“Banane-republika” e Shaqir Fetait

Kur pushteti zbret në mbledhje lokale për t’u imponuar, ai dëshmon se ka humbur besimin, vizionin dhe autoritetin moral që nuk imponohen, por fitohet

Nga Mahir Rexhepi

Pjesëmarrja e Reisul Ulemas së BFI-së në konstituimin e myftinive në: Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë e gjetkë, nuk është akt normal institucional, por shenjë e qartë e një devijimi autoritar në udhëheqje. Tituj të këtillë nëpër “lajme” të publikuar me krenari nga vetë Shaqir Fetai, nuk dëshmojnë angazhim, por ankth pushteti; nuk flasin për reformë, por për frikë nga humbja e kontrollit. Prej kur Reisul Ulema zbret në aktivitetet rutinë të myftinive, të cilat sipas çdo logjike institucionale janë kompetencë ekskluzive e myftiut dhe organeve lokale? Kjo “zbritje” nuk është shërbim, por imponim, demonstrim i autoritetit fallco.
Në hierarkinë fetare dhe administrative të BFI-së, roli i Reisul Ulemas është strategjik, përfaqësues dhe mbikëqyrës në kuptimin normativ, jo polici protokollare në çdo mbledhje lokale. Konstituimi i mexhliseve të xhamive, i këshillave të myftinive dhe i organeve të tyre është proces i brendshëm lokal, ku prania e Reisit duhet të jetë përjashtim i rrallë, ceremonial ose simbolik, e jo rregull. Kur ai shfaqet kudo, ai nuk e forcon institucionin, por e shkel autonominë e tij të brendshme dhe e shndërron BFI-në në një strukturë të centralizuar sipas logjikës së frikës dhe mosbesimit.
Çfarë synon të tregojë kjo sjellje autoritare? Se pa praninë e tij asgjë nuk është legjitime? Se pa “bekimin” e tij nuk mund të konstituohet asnjë organ? Apo se çdo myfti, çdo imam, çdo strukturë lokale është e dyshimtë dhe duhet mbikëqyrur personalisht? Kjo nuk është udhëheqje, kjo është sindromë diktatori: kontroll i tepruar, dyshim patologjik ndaj bashkëpunëtorëve dhe nevojë obsesive për t’u dukur si qendra absolute e çdo procesi. Një lider që nuk u beson strukturave të veta, dëshmon se ka dështuar t’i ndërtojë ato ose se ka frikë prej tyre.
Ironia është e dhimbshme: nëse sipas kësaj logjike asgjë nuk mund të ndodhë në BFI pa dijeninë, lejen apo praninë e Shaqir Fetait, atëherë logjikisht edhe vjedhjet enorme, keqpërdorimet financiare dhe zhvatjet e turpshme që përfliten nëpër myftini dhe në rijaset nuk mund të ndodhin pa përgjegjësinë e tij. Nuk mund të pretendosh kontroll absolut vetëm kur të leverdis dhe të shpallësh pafajësi kur dalin skandalet. Centralizimi i pushtetit sjell edhe centralizim të përgjegjësisë.
A mund të dëshmohet ndonjë reformë duke u imponuar në mbledhje lokale, duke zënë vendin që nuk të takon dhe duke e zbehur autoritetin e myftiut përpara vartësve të tij? Reformat nuk ndërtohen me prani fizike, por me rregulla të qarta, institucione funksionale dhe njerëz që ndihen të lirë të veprojnë brenda kompetencave të tyre. Autoritarizmi nuk prodhon reforma, por konformizëm, heshtje dhe hipokrizi.
Krahasimi me shtetin është i pashmangshëm dhe i turpshëm për këtë logjikë: komunat konstituohen rregullisht. Çfarë do të ndodhte sikur në çdo konstituim të një këshilli komunal të merrte pjesë presidenti, kryeministri apo kryetari i parlamentit? Do të qeshnim me një shtet të tillë dhe do ta quanin banane-republikë. Pikërisht këtë pamje po e krijon Shaqir Fetai për BFI-në: një institucion ku gjithçka rrotullohet rreth një njeriu dhe asgjë nuk funksionon pa hijen e tij mbi tavolinë.
Në fund, kjo sjellje nuk i shërben as fesë, as institucionit, as besimtarëve. Ajo i shërben vetëm egos së një njeriu që, në vend se të ndërtojë autoritet moral, kërkon të imponojë autoritet formal. Por historia, edhe ajo fetare, na mëson një të vërtetë të thjeshtë: liderët që kanë nevojë të duken kudo, zakonisht nuk kanë lënë asgjë të qëndrueshme askund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *