Në Qendrën Komunale të Numërimit të Mitrovicës së Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se deri në orën 09:00 të ditës së sotme, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga 105 sa i takojnë kësaj komune.
Elezi ka bërë të ditur se ky proces, planifikohet të përfundojë gjatë ditës së sotme.
Ky proces në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë rifilloi dje me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi e njëjta fillimisht kishte urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të këtij procesi si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime.
Rifillimi i numërimit me urdhër të Prokurorisë nisi pasi kompania CETIS që shtypi fletëvotimet shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim.
Ndryshe nga Mitrovica e Jugut ku procesi i verifikimit të votave po vazhdon, të martën është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 17 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.
Gjithashtu Elezi ka treguar se përveç aktiviteteve në Qendra Komunale të Numërimit, aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka filluar një ditë më parë.
Tregoi se deri në orën 09:00 ditë së sotme janë rinumëruar 10 vendvotime.
