Censura si doktrinë, servilizmi si politikë

Kur fjala censurohet për t’i bërë qejfin ambasadave, feja pushon së qeni autoritet moral dhe shndërrohet në instrument politik. Kur redaktorët shkarkohen për shkrime kritike, ndërsa lavdet shkruhen me porosi, liria e mendimit zëvendësohet me servilizëm. Dhe kur një institucion fetar i frikësohet së vërtetës, ai nuk e mbron besimin, por e përdor atë

Nga Agim Zejnullahu

Shaqir Fetai, i vetëshpalluri “kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut”, madje i vetëshpallur edhe predikues i “fjalës së lirë” dhe mbrojtës i “mendimit të pavarur”, i ka dhënë këto ditë një goditje përfundimtare çdo iluzioni se BFI-ja, nën drejtimin e tij, funksionon si institucion autonom fetar. Ajo që ndodhi me revistën “Hëna e Re” nuk është keqkuptim, as konflikt redaksional, por akt i pastër censure.
Faktet janë kokëforta.
Fidush Ibrahimi, kryeredaktor i deridjeshëm i “Hënës së Re”, u shkarkua nga detyra jo për shkelje profesionale, por sepse shkroi dhe botoi një shkrim kritik mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, me theks të veçantë mbi Palestinën dhe agresionin izraelit. Një shkrim i ashpër, po; kritik, sigurisht; por krejtësisht legjitim në një botim që pretendon të merret me çështje fetare, etike dhe globale.
Problemi nuk ishte përmbajtja, sepse atë e lejoi të botohet vetë Shaqir Fetai. Problemi ishte reagimi i Ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë, e cila mbulon edhe Maqedoninë e Veriut.
Dhe këtu nis rrëshqitja e hapur në nënshtrim.
Pas pakënaqësisë së shprehur nga pala saudite, Shaqir Fetai ndërmori tri veprime që flasin më qartë se çdo deklaratë publike:
Konfiskoi numrin e “Hënës së Re” që përmbante shkrimin problematik.
Shkarkoi kryeredaktorin Fidush Ibrahimi, duke e bërë atë kurban të një pazari diplomatik.
Ribotoi të njëjtin numër, por të pastruar nga shkrimi kritik dhe të pajisur me një tekst të ri, këtë herë lavdërues, glorifikues dhe politikisht korrekt.
Ky nuk është redaktim. Kjo është spastrimi ideologjik i një botimi fetar.
Shkrimi i ri, i futur me porosi të drejtpërdrejtë nga Shaqir Fetai, është një himn i paturpshëm për Mbretërinë e Arabisë Saudite: roli i saj “vendimtar” në gjeopolitikën botërore, kontributi i saj “i jashtëzakonshëm” në Palestinë, dhe, kulmi i absurdit, simpatia e veçantë që kjo Mbretëri paskësh për vetë Shaqir Fetain, madje edhe avancimet që i paskësh dhënë atij. Për këtë lloj shkrimi paskësh pasur nevojë Mbretëria?! Një shtet me peshë globale, thuhet aty, bashkëpunon ngushtë me një “institucion” periferik në një cep të Ballkanit, sepse paska gjetur te Shaqir Fetai figurën kyçe për “ruajtjen e ideologjive islame” në rajon.
Ky shkrim nuk ishte analizë. Ishte një letër rekomandimi e shkruar nga vetë kandidati për veten e vet.
Por hipokrizia nuk mbaron këtu.
Edhe ky numër i ribotuar, i pastruar, i servilosur dhe i zbukuruar me lavde, u konfiskua përsëri nga Shaqir Fetai. Nuk u lejua të qarkullojë. Nuk gjendet në kioska. Nuk shpërndahet në xhami. Nuk u jepet besimtarëve. Ekziston vetëm si objekt i brendshëm, si dokument për t’u treguar atyre që duhen bindur se “mesazhi i duhur” është shkruar.
Pra, një revistë që nuk botohet për publikun, por për ambasadat. Një tekst që nuk synon lexuesin, por miratimin diplomatik. Një institucion fetar që nuk flet më në emër të besimit, por në emër të frikës për të humbur privilegjet.
Në këtë pikë, nuk ka më kuptim të flitet për “liri fjale” brenda BFI-së. Ajo është shuar me firmë. Nuk ka kuptim të flitet për “autonomi fetare”. Ajo është dorëzuar. Nuk ka kuptim të flitet për autoritet moral, kur institucioni shndërrohet në zyrë protokolli për interesa të huaja.
Shaqir Fetai mund të vazhdojë të mbajë titullin “hoxhë”, por veprimet e tij flasin ndryshe. Me censurë nuk mbrohet feja. Me servilizëm nuk fitohet dinjiteti. Me intriga nuk ndërtohet autoriteti moral.
Dhe historia i njeh mirë këto figura: ata që, në emër të “stabilitetit”, sakrifikojnë fjalën; në emër të “raporteve të mira”, shkelin mendimin e lirë; dhe në emër të fesë, e përdorin atë si mjet për karrierë personale.
Problemet nuk zgjidhen duke konfiskuar revista. As duke shkarkuar redaktorë. As duke shkruar lavde me porosi. Ato vetëm shtyhen, derisa të dalin në dritë, jo si shkrime, por si aktakuzë morale ndaj atyre që e shndërruan fenë në instrument dhe fjalën në mall.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *