Heshtje në Serbi, Shqipëria në festë! “Shqiponja” Manaj fluturon mbi Leskovac

Historike, madhështore, e bukur! Kuqezinjtë fitojnë dhe dalin me 3 pikë nga Leskovaci përballë Serbisë, dhe kjo nuk është më një ëndërr.

Rei Manaj bëri të harrohej ajo penallti e humbur pak muaj më parë në “Air Albania”, duke gjunjëzuar mbrëmjen e sotme portierin serb me një goditje “alla Zinedine Zidane”.

Në shtesën e pjesës së parë, lushnjari kuqezi shtangu tifozërinë serbe dhe bëri të “gufonin” nga gëzimi zemrat shqiptare, duke shënuar me një të djathtë potente pas një topi të kthyer nga mbrojtja serbe.

Me rezultatin 1-0 dhe me moralin lart, kuqezinjtë u futën në dhomat e zhveshjes.

Një pjesë e parë e cila, përveç golit të Manajt, nuk pati raste të tjera të pastra.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, serbët rritën ritmin e lojës, duke tentuar portën kuqezi, por me Mitajn, Hysajn, Ajetin, kapitenin Gjimshiti dhe një Super Strakosha, porta kuqezi mbeti e paprekur.

Gjithashtu, në fraksionin e dytë të lojës, aktivizimi i Arbër Hoxhës vuri jo pak në siklet mbrojtjen serbe. Ndërsa në minutën e fudnit të ndeshjes Bajrami pati mundësinë të dyfishonte, por gaboi përballë portierit.

Pas kësaj ndeshjeje, shanset që Shqipëria të prekë “tokën e premtuar” nuk mbeten më një ëndërr.

Kuqezinjtë renditen të dytët në grupin K me 11 pikë, pas Anglisë, dhe katër pikë më shumë se serbët e vendit të tretë, të cilët kanë një ndeshje më pak.

Dy ndeshjet e ardhshme do të jenë dy finale të tjera për kuqezinjtë, të cilët nëse mbajnë vendin e dytë  tashmë jo më një utopi, do të presin kundërshtarin e radhës në fazën playoff.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *