Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, vlerëson se Ukraina duhet të pajiset në mënyrë që të jetë në nivel ose më e fuqishme se Rusia, sepse Vladimir Putin përgjigjet vetëm ndaj forcës. Ai tha se Donald Trump duhet t’i lejojë Ukrainës të përdorë raketat amerikane me rreze të gjatë `Tomahawk` për të goditur objektiva brenda Rusisë.
Në një intervistë në POLITICO, Orpo paralajmëroi se Rusia përfaqëson një “kërcënim të përhershëm” për sigurinë evropiane dhe kërkoi nga presidenti amerikan të japë Ukrainës armët që i duhen për t’u mbrojtur dhe për ta sjellë Vladimir Putinin në tryezën e negociatave.
Komentet e Orpos erdhën ndërsa Trump njoftoi sanksione të gjera ndaj kompanive shtetërore ruse të naftës, në veprimin më të rëndësishëm që ka ndërmarrë si president për të ushtruar presion ndaj Putinit mbi luftën në Ukrainë.
“Putin beson vetëm te fuqia”, tha Orpo teksa mbërrinte në Bruksel për një samit të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, në një moment kyç të luftës më shumë se trevjeçare të Ukrainës kundër pushtuesve rusë. “Nëse duam të ndalojmë luftën, duhet të jemi në të njëjtin nivel ose edhe më të fortë se Rusia,” shtoi ai.
Pas përpjekjeve të dështuara për të bindur Putin që të takohej me Trump për bisedime për armëpushim në Hungari, duket se SHBA po humbet durimin me Kremlinin. Të mërkurën, Thesari Amerikan njoftoi sanksione ndaj kompanive më të mëdha ruse të naftës, Rosneft dhe Lukoil, duke cituar “mungesën e përkushtimit serioz ndaj procesit të paqes” nga ana e Rusisë.
“Sot është një ditë shumë e madhe në lidhje me atë që po bëjmë. Këto janë sanksione të jashtëzakonshme,” tha Trump për gazetarët të mërkurën. “Shpresojmë që të mos zgjasin shumë. Shpresojmë që lufta të përfundojë.”
Trump shfaqi frustrim për vonesat e Putinit në negociatat për të ndaluar pushtimin. “Çdo herë që flas me Vladimirin, kam biseda të mira, dhe pastaj nuk çojnë askund. Thjesht nuk çojnë askund”, tha ai.
Por Trump shtoi se nuk dëshiron të lejojë Ukrainën të përdorë ’tomahawk-at’ amerikane. Duhet “një vit stërvitje intensive” për të mësuar të përdorësh raketat “shumë komplekse”, tha ai, dhe kjo është shumë gjatë për të pritur.
Finlanda është një nga vendet më me ndikim të BE-së tek Trump, pasi presidenti i saj, Alexander Stubb, ka krijuar lidhje me liderin amerikan në fushën e golfit. Finlandezët janë “në mbrojtje të fortë” në Evropë për sigurinë, duke pasur një kufi 1.300 kilometra me Rusinë.
Orpo argumenton se Evropa duhet të ketë një fjalë. “Nuk mendoj se liria totale është mënyra më e mirë”, tha ai. “Ne japim kredi dhe kështu duhet të jemi në bashkëpunim të mirë me ta … duhet të dimë që do të përdorin këtë shumë të madhe parash në mënyrë të përgjegjshme”.
Kjo do të thotë, kur është e mundur, të blejnë nga Evropa. “Shpresoj që ata të mund të blejnë më shumë armë nga Evropa. Por e dimë që nuk i kemi të gjitha ato kapacitete dhe armë në Evropë që u nevojiten. Pra është realitet që ata gjithashtu duhet të lejohen të blejnë nga SHBA, nëse është e nevojshme”, tha Orpo.
Ai shtoi se kjo nuk është vetëm një çështje tomahawk-esh’. ”Nëse mund të gjejmë një zgjidhje se si mund të financojmë Ukrainën fuqishëm dhe të gjejmë një zgjidhje afatgjatë duke përdorur asetet e ngrira, kjo do të jetë një mesazh shumë i fortë për Putin që ai të kuptojë se nuk mund të fitojë këtë luftë. Kjo mund të ndryshojë lojën”, tha, mes tjerash, kryeministri Orpo.
