Arrestohet Drejtori i Higjienës Komunale të Shkupit, Sabahedin Rustemi, së bashku me një person tjetër udhëheqës në po të njëjtën ndërmarrje. Sipas urdhrit të Prokurorisë, ky arrestim ka të beje në lidhje me dyshimet për veprat penale, të nenit 230 të Kodit Penal. I cili nen i referohet rrezikimit të mjedisit dhe natyrës me materiale mbeturinash.
“Zyrtar të policisë, pas urdhrit të Prokurorisë Publike të Shkupit sot privuan nga liria dy persona nga udhëheqësia e Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale, Shkup, në lidhje me dyshimet të veprës penale të nenit 230 të kodit penal”, tha Goce Andreevski – Zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Drejtori i arrestuar Sabahudin Rustemi, u emërua drejtor i Higjienës Komunale, në janar të vitit 2025 dhe ishte i katërti me radhë i emëruar nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska. Më herët, Rustemi kishte ushtruar detyrën e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe më pas nga viti 2023 -2024 ishte emëruar ndihmës drejtor i Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim”.
Në një postim në rrjetet sociale, në lidhje me arrestimin e Rustemit, ka reaguar e para e Shkupit, Danella Arsovska, e cila akuzon kryeministrin Hristijan Mickvski se po mbjellë frikë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
“Regjimi i Mickoskit dhe MVRO-ja, për të përhapur frikë para raundit të dytë të zgjedhjeve, e kanë arrestuar drejtorin e “Higjienës Komunale” për kaosin me mbeturinat, kaos që në fakt po krijohet nga kuadrot kriminale të vetë Mickoskit”, tha Danella Arsovska -Kryetare e Qytetit të Shkupit.
Arrestimi i drejtorit të Higjienës Komunale, Rustemi dhe një udhëheqësi tjetër të kësaj ndërmarrje vjen pas kaosit të krijuar me mbeturinat në kryeqytet. Disa ditë më parë, Qeveria obligoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me inspektoratet përkatëse, që të fillojnë një aksion inspektues në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” të Shkupit, për shkak të problemit me mbeturinat./Alsat.mk
