Kur Shaqir Fetai “thërret” diasporën, nuk është për të dëgjuar, por për të treguar. Takimet që duhej të ishin ura bashkëpunimi, shndërrohen në skena teatri me role të shpërndara paraprakisht, imamit nga diaspora i takon vetëm duartrokitja dhe një “mirënjohje” nga përfaqësuesi legal dhe legjitim i UDB-së në BFI të RMV-së.
Nga Mahir Rexhepi
Në një përpjekje që do ta quanim groteske po të mos ishte tragjike për komunitetin mysliman në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetai organizoi një “drekë vëllazërore” për disa hoxhallarë nga diaspora shqiptare, një skenar i radhës në teatrin absurd të mbijetesës politike dhe morale të një njeriu që prej kohësh e ka humbur kredibilitetin, por që vazhdon ta ushqejë iluzionin se ende përfaqëson ndonjë autoritet.
Nën pretekstin e bashkimit dhe “mirënjohjes” për kontributin e imamëve në Perëndim, Fetai tentoi të kamuflojë një plagë të thellë: përçarjen e pakthyeshme të Bashkësisë Fetare Islame (BFI), humbjen e kontrollit mbi strukturat kyçe të saj dhe, mbi të gjitha, damkën e bashkëpunimit të tij me UDB-në jugosllave. Ky është një fakt që nuk mund të lahet me asnjë pjatë orizi në restorantin e Medresesë, sado të qeshura të shtira të shpërndahen përmes fotografive të servirura në media.
Shaqir Fetai, i njohur në dosjet e UDB-së me pseudonimin ORAO, ka raportuar për natë e ditë mbi një prej figurave më të ndritura të mendimit islam shqiptar, Prof. Nexhat Ibrahimi – një dijetar të cilin, ironikisht, shumica absolute e imamëve të ftuar në këtë drekë e nderojnë si shembull të dijes, etikës dhe dinjitetit islam, e respektojnë miliona herë më shumë se Fetain. Çfarë mund të thotë kjo tjetër, përveçse një përpjekje e dëshpëruar për të ble përkrahje morale aty ku ajo nuk jepet me ftesa, por fitohet me integritet?
Në realitet, ajo që u paraqit si një “mbledhje” simbolike e përfaqësuesve fetar të diasporës, ishte një përzgjedhje e kujdesshme e atyre që ishin të gatshëm të ulen në tryezën e njeriut që tashmë përbën një pengesë serioze për çdo përpjekje për bashkim, qartësi dhe ndershmëri në jetën fetare të shqiptarëve myslimanë në këtë vend. Më shumë hoxhallarë e refuzuan se sa e pranuan ftesën. Ata që nuk ishin aty, jo nga pakujdesia, por nga vetëdija e qartë morale, flasin më shumë për qëndrimin e diasporës sesa çdo komunikatë patetike e BFI-së.
Në vend që të bëjë një përpjekje reale për reformim, për pastrim institucional dhe për përballje me të kaluarën, Fetai zgjedh të përdorë teknika të vjetra propagandistike: foto me hoxhallarë (të cilët me përbuzje cinike i thërret “hoxhollarë”!), dreka “modeste”, dhe mesazhe të përbashkëta që nuk përfaqësojnë askënd tjetër përveç vetë atij dhe një grushti njerëzish që mbajnë poste, por jo autoritet.
Ndërkohë, myftinitë në vend janë të shpërbëra; shumë prej tyre nuk i përgjigjen fare thirrjeve të tij, për faktin e thjeshtë se nuk e njohin më si udhëheqës legjitim. Shaqir Fetai ka lejuar, me heshtje apo nxitje, regjistrimin e dhjetëra bashkësive dhe grupeve fetare të reja, të cilat jo vetëm që e kanë braktisur BFI-në, por tashmë kanë edhe infrastrukturën e tyre fetare: xhami, imamë dhe komunitet të cilët as që marrin më të voglin mund për ta shprehur respektin minimal për Shaqir Fetain.
Kjo është “pasuria” që ka ndërtuar Shaqir Fetai: përçarje, fragmentim, mungesë autoriteti, mungesë besimi dhe një komunitet të lodhur nga hipokrizia.
E ndërkohë që për politikanët e korruptuar, jofetarë e jomyslimanë, Shaqir Fetai servir iftare luksoze në restorante ku shujta kushton 50 euro, para të mbledhura edhe nga gjaku e djersa e diasporës, për imamët e përkushtuar që punojnë në vijën e parë të edukimit fetar në Perëndim, organizohet një “drekë modeste” në restorantin e Medresesë, me buzëqeshje plastike dhe një ton “falënderues” të ngritur mbi një cinizëm të ftohtë dhe hesapxhi. Ky i falënderon për organizimin e tyre në diasporë! Ky kur e shpreh këtë falënderim të budallakaftë në mendje ka dy gjëra: ose mendon se këta imamlerë të diasporës janë “evladë” të tij, ose vetë ky është kryetar i Perëndimit në emër të të cilit ky duhet t’i falënderojë imamlerët që po shërbejnë me devotshmëri. Pra, devotyshmëria e tyre është nën vëzhgimin e syrit spiunesk të Shaqir Fetait!
Kjo nuk është as falënderim, as respekt. Është një manovër primitive për të përfituar imazhin e një mbështetje që nuk ekziston. Një përpjekje për të prodhuar legjitimitet nga hiçi. Sepse kur një njeri nuk ka më përkrahje reale, i duhet të improvizojë turmën, qoftë edhe me njerëz që janë aty vetëm nga mirësjellja, por jo nga bindja.
Pra, le ta themi hapur: kjo drekë nuk ishte festë. Ishte zjarrfikje e dështimit, një lutje për shpëtim nga izolimi, dhe një përpjekje për të ringjallur një trup institucional që ka pushuar së ekzistuari në ndërgjegjen e myslimanëve shqiptarë.
E për të qenë ironia edhe më e hidhur: për të ruajtur pozitën e tij, Fetai i ka mbijetuar tri herë puçeve nga bashkëpunëtorët e tij të devotshëm, falë ndërhyrjeve të policisë së kapur nga BDI-ja. Kjo nuk është vetëm një tradhti ndaj Islamit si fe, por edhe një përdhosje e identitetit kombëtar që pretendon ta përfaqësojë.
Në fund, një e vërtetë del e qartë: Shaqir Fetai nuk drejton më një bashkësi fetare, ai menaxhon një firmë politike të stërvjetëruar në manipulim. Dhe si çdo firmë që jeton mbi mashtrim, edhe kjo është në rrugën e falimentimit.