Për herë të 39-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati as kësaj here nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Nga deputetët 95 që ishin në sallë, 53 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati.
Ndryshe nga herë të tjera në foltore kur iu kërkua partive politike t’i propozonin emrat e anëtarëve pë komision, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku mori fjalën derisa kërkoi nga kryesuesi t’i kthehet rendit të ditës, duke thënë se Dehari po abuzon e po e shkelë Kushtetutën.
“Ju lutem sigurimi, ndërpriteni” , dëgjohej kryesuesi Dehari, “Ju lutem le të ndërpritet, sigurimi le ta ndërpresë, regjia le ta ndërpresë” , tha kryesuesi, teksa shihet të debatonte edhe me deputeten më të re të ulur afër tij, Sala Jashari qe vjen nga PDK-ja.
Pas Çitakut, fjalën e mori Hykmete Bajrami nga LDK-ja, por edhe asaj iu ndërpre fjalimi.
“I nderuar zotri Dehari, kthejuni rendit të ditës”, dhe pas thirrjes së kryesuesit, regjia i ndërpret fjalën asaj në foltore.
Ndërsa, Time Kadrijaj e AAK-së e i quajti shkelës të Kushtetutës.
Seanca tjetër mbahet pas 48 orësh, më 1 korrik në ora 11:00.