Angazhim i vakët për Muajin e Ramazanit

Shaqir Fetai i mblodhi myhybtë e vet me të cilët paska vendosur që ta miratojë një “plan-program” për Muajin e Bekuar të Ramazanit, i cili konsiston në 12 pika! Askund nuk nënvizohen aktivitetet paraprake dhe parapërgatitjet e nevojshme për bërjen e një programi të denjë për këtë Muaj të Bekuar

Nga Mahir Rexhepi

Ndërmendet Shaqir Fetai dhe i kujtohet se po na afrohet Ramazani ndërsa duhet të dalë me një “program” sa për të thenë se “pa ne” ky muaj nuk vjen fare! E mbledh “rijasetin” e vet plot me “llutkica” e marioneta dhe, aty për aty, hartojnë disa pika qesharake, të cilat dëshmojnë për një sjellje nonshalante, për një injorim tërësisht të Muajit të Bekuar, për një dezorganizim total si dhe për një ekzistencë formal por dhe të kotë të Institucionit të BFI-së. Në këtë mbledhje komike qenka dhënë edhe betimi i “myftiut” të ri të Tetovës (pamjet nga kjo “ngjarje” edhe pasi i botuan, i fshinë!!!) Nga u.d. kalon në “myfti të plotëfuqishëm”! Një gjest që flet për mohim të organit të Myftinisë së Tetovës, një gjest që flet se “Gostivari vendos për Tetovën” (siç ka qenë historikisht dhe tradicionalisht), një gjest që flet se, Shaqir Fetai, është mbi gjithçka dhe, kush nuk e pranon këtë fakt do ta ketë fatin e Qani Nesimit! Askush nuk propozoi kandidatë për myfti të Tetovës, askush në Tetovë nuk u përcaktua për përfaqësues të vetin në Rijaset, por, si diktator do të imponohet Shaqir Fetai me zgjidhjet e veta prej avdalli! Këtë e bën për të pasur një person të cilin do ta flijojë një ditë për ta qetësuar Tetovën. Shaqir Fetait i duhet një person që do ta flijojë dhe, ky person do të jetë marioneta Selver Xhemaili. Një ditë, për t’u arritur kompromisi në mes të Rijasetit dhe Myftinisë së Tetovës, do të kërkohet “pika zero”, respektivisht, kthimi në Kushtetutë, që do të thotë, shkarkim i të ngarkuarit centralist, Selver Xhemaili, dhe, respektim të organit të Myftinisë, i cili do të ketë mundësinë që në Rijaseti t’i dërgojë dy-tri propozime për të zgjedhur njërin dhe për t’u dekretuar nga reisi! Pa kompromisin “Selver Xhemaili” nuk do të ketë zgjidhje, por, detyrim të Shaqir Fetait për dorëheqje për shkelje të Kushtetutës! Pra, “myftiu” që dha betimin në këtë mbledhje të “rijasetit” do të shërbejë si jorgan për t’i mbuluar pisllëqet e Shaqir Fetait.

Le të ndalemi pak edhe te pikat e “rijasetit”, në të cilën paskan marrur pjesë të gjithë myftitë (hajde rrenë hajde), me përjashtim të myftiut të Kumanovës dhe të Kërçovës! Kjo mbledhje, mbi të gjitha, dëshmon për çorientimin total të Shaqir Fetait, për amatorizmin e skajshëm të tij, për paaftësinë e tij absolute në drejtim dhe në menaxhim me jetën fetare islame. Ja, dymbëdhjetë pikat e “rijasetit” (si dymbëdhjetë apostujt e Krishtit!) që i paskan miratuar në këtë mbledhje si plan-program për Ramazanin 1446/2025, i përgatitur nga sektorët (cili sektor?!) i “rijasetit” të Shaqir Fetait:

1. Parapërgatitje për muajin e Bekuar të Ramazanit

2. Vizita e xhemateve nga ana e operativës

3. Vizita e xhemateve nga ana e nëpunësve fetarë – imamëve dhe vaizëve

4. Organizimi i tribunave

5. Organizimi i manifestimeve për nderë të ditëve të dalluara

6. Programi i aktiviteteve në mjetet e informimit

7. Aktivitete për gjininë femërore

8. Aktivitete fetare në bashkëpunim me diasporën

9. Angazhimi i nxënësve të Medresesë dhe studentëve të F.SH.I.

10. Leximi i Kur’anit Famëlartë (mukabeles)

11. Shtypja e fletëpagesave të Sadekatul – Fitrit

12. Qarkorja e cila ngërthen vendime të rëndësishme të dalura nga mbledhja dhe të njëjtat të realizohen gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.


Do me thënë, plan-programi parasheh parapërgatitje për Muajin e Bekuar të Ramazanit?! Edhe dy javë Ramazani dhe akoma nuk kanë filluar parapërgatitjet, të cilat, në realitet do të duhej të fillonin që në përfundim të Ramazanit të kaluar. Si mund të hartohet një program për Ramazanin ndërkohë që akoma nuk kanë nisur parapërgatitjet, nuk janë paraparë aktivitetet dhe veprimet fetare që duhet të përfshihen në atë program. Ose, si mund që parapërgatitjet të shërbejnë si “materie” e plan-programit tashmë të miratuar? A thua çfarë programi paskan miratuar marionetat e avdallit?!
Vizita e xhemateve nga ana e operativës, nga ana e nëpunësve fatar – imamëve dhe vaizëve?! Do me thënë që institucionalizohet një vizitë e tillë e cila duhet të kryhet një herë në vit, vetëm për Ramazan? Imamët dhe operativa në mesin e xhematit obligohet vetëm për Muajin e Ramazanit, edhe kjo duhet të bëhet sipas “programit” që do ta miratojnë marionetat e Shaqir Fetait!
Organizimi i tribiunave?! Do të duhet të organizohen tribuna por, se çfarë tribunash, çfarë temash duhet të trajtohen, ku dhe kush do t’i trajtojë, këtë do ta mësojmë një orë para se të nisin emisioni fetare televizive!
Kapitull më vete qenka edhe prezantimi i aktiviteteve në media! Kjo çështje duhet të jetë program i mediave dhe jo i “rijasetit” të Shaqir Fetait, sepse pastaj i bie që mediat janë të centralizuara të cilat gjenden në duart e Shaqir Fetait dhe që kontrollohen ekskluzivisht prej tij. Uh sa do ta donte këtë avdalli!
Aktivitete për gjininë femërore! Ndërsa në plan-programin për Muajin e Ramazanit të cilin e paskan miratuar marionetat e Shaqir Fetait nuk dihet fare se cilat do të jenë ato aktivitete, çfarë aktivitetesh do të zhvillohen, asnjë detal nga plani zhvillimor i këtyre aktiviteteve. Për pasojë nuk dihen nëse këto aktivitete do të jenë vërtetë të përqendruara në fuqizimin e gruas dhe theksimin e rëndësisë së saj në komunitet, apo janë thjesht aktivitete të formalizuara që i shtojnë peshë strukturës burokratike të “rijasetit” të Shaqir Fetait?
A guxon të jetë si “kapitull” i veçantë “Shtypja e fletëpagesave të Sadekatul – Fitrit”!!! Një fjali e tillë të përfshihet në një plan-program festiv?! Epo kjo nuk flet për asgjë tjetër përveçse për idiotizmin e skajshëm të moskokëçarësit të jetës fetare islame, Shaqir Fetait? Shtypja e këtyre fletëpagesave duhet të ketë rregullore të veçantë, duhet të ketë vendime e procese pune që do të dëshmojnë se u zgjodh shtypshkronja më e mirë dhe më e besuar për këtë aktivitet, të dihet me kohë se, a do të ketë blloqe të tjera fletëpagesash apo do të jenë një, që do të mbajnë firmën e të vetmës shtypshkronjë. Sepse, më parë ka pasur myftini që kanë shtypur vetë fletëpagesa dhe që i kanë shpërndarë ato që kanë qenë “pirate” ndërsa të Rijasetit i kanë kthyer mbrapsht si të parealizuara. Kështu është vjedhur masovikisht fitri dhe, me gjasë, kjo traditë do të vazhdojë edhe më fuqishëm me Shaqir Fetain.
Cili plan-program në botë përfshjinë paraprakisht edhe “qarkore” në të cilat do të ngërthente  vendime e urdhëresa që do të dalin e miratohen përgjatë Muajit të Ramazanit? Kjo flet për mosseriozitetin dhe amatorizmin e skajshëm të Shaqir Fetait, i cili mundohet të bëjë “punë të mëdha” sa për t’u eksituar me vetëlavdërimin “se sa i madh që është”! “I madh” mbase por, tërësisht i zbrazët, bosh dhe, si i tillë, jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe detronizues i jetës fetare islame institucionale. 
Meqë ra fjala, a mund të na thotë Shaqir Fetai se pse akoma BFI nuk ka dalur me “Imsakinë” e vet, ndërkohë që po shpërndahen gjithandej ato të shoqatave e të kompanive të ndryshme?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *