“Hallall ti vera”

Aty ku poshtërimi institucional maskohet si tolerancë dhe heshtja shitet si urtësi, nderimi pushon së qeni vlerë dhe shndërrohet në akt nënshtrimi. Kur një komunitet dekorohet duke u fyer, ndërsa përfaqësuesit e tij heshtin në emër të harmonisë, poshtërimi merr formë zyrtare dhe bëhet normë

Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog

Ka forma të dhunës që nuk ngrisin zhurmë. Nuk ta lëndojnë trupin, por ta nëpërkëmbin dinjitetin. Nuk lënë gjak, por turp. Një nga këto forma është kur poshtërimi institucional shitet si tolerancë, ndërsa nënshtrimi shitet si urtësi. Edhe nënshtruesi, edhe “toleranti”, me galancë e urojnë njëri-tjetrin me “hallall ti vera”! Këtu zë fill institucionalizimi i diskriminimit shtetëror si dhe nënshtrimi vullnetar.
Komisioni për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze ka themeluar një çmim, që gjoja synon të nderojë kontributin në jetën fetare të qytetarëve të vet të devotshëm. Deri këtu, asgjë e pazakontë. Por kur ky çmim mban emrin “Veljo Mançevski” dhe me të dekorohen teologë shqiptarë të besimit islam, atëherë nuk kemi më të bëjmë me nderim, por me një paradoks të rrezikshëm dhe thellësisht fyes.
Kush ishte Veljo Mançevski?
Në Wikipedia gjejmë informacion se Veljo Mançevski ishte teolog ortodoks maqedonas, figurë e rëndësishme e LNÇ-së dhe referenti i parë fetar në Shtabin e Përgjithshëm. Askush nuk ia mohon biografinë, askush nuk e vë në dyshim patriotizmin e tij. Por historia ka një ironi të hidhur: ky njeri u burgos, sipas narrativës zyrtare maqedonase, nga “kuislingët shqiptarë”.
Dhe ja ku jemi sot: me emrin e atij që thuhet se u burgos nga shqiptarët, dekorohen shqiptarët myslimanë. A ka poshtërim më të rafinuar se ky? A ka cinizëm më të ftohtë institucional?
Kjo quhet “shpirtgjerësi maqedonase”. Në fakt, kjo është arrogancë e paketuar si tolerancë. Sepse vetëm ai që ndihet superior ka luksin të shpërndajë nderime që për tjetrin janë fyerje.
Por pyetja më e rëndë nuk i drejtohet vetëm Komisionit shtetëror. Pyetja therrëse është: çfarë bën këtu Bashkësia Fetare Islame e RMV-së? Si lejon BFI-ja që një çmim shtetëror për kontributin fetare të një teologu mysliman të mbajë emrin e një referenti fetar ortodoks, e të mos ekzistojë asnjë iniciativë për një çmim tjetër që do të mbante emrin e një figure myslimane, si p.sh. Hafëz Bedri ef. Hamidi, reisi i parë i BFI-së pas LNÇ-së?
A është kjo neglizhencë? Apo është nënshtrim i vullnetshëm, madje duke e përcjellë me ilahi nga kori i Medresesë e me instrumentin “nej” të cilës i fryen me ëndje teologu mysliman?
Në kohën e Shaqir Fetait, të kapur për gushe nga ata që “i dhanë shpirt”, është gjithçka e mundshme! Për më tëpër, Shaqir Fetai, i cili, sipas Kushtetutës së BFI-së, ka të sanksionuar përdorimin e të gjitha gjuhëve të myslimanëve në RMV, guxon të marrë pjesë në një ceremoni ku gjuha shqipe injorohet plotësisht?! Si pranon që një shqiptar të dekorohet pa iu respektuar gjuha amtare nga një institucion shtetëror që i përfaqëson të gjithë besimet dhe besimtarët e vendit, ndërsa merr një çmim që mban emrin e një prifti, i cili, sipas historiografisë dominuese të paargumentuar shkencërisht, paskësh vuajtur nga “shqiptarët kuislingë”?
Ky nuk është dialog ndërfetar. Kjo është asimetrikë e turpshme. Ky nuk është respekt i ndërsjellë, por ritual nënshtrimi. Dhe këtij rituali “iso”-n ia mbanë vetë Shaqir Fetai, i ashtuquajturi “reis” i BFI-së. Një komunitet që historikisht ka qenë i përjashtuar, i heshtur dhe i keqpërdorur, dhe që sot poshtërohet në emër të një harmonie fallco, kjo mund t’i bëjë vaki vetëm Shaqir Fetait!
Natyrisht, kjo dukuri nuk i bën nder askujt. As shtetit, as institucioneve fetare, as shqiptarëve, as myslimanëve. Sepse kur dinjiteti shkelet me ceremoni, atëherë problemi nuk është më simbolik, por, është moral. Dhe kur morali dorëzohet, asnjë çmim nuk ka më vlerë. Mbase, ky dorëzim edhe mund të jetë misioni i Shaqir Fetait! Nëse është i padituri, i painformuar, atëherë është mirë të dalë pak përtej atij gardhi brenda së cilit mrizojnë analfabetët e tij funksionalë, dhe të pyes, të këshillohet me ata që ia duan të mirën e që ky ua kujton të keqen! Në këtë derexhe ku është katandisur BFI-ja fill pas asaj tradhëtie të madhe që ndodhi më 27 maj të vitit 2020, priten edhe skandale të tjera, mbase edhe më të rënda se përqafimi vullnetar i këtij diskriminimi institucional. Sepse, tashmë problemet janë bërë aq të thella dhe aq të turpshme sa që askush nuk po shpreh dëshirë të merret me këtë Institucion për ta shpëtuar nga bataku ku është zhytur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *