Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka thënë se shteti që udhëheq do ta njohë shtetin palestinez në shtator, duke u bërë vendi i tretë i grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) që bën një njoftim të tillë në ditët e fundit.
Carney ka thënë se marrja e këtij vendimi do të varet nga reformat që do të kryhen, përfshirë zotimin e Autoritetit Palestinez që t’i mbajë zgjedhjet e reja vitin e ardhshëm, pa pjesëmarrje të Hamasit.
Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do ta njohë shtetin palestinez në shtator, përveç nëse Izraeli pajtohet për armëpushim dhe kushte tjera.
Një javë më parë, edhe Franca e ka prezantuar një plan të ngjashëm.
Ministria e Jashtme e Izraelit e ka kundërshtuar njoftimin e Kanadasë, duke e quajtur “shpërblim për Hamasin”.
Prej 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, shtetin palestinez e njohin zyrtarisht 147 sosh.
Carney ka thënë se Kanadaja do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ai e ka përmendur zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, përkeqësimin e situatës së sigurisë në Gazë, dhe sulmin e 7 tetorit të vitit 2023 të Hamasit kundër Izraelit, si arsye pas ndryshimit dramatik të politikës së jashtme të Kanadasë.
“Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gazë është i patolerueshëm dhe është duke u përkeqësuar me shpejtësi”, ka thënë Carney para gazetarëve.
Carney ka thënë në konferencë për media se ka biseduar me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, lidhur me vendimin e marrë.
Autoriteti palestinez kontrollon pjesë të Bregut Perëndimor përmes partisë Fatah, të udhëhequr nga Abbasi, derisa Gazën e ka udhëhequr Hamasi.
Asnjëri prej këtyre territoreve nuk ka mbajtur zgjedhje prej vitit 2006.
Pjesa më e madhe e Gazës tani është shndërruar në gërmadhë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë Palestinezë (UNRWA) ka thënë se një në pesë fëmijë në qytetin e Gazës tani është i kequshqyer dhe që numri i rasteve po rritet çdo ditë.
Mbi 100 organizata ndërkombëtare të ndihmës dhe grupe për të drejta të njeriut kanë paralajmëruar për uri masive në Rripin e Gazës, duke iu bërë presion qeverive në botë që të veprojnë.