Në fjalët e tyre përfundimtare para Dhomave të Specializuara në Hagë, katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë deklaruar njëzëri pafajësinë e tyre, duke theksuar se përgjegjës për çdo dhunë dhe masakër në Kosovë ka qenë regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe politikat e tij gjenocidale, jo UÇK-ja.
Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-udhëheqësi i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka mbajtur fjalën e tij përfundimtare, duke deklaruar sërish pafajësinë e plotë ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në nisje, ai ka uruar qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë dhe ka theksuar se liria dhe pavarësia nuk kanë qenë kurrë mjet për pushtet, por për dinjitet. Thaçi ka deklaruar se akuzat e Prokurorisë janë të pavërteta dhe se në fillim të vitit 1998 ai ishte student në Zvicër, pa plane politike apo ushtarake, ndërsa përgjegjës për dhunën dhe masakrat ishte regjimi i Millosheviqit.
Ai ka shtuar se vendimi për t’iu bashkuar rezistencës ishte personal dhe moral, duke shprehur krenarinë për rolin e tij në UÇK dhe duke siguruar se nuk do të pendohej kurrë për mbrojtjen e popullit të tij.
Sipas tij, pa ndërhyrjen e NATO-s nuk do të kishte liri dhe pavarësi për Kosovën. Thaçi ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në dhe Perëndimin, duke vënë në pah se suksesi më i madh i Kosovës ishte aleanca me botën demokratike, të cilën nuk do ta rrezikonte në asnjë rrethanë. Ai ka mohuar pretendimet se qëllimi i UÇK-së ishte marrja e pushtetit, duke rikujtuar se pas luftës u pranua administrimi ndërkombëtar dhe çarmatimi i UÇK-së.
Ai tha se akuzat e prokurorisë janë shumë të rënda. “Gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë, prej orës në orë, prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time, gruan dhe djalin e porsalindur, e lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht nga Millosheviqi”, tha ai.
“Fakti që jemi gjallë ishte fat,” tha Thaçi. Ai ka thënë se Millosheviqi ishte arsyeja pse UÇK-ja u masivizua dhe jo ai.
“Kjo prokurori më ndau shumë grada, më lavdëroi. Nuk isha unë që e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë. Iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk isha unë arsyeja pse UÇK-ja po mobilizohej, por ishte Millosheviqi. Ish-sekretarja Madeleine Albright e ka thënë më mirë: ‘Millosheviqi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i UÇK-së. UÇK nuk ishte ushtri e një shteti, ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor’,” tha Thaçi.
Në përfundim, Thaçi ka deklaruar se serbët dhe komunitetet e tjera në Kosovë ishin gjithashtu viktima të regjimit të Millosheviqit dhe se ai kishte bërë thirrje për paqe dhe bashkëjetesë, edhe me rrezik personal. Ai i është drejtuar trupit gjykues duke theksuar se provat nuk mbështesin akuzat dhe se “i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë”.
