Hipokrizia e kamufluar me “pusulla morale”

Kur fjala e Zotit përdoret për kamuflim, e pusulla predikon dritë ndërsa dora që e shkruan ngjiz terr, atëherë nuk kemi të bëjmë me udhëheqje shpirtërore, por me një maskaradë të shenjtëruar. Shaqir Fetai është pikërisht ai paradoks që feja e vërtetë e refuzon

Nga Mahir Rexhepi

Kur publikohet “pusulla” naive me emrin e Shaqir Fetait me pretendime për mendim të thellë islam, për ngritje dhe zhvillim shpirtëror, nuk mund të mos ndalemi për një çast e të pyesim: kush po flet? Kush shprehet: “Dije se sipas konceptit islam, njeriu në esencë është i krijuar për të menduar mbi ngritjen dhe zhvillimin e tij në çdo sferë të jetës”! Ai që shndërroi një institucion të shenjtë në skenë intrigash? Apo ai që udhëtimin në Qabe, vendin më të shenjtë për myslimanët, e përdor për selfie e lavdi personale? Kë po përpiqet të mashtrojë ky njeri me pusulla që duken më shumë si maskë sesa si mesazh?
Nuk mjafton që të thuash se “njeriu është i krijuar për të menduar mbi ngritjen dhe zhvillimin e tij në çdo sferë të jetës”, kur vetë Shaqir Fetai është shembulli më i gjallë i degradimit moral, i vëllavrasjes shpirtërore dhe i vetëdijshëm për dëmin që përhap. Çdo fjalë që del nga goja e Shaqir Fetait është një thikë në shpinë të sinqeritetit dhe një fyerje për çdo besimtar që e merr seriozisht fjalën Zot. Po çka ndodhë nëse njeriu nuk mendon sipas konceptit islam por sipas direktivave të UDB-së?
Çfarë vlere ka fjala kur vepra është krejt tjetër? Çfarë vlere ka një udhëheqës fetar kur ai nuk frymëzon, por ndan? Kur ai nuk përqafon, por ndëshkon? Kur ai nuk lutet për drejtësi, por komploton për përçarje? Kur nuk e hesht hasmërinë por e ëndërron edhe vëllavrasjen! Nëse mendja e njeriut duhet të orientohet drejt dritës, siç e thotë pusulla, atëherë Shaqir Fetai është një projekt i errësirës. Ai është dëshmia e gjallë se si mund të përdoret feja si mburojë për interesa personale, si skenografi për një teatër të pistë politik.
Aq e përlyer është kjo fytyrë hipokrite, saqë edhe qëndrimi në Qabe, në Shtëpinë e Zotit, shndërrohet në një status të zbrazët facebook-u, në një dëshmi të një vetëdijeje të sëmurë që ka humbur krejt lidhjen me spiritualitetin dhe e ka kthyer fenë në marketing personal. Ai nuk shkon në Qabe për ta kërkuar Zotin, por për ta bindur publikun se është ende “i rëndësishëm”, sepse e di që as Zoti nuk i beson më. Bën sellfie sa për t’i ulur dyshimet tek popullata myslimane se ai mund të ketë shkuar në Telaviv! Sepse, prej Shaqir Fetait pritet edhe kjo!
Më kot nënshkruhet në faqen e vet personale “reis ul ulema”, sepse ai nuk është dhe as që ka qenë ndonjë herë reis, as udhëheqës, as udhërrëfyes shpirtëror, ai vetëmse ka ngelë instalacion i shërbimeve të huaja në krye të BFI-së. Ky është fakt historik që e nxjerr zbuluar Shaqir Fetain në çdo përpjekje të tij për arritjen e një vetëkënaqësie imorale. Ai është një figurë që përfaqëson krizën më të thellë të integritetit fetar në rajon. Një simbol i shndërrimit të fesë në instrument kontrolli dhe përçarjeje. Një shembull klasik se si një njeri mund të mbajë një titull të shenjtë ndërsa në shpirt ka vetëm katran dhe agjendë të fshehur.
Pusullat e tij nuk janë mesazhe islame. Janë karta false që synojnë të mbulojnë një fytyrë të vërtetë: fytyrën e një njeriu që ka humbur busullën, që s’e njeh më reflektimin, as pendimin, as përgjegjësinë.
Kur dikush flet për “zhvillim në çdo sferë të jetës”, do të ishte me vend të pyesnim: po sfera e ndërgjegjes, si është zhvilluar? Sfera e sinqeritetit? A është zhvilluar ndopak ndjenja për përgjegjësi morale ndaj popullit, ndaj institucionit që përfaqëson, ndaj besimtarit që ka nevojë për drejtim, jo për teatrin e rradhës? Apo sfera e vetme që ka pësuar “zhvillim” është ajo e imazhit personal dhe e llogarive për pushtet të vogël në një oborr të madh hipokrizie ku e projekton rritjen e buxhetit marramendës familjar.
Në një kohë kur shoqëria ka nevojë për reflektim të sinqertë dhe udhëheqje të vërtetë shpirtërore, tipat me profil UDB-je do të duhej të heshtnin, sepse çdo fjalë që nxjerrin vetëm sa e thellojnë hendekun mes moralit të pretenduar dhe realitetit të tyre të errët. Dhe atëherë, pusullat e tyre nuk janë më mesazhe frymëzimi, por dëshmi të pafuqisë për t’i ikur së kaluarës që ende i mban peng.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *