Përfaqësuesja e Lartë e BE‑së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, kritikoi situatën institucionale në Bosnje e Hercegovinë gjatë vizitës së sotme në Sarajevë. Ajo bëri të ditur se tashmë është koha që të përfundojë mbikëqyrja ndërkombëtare mbi këtë shtet, por për këtë, siç ka thënë, institucionet boshnjake duhet të jenë të përgatitura për të marrë vendime vetë.
Në fjalimin e saj përpara zyrtarëve të presidencës dhe më pas në bazën ushtarake të misionit EUFOR në kampin Butmir, Kallas theksoi se Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës është “themeli i paqes” dhe çdo veprim që e minon integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues është “i rrezikshëm dhe i papranueshëm”.
Ajo kritikoi direkt udhëheqjen e entitetit Republika Srpska për veprimet që sipas saj “po minojnë rendin kushtetues dhe legal të vendit” dhe “kërcënojnë liritë themelore të të gjithë qytetarëve”.
“Udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet”, tha Kallas.
Sipas saj, perspektiva për anëtarësim në BE mbetet e hapur për Bosnjën dhe Hercegovinën, me kusht që të respektohen sundimi i ligjit dhe të funksionojnë institucionet për të gjithë vendin. “Nuk ka rrugë të shkurtra”, tha Kallas.
Ajo nënvizoi gjithashtu se ndërhyrja ndërkombëtare mund të fillojë të “zbutet” nëse vendi ndërton kapacitete të brendshme.
