Në ditën e tretë të dëshmisë në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë, ish-ambasadori Christopher Hill foli për Adem Demaçin dhe rolin e tij në UÇK.
Sipas tij, kishte shumë që prezantoheshin si persona që flisnin në emër të UÇK-së.
“Sipas meje, unë e kisha të qartë dhe të tjerët ma bën të qartë se ne nuk e dinim se kush fliste për UÇK-në. Adem Demaçi fliste për rolin që ai kishte në UÇK, askush tjetër nuk na e konfirmoi këtë. Kishte shumë persona që prezantoheshin si persona që flisnin në emër të ushtrisë. Problemi ynë ishte që ne nuk kishim një pikë kontakti në të cilin mund të komunikonim për të ardhmen”, deklaroi diplomati amerikan.
Ai theksoi se shpenzoi kohë me Demaçin, sepse, siç tha ai, ishte një person që kishte ndikim.
“Ishte më shumë si influencer. Unë nuk besoj se ai fliste për UÇK-në, por fliste më shumë per veten”, u shpreh Hill, njofton Klankosova.tv.
Ish-ambasadori u pyet edhe në lidhje me komunikatat e ushtrisë, për të cilat i njëjti tha se nuk kishte njohuri se nga kush lëshoheshin.
“Ne nuk e dinim kush i lëshonte ato komunikata, ishin për çështje sigurie që nxirreshin apo vërtetë nuk ekzistonte një strukturë që të besonim, dhe ne prandaj nuk i përdorëm si bazë për të përcaktuar një strukturë vertikale organizative të UÇK-së”, deklaroi Hill.
