BDI shpreh shqetësim për përfaqësimin në Operën dhe Baletin Nacional

Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se shpreh indinjatë të thellë dhe shqetësim serioz për përbërjen diskriminuese në Operën dhe Baletin Nacional, ku nga 47 të punësuar, 46 janë maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar.

Në një komunikatë për medie BDI  theksoi se ky është një tjetër ilustrim i qartë se përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është rastësor, është sistematik dhe i qëllimshëm.

“Institucione që duhet të jenë vatra të përfaqësimit të barabartë dhe bashkëjetesës kulturore, siç është Opera dhe Baleti Nacional, kanë kthyer përfaqësimin e shqiptarëve në zero simbolike, duke e reduktuar një komunitet prej 30% të popullsisë në statusin e të padëshiruarit”, thuhet në komunikatë.

Sipas BDI-së, kjo shifër skandaloze, 46 maqedonë, vetëm 1 shqiptar, nuk është vetëm statistikë. Është politikë diskriminuese, që po i mbyll dyert shqiptarëve në kulturë, në art, në administratë dhe në çdo hapësirë shtetërore.

“Vetëm një ditë më parë, në Ministrinë e Mbrojtjes, u zbulua se nga 74 të punësuarit e rinj në Ushtri, vetëm 1 ishte shqiptar, nipi i Zeqirija Ibrahimit, kryetar i partisë Alternativa, ndërsa dhjetëra kandidatë shqiptarë të kualifikuar ishin eliminuar në mënyrë të dyshimtë”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

“A është ky modeli i përfaqësimit që ofron Qeveria e sotme? A është ky rezultati i premtimeve për barazi dhe integrim?”.

Tutje, në komunikatë, BDI paralajmëron se nuk do të lejojë që shqiptarët të kthehen në dekor në institucione, ndërsa vendimmarrja, rolet dhe punësimet u rezervohen vetëm të tjerëve. BDI do të ngrejë zërin dhe do të ndërmarrë hapa institucionalë dhe politikë për ta ndalur këtë padrejtësi të organizuar ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *