Faktet historike flasin se strategjia (divide et impera) “përçaj dhe sundo” për secilin regjim dinak ka qenë strategji e qëllur, e suksesshme, pa çka që ka shkaktuar tragjedira të tmerrshme. Ndër të parët që e përdori këtë strategji ishte Fillipi II, sepse pushteti më së lehti ruhet përmes përçarjes
Nga Mahir Rexhepi
Nëse kthehemi para katër viteve dhe rishohim e rilexojmë deklaratat e Shaqir Fetait kur u instalua në krye të BFI-së në mënyrë dinake nga qarqet antiislame e antikombëtare, sakaq do të shohim se ai shumë premtoi për reforma, për rikthim të autoritetit të BFI-së dhe për unitet, për avancim të jetës fetare dhe për transparencë.
Sot, katër vite më vonë, kemi një situatë të mjerushme, të turpshme, antiislame, me plotë intriga e intrigantë, me plotë mashtrime e me amatorizëm, të përçarë dhe buzë deorganizimit total të jetës fetare islame. Kurrë nuk ka qenë kaq shumë e përçarë BFI-ja, kurrë institucionet dhe organet e saj nuk kanë qenë kaq të gatshme për shkarje nga organizimi i centralizuar; sot nuk kemi Medresenë tradicionale, sot në Fakultetin e Shkencave Islame nuk kemi solidaritet e bashkëpunim akademik por angazhim në mbajtjen e zhagut të pistë të Shaqir Fetait; si asnjë herë më parë kemi myftini që e sabotojnë dhe që e shantazhojnë Shaqir Fetain.
Nga erdhi e gjithë kjo e keqe? Nga jashtë? Faktorët e jashtëm vetëmsa e ndihmuan strategjinë masonerike të Shaqir Fetait! Ai, ndonëse thellësisht në shpirt e di që nuk është i aftë për këtë detyrë që e ka uzurpuar, megjithatë shprehu lakminë djallëzore dhe të huajt e ndihmuan! Ata që do të mund t’i bënin problem, i shpërbleu me heshtje, pasi “të huajt” i thanë që të heshtë dhe mos të bëzajë me rastin e regjistrimit të “bashkësive islame” e të religjioneve të tjera “islame” në gjykatat e vendit. Këtë heshtje, pastaj ia shpërblyen edhe me lejimin, madje me frymëzim dhe përkrahje institucionale shtetërore, që t’i shpenzojë të gjitha letrat me vlerë (me miliona euro) të cilat ishin nga vakëfi e të dedikuara për ta sjellë në vend vakëfin e nacionalizuar!
Natyrisht, e gjithë kjo lojë e pistë të cilës i doli për zot Shaqir Fetai, do ta iritojë një masë të madhe të strukturave të BFI-së. Do të ndërgjegjësohen të gjithë ata që e instaluan dhe që e ndihmuan të vie në krye të BFI-së dhe, në shenjë pendese u organizuan që ta shporrin nga pozicioni i uzurpuar. Shaqir Fetai, i ndihmuar nga qarqet intelegjente instaluese, i largoi nga puna dhe triumfalisht i përforëcoi pozitat duke sjellë marioneta në krye të organeve të cilat ia përbëjnë organin kolektiv me të cilën bashkëmbahen nëpër pozita për të cilat nuk janë të denjë as në ëndërr.
Janë këto hapa dhe “reforma” të Shaqir Fetait tërësisht antiislame e antikombëtare. Antiislame sepse feja nuk mbahet dhe nuk shtyhet me analfabetë funksionalë dhe, antikombëtarë, sepse që të gjithë pranojnë që të jenë bashkëpunëtorë të bashkëpunëtorit të UDB-së të verifikuar edhe me tapi!
Sot Shaqir Fetai e ndjenë fuqishëm largimin e tij, po ndjenë se dikush do t’ia marrë “rijasetin” dhe do ta ngrisë kundër tij, ashtu siç ia mori dhe e ngriti ai kundër H. Sulejman ef. Rexhepit. Në teorinë politike të revolucioneve thuhet: “ai që vjen në pushtet me pushkë, me pushkë edhe do të ikë”, që do me thënë se, siç vjen ashtu edhe ikë!
Shaqir Fetai po tregohet njohës shumë i mirë dhe ekspert në zbatimin e motos “përçaj dhe sundo”! Elementin kryesor që e përfshinë brenda vetes kjo teknikë e sundimit është: krijimi ose inkurajimi i ndarjeve midis subjekteve për të parandaluar aleancat që mund ta sfidonin regjimin!
Pra, Shaqir Fetai, aktualisht, të vetmën “strategji” që po e ndjek është ajo “përçaj e sundo”! Ka nisur të njihet si mjeshtër për të krijuar organe paralele, gatise në çdo myftini! Ai këtë e di dhe, realitetin mundohet ta fshehë duke publikuar fotografi me të gjithë anëtarët e “rijasetit” të vet të realizuar para shkallëve të BFI-së! Me këtë, në fakt intrigani përçon mesazhin se, të gjithë këta në foto para shkallëve, nuk janë të denjë as për t’i kaluar shkallët e BFI dhe jo më që të jenë pjesë e organit kolektiv të BFI-së! Secilit myfti po ia krijon nga një organ paralel, po i përçanë anëtarët e myftinive, po i përçanë hoxhallarët, profesorët! Në mbledhjen e fundit në FSHI u pa se profesorët nuk ishin më ata si më parë, bashkëpunues e unikë! Në mbledhjen e fundit desh u copëtun në mes vete! Brenda FSHI-së është i fuqishëm klani i ish-dekanit, prof. Shaban Sulejmanit, të cilët sfidohen nga klani i prof. Muaz Agushit, ndërsa tani, pas disa takimeve të ulëta e intriguese, ka nisur të etablohet edhe klani i Shaqir Fetait!
Shaqir Fetai nuk është strateg i zgjidhjeve të problemeve, ai shkakton probleme, ai përçanë, sepse vetëm kështu e eliminon konkurrencën unike kundër tij. Shaqir Fetai në vend se ta zgjidhë problemin e Myftinisë së Tetovës, ai takon imamë nga Tetova me qëllim që të krijojë alternativë, gjegjësisht, t’i përçajë, madje mundësisht të vinë deri te turpërimi që do të kulmonte me rrahje e, mos dhashtë Zoti, me ndonjë plagosje e vrasje. Këtë përfundim e kërkon Shaqir Fetai dhe, nuk do t’i ndahet kësaj, sepse vetëm kështu mund ta “ndërgjegjësojë” pushtetin i cili pastaj do të involvohet për t’i ulur gjaqrat dhe për t’ia zgjatur “reisllëkun” instalacionit të tyre, Shaqir Fetait!
Më turp se ç’i ka rënë BFI-së këtë kohë nuk ka se ku të shkojë! Në krye të BFI-së i instaluari dhe intriganit më i pështirë që është i gatshëm ta kryejë misionin e vet, qoftë kjo të jetë fund e krye zi e terr për BFI-në?! Ai këtë e kërkon – pas meje u shkatërroftë gjithçka! Ai nuk pranon (mbase edhe nuk guxon!) që të ulet me faktorët relevantë, me ata që kanë autoritet, që dinë dhe kanë përvojë që të zgjidhen të gjitha problemet e BFI-së; ai nuk pranon (mbase edhe nuk guxon) që të ngrisë komisione autoritative e të nderit, që të arrihet deri te uniteti islam (dhe për ta flakur taktikën “përçaj e sundo”); ai nuk guxon (sepse kështu e kanë urdhëruar) që ta tejkalojë veten si intrigant dhe të zbresë me këmbë në tokë e të ndërmendet duke pranuar faktin se BFI-ja nuk bëhet me analfabetë funksionalë, BFI-ja bëhet me ata që kurrë nuk kanë vjedhur institucionin, që e kanë udhëhequr me dinjitet dhe që kanë dhënë mjaft fakte që dinë ta drejtojnë dhe ta forcojnë Institucionin e vetëm fetar tashmë të parcializuar, të fragmenarizuar e të sektarizuar deri në besdi. Shumë keq!