Historia nuk shkruhet me dosje të përzgjedhura, as me arkiva të pastruara sipas nevojës së pushtetit. Kujtesa kolektive nuk është pronë e kryetarëve të përkohshëm të institucioneve. Dhe ata që nuk ishin aty kur ndodhte tragjedia, nuk kanë të drejtë ta falsifikojnë sot dëshminë
Nga Mahir Rexhepi
Përpjekjet e Shaqir Fetait për ta fallcifikuar historinë përngjajnë në përpëlitjet e bishtit të këputur të zhapinit. Shaqir Fetai ka një problem serioz me të kaluarën. Jo sepse ajo është e ndërlikuar, por sepse është e pakapërcyeshme për të. Ajo i rri përballë si një vulë e pashlyeshme morale, që nuk fshihet me takime protokollare, me dosje të përgatitura me porosi dhe as me fotografi zyrtare për media. Prandaj çdo përpjekje e tij për t’u shfaqur sot si faktor institucional, si “dëshmitar historie” apo si partner arkivor, është jo vetëm e pavlefshme, por thellësisht fyese për kujtesën kolektive.
Takimi i fundit i Shaqir Fetait me përfaqësues të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë më vitin 1999 dhe dorëzimi i asaj që u quajt një “dosje” mbi kontributin e BFI-së gjatë krizës së refugjatëve nga Kosova nuk është akt transparence, por manovër e rreme legjitimimi. Një dosje që përmban disa letra qarkore dhe raporte financiare të myftinive për mbledhje ndihmash nuk është arkiv historik; është inventar administrativ, i cunguar dhe selektiv.
Dhe pikërisht këtu nis mashtrimi.
A u tregua në atë dosje e ashtuquajtur e vërteta e plotë? A u përmend fakti se aksionet për mbledhjen e ndihmave kishin një “klauzolë” të heshtur, sipas së cilës 20 për qind e mjeteve të mbledhura mbeteshin në myftini? A u deklarua publikisht se sa para përfituan myftinitë, veçanërisht Myftinia e Gostivarit, nga ky aksion, i cili në thelb ishte solidaritet kombëtar dhe jo skemë përfitimi? Apo edhe përmes kësaj “dosje” Shaqir Fetai mundohet ta “retushojë” historinë!
Këto pyetje nuk janë detaje. Janë thelbi i çështjes. Sepse Shaqir Fetai, në periudhën për të cilën sot përpiqet të flasë si autoritet, as që ka frekuentuar godinën e BFI-së reale. Ai nuk ka qenë në ndërtesë, nuk ka qenë në terren, nuk ka qenë në Bllacë. Nuk e di, dhe nuk mund ta dijë, kush ka pritur refugjatët, kush i ka sistemuar, kush i ka ushqyer, kush i ka transportuar, kush ka qëndruar net të tëra pranë tyre, kush ka dëgjuar rrëfimet e tmerrit dhe kush ka mbajtur peshën e një tragjedie njerëzore që nuk matet me raporte financiare.
A e përmendi Shaqir Fetai në atë takim Shoqatën Humanitare “El Hilal”, e cila në atë kohë drejtohej nga Prof. Abdurauf Pruthi dhe Behixhudin Shehapi? A ua dorëzoi përfaqësuesve të Institutit dhjetëra DVD-kaseta të incizuara nga gazetari i atëhershëm i BFI-së, Agim Mehmeti, ku ruhen dëshmi tronditëse të refugjatëve të Kosovës, rrëfime që sot kanë vlerë dokumentare dhe juridike? Apo këto kaseta nuk ekzistojnë më? Apo janë “zhdukur” bashkë me gjithë arkivin që nuk i shërben mitit personal të Shaqir Fetait, sipas të cilit BFI-ja fillon vetëm me ardhjen e tij në krye të saj?
A u përmend në atë takim kontributi i papërsëritshëm i ish-reisul ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepit. A u përmend Haxhi Hysnia, lotët e tij, angazhimi i tij i pandërprerë në pritjen dhe përcjelljen e refugjatëve? A u dorëzua ndonjë listë me emra të luftëtarëve të plagosur të UÇK-së që u dërguan për shërim jashtë vendit falë angazhimit të kësaj Organizate? Apo edhe këto janë “detaje të panevojshme” për një dosje që synon më shumë imazh sesa të vërtetën?
E vërteta është e thjeshtë dhe kokëfortë:
Dosja e vërtetë e asaj periudhe nuk gjendet te Shaqir Fetai.
Ajo gjendet te Organizata Humanitare “El Hilal”, e cila u detyrua të shkëputet nga BFI-ja pikërisht për shkak të përpjekjeve të njerëzve të sojit të Shaqir Fetait për ta përvetësuar kontributin kombëtar e historik të “El Hilalit”, manipuluar dhe vjedhur një kontribut të jashtëzakonshëm kombëtar e patriotik. Aty është memoria e gjallë, jo në letra të zgjedhura sipas interesit të Shaqir Fetait.
Prandaj, ky nuk është bashkëpunim institucional. Është falsifikim historie. Nuk është shkëmbim arkivash, por pastrim biografie. Nuk është dëshmi e së kaluarës, por përpjekje për ta rishkruar atë nga dikush që nuk e ka jetuar.
Historia nuk pranon dosje me porosi. Kujtesa nuk blihet me protokoll. Dhe e vërteta nuk dorëzohet në takim zyrtar nga ata që, në momentet vendimtare, nuk kanë qenë askund.
