Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se është arrestuar Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e dyfishtë që ndodhi një ditë më parë në fshatin Golluboc të Komunës së Malishevës.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, i dyshuari është ndalur sot rreth orës 06:24 në fshatin Plloqicë, ku është gjetur me plagë nga arma e zjarrit. Ai është transportuar menjëherë në Qendrën Komunale të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku i është ofruar ndihma e parë mjekësore.
Në njoftim thuhet se arrestimi është bërë pas një periudhe arratie, ndërsa Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Brenda afateve të parashikuara me ligj, Prokuroria do të paraqesë në Gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Një ditë më parë, më 6 nëntor 2025, në fshatin Golluboc të Malishevës ishte raportuar një vrasje e dyfishtë, ku viktima mbetën dy vëllezër, Naim dhe Driton Morina. Sipas të dhënave të para të hetimit, ata u qëlluan me armë zjarri nga dhëndri i tyre, tashmë i arrestuari Astrit Isufi, i cili pas ngjarjes ishte larguar nga vendi i krimit.
Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte bërë të ditur se rasti po hetohej si “vrasje e rëndë”, ndërsa kryeprokurori Enis Gashi kishte konfirmuar se viktimat dhe i dyshuari kishin lidhje familjare, por motivi i ngjarjes ende nuk është përcaktuar.
