrjedh gjak nga komunistët por përsëri nuk jap pesë pare, një herë kam lindur dhe një herë do të vdes, por ata gjallë nuk mund të më hanë. Ju xhemati i ndershëm mos u bëni të pa fytyrë dhe mos i ndihmoni komunistët, sepse ne nuk do të jetojmë 100 vjet, askush nuk ka ngel në këtë botë prandaj as ne nuk do të ngelim…”(21)
Në mesin e ulemave të Shkupit, të cilët dhanë kontribut në mbrojtjen e vlerave kombëtare e fetare, gjithsesi se janë edhe Remzi efendi Abdullau dhe Bedri efendi Abazi, veprimtaria e të cilëve u dallua në procesin edukativo-arsimorë, pranë Medresesë së reformuar “Gazi Isa Beu” në Shkup – 1936-1941 . Në fakt veprimtaria e tyre atdhetare, kishte filluar shumë më herët, përkatësisht në fillim të viteve tridhjeta, kur në kuadër të Ulema Mexhlisit të Shkupit, u krijua krahu opozitar shqiptar, që ndryshe njihej si “grupi i Bolaji Hanit” .
Kontributi i ulemave të Shkupit në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar gjatë shekullit të kaluar ishte i pakontestueshëm. Krahas figurave që u përmenden, janë edhe një numër i madh i ulemave shqiptarë nga ky qytet, të cilët së bashku me atdhetarët tjerë shqiptarë iu kundërvunë iniciativave dhe projekteve antishqiptare e anti-islame të regjimeve të Beogradit.
Krejt në fund, mendoj se është obligimi i ynë kombëtar e fetar që me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, në mesin e ulemave më të dalluar shqiptar gjatë shekullit të kaluar të përfshihen edhe Idriz Efendi Shkupjani, Said Hoxha dhe Ataullah Efendi Kurtishi.

* * *

1) Државен архив на Република Македонија (më tej ДАРМ),2.766.27.86/406-408.

2) ДАРМ. 1.766.27.46/262-278.

3) Hamit Kokolaei – “Kosova – Djepi i Shqiptarizmit, Botuar në vitin 1962 nga Lidhja Kosovapress në Mërgim, faq.86

4. Qerim Lita, Revolucioni Xhon Turk dhe personaliteri i Sait Hoxhës, Kërkime Historike 5-6, Shkup 2012, fq. 133-149.

5. Prof.Dr.Kristaq Prifti, Shqitarët e Maqedonisë së sotme në Levizjen kombëtare të fundit të shek.XIX (1899-1900), punim shkencore, Botuar në përmbledhje kumtesash Shqitarët e Maqedonisë, Shkup 1994, fq. 243-255, Idriz Efendiun e paraqet si Idriz Efendi Gjakova; ДАРМ,Ф.УДБ-РСВР. Д.53000448, Записник од сослушувањето на окривениот Саид Идриз Саид, нив.Муфтија од Скопје, работено во УДБ за Македонија на 4.1.1949 год; vetë Said Hoxha Kur flet për babanë e tij, thekson se është i lindur në fshatin Maranë, rrethina e Shkupit, ndërsa pasi e kryen fakultetin e teologjisë, vendoset në Shkup; Said Hoxha në ditarin e tij gjithashtu thekson se Idriz Efendiu ka lindur në fshatin Maranë.

6. ДАРМ, Ф.УДБ-РСВР, Po aty: Said Hoxha në dekleratën e dhënë para organeve të UDB, lidhur me manifestimet e Shkupit të vitit 1900 thekson: Në vitin 1900, sa më kujtohet mua, që internuar babai I’m në qytetin Bitlis-Kurdistan, nga ana e valiut të Shkupit me emër Hafiz Pasha. Si shkas ishte se Hafiz Pasha udhëhiqte një politikë pro serbe, ndërsa babai im e kundërshtoi. Në Bitlis babai qëndroi dy vjet. Me të edhe unë shkova. Më pas pushteti na dërgoi në Konjë të Anadollit. Said Hoxha në ditarin e tij lidhur me këtë shkruan: Së bashku me babanë tim na deportuan prej Shkupi me tren më 06.03.1316 (19 mars 1900).

7. YA HUS 1322.6.17.477/111, Telegram, prej: Konjë. Deri: Shteti i Naltë, Nr.2872, fjalë: 71

8. Po aty, Porta e Naltë, Kabineti qeveritar 1379, telegram prej Vezirit të madhe, 17 Xhemazielahir 1322/ 16 gusht 1905, Vezirit i Madh.

9. ДАРМ.Ф. УДБ-РСВР- po aty.

10. Prof.Dr.Xheladin Shala, Çështja shqiptare dhe diplomacia serbe 1912-1913, Prishtinë 2006, fq 213.

11. ДАРМ 1.954.1.1./11

12. ДАРМ. Ф. УДБ-РСВР-, po aty.

13. ДАРМ. 1.613, Улема Меџлис Исламска Верске Заједнице Кралевине Југославија, Извештај бр. 3582/40, 18 Марта 1940 год.Скопле.

14. Abaz Ilmi Pasha ishte me prejardhje shqiptare, përkatësisht nipi i Muhamed Ali Pashës, themeluesit të Egjiptit, ku një periudhë kishte qenë Mbret i këtij shteti. Me të, Said Hoxha njihej që nga periudha e Perandorisë Osmane.

15. ДАРМ.Ф.УДБ-РСВР. Д53000448, Записник од сослушувањето на окривениот Саид Идриз Саид, Po aty.

16. ДАРМ.Ф.УДБ-РСВР.Д 20122, Извештај, ДВ Куманово,12.06.1947 год.

17. AJ.1.110,Пов.Бр..3340, Београд, 1935 год.

18. АЈ.1.110.Оов.бр.2218, 21.III.1985 год. Београд.

19. Qerim Lita, Shaban Efendia – atdhetar i devotshëm, Kumanovë 2010, fq.74-75.

20. ДАРМ.1.613, Пов.Бр.2231/39, 23 кула 1939 год . у Скоплу.

21. ДАРМ.Ф.УДБ-РСВР, po aty.

22. ДАРМ 1.955.3/1.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *