Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha të premten se i ka regjistruar të paktën 798 vrasje gjatë gjashtë javëve të fundit në pikat e shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës.
Ajo tha se vrasjet kanë ndodhur në pikat që menaxhohen nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, si dhe pranë autokolonave të drejtuara nga organizata të tjera ndihmash.
GHF-ja përdor kompani private amerikane të sigurisë dhe logjistikës për të sjellë furnizime në Gazë, duke anashkaluar sistemin e udhëhequr nga OKB-ja.
Pas vrasjes së qindra civilëve palestinezë që përpiqeshin të arrinin te pikat e ndihmës së GHF-së në zona ku operojnë forcat izraelite, Kombet e Bashkuara e cilësuan këtë model ndihme “thellësisht të pasigurt” dhe në kundërshtim me standardet e paanshmërisë humanitare.
“(Nga 27 maji) deri më 7 korrik, kemi regjistruar 798 vrasje, përfshirë 615 pranë pikave të Fondacionit Humanitar të Gazës dhe 183, me shumë gjasë, përgjatë rrugëve të autokolonave të ndihmës”, tha zëdhënësja e zyrës së OKB-së (OHCHR), Ravina Shamdasani, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.