Kur pushteti mbetet pa vepra, fillon të prodhojë lajme
Nga Mr. Mahir Rexhepi
Në çdo epokë mediokriteti, lind një figurë që e përfaqëson më së miri zhbërjen morale të shoqërisë.
Në ditët tona, ajo figurë është njeriu që jeton me ftesa.
Ai që nuk punon për të krijuar, por për t’u dukur; ai që nuk drejton, por pozohet; ai që nuk ka ide, por e mbulon boshllëkun me ceremoni dhe lajme të sajuara. Dhe, kush tjetër mund të jetë ky, përveç instalacionit të shërbimeve sekrete në krye të BFI-së, Shaqir Fetait!
Ky njeri, i cili ndodhet në krye të një institucioni, e ka kthyer postin në tribunë vetëlavdërimi. Çdo ditë, ai zgjohet jo për të parë se çfarë mund të përmirësojë, por se ku mund të shfaqet. Nuk i intereson reforma, por kamera. Nuk e shqetëson realiteti, por imazhi. Dhe mbi gjithçka, ai është “mjeshtër” i vetëpropagandës boshe, që prodhon lajme për të fshehur mungesën e çdo vepre reale.
Për të, Shaqir Fetain, çdo vizitë formale, çdo përvjetor, çdo hatme e hifz, çdo fotografi me ndonjë ambasador a përfaqësues të huaj, është “ngjarje historike”. Po por, cili është kontributi i Shaqir Fetait, cila është merita e tij për këto “historira”?!
Nëse e fton dikush në ndonjë konferencë, ai e shpall si “fitore të diplomacisë fetare”.
Nëse dikush e përmend në ndonjë fjalim, ai e shpall si “vlerësim ndërkombëtar”.
Nëse ndonjë figurë publike ndahet nga jeta, ai është i pari që nxjerr komunikatë, që shpifë për të, që e bën shkrimtar pa qenë kurrë, që e bën një prej themeluesve të “Botës Sot”, ndërkohë që themelues kanë qenë Familja Mazdreku dhe në krye caktohet Teki Dervishi. Baleta ka qenë opinionist e bashkëpunëtor i jashtëm i rregullt. E bën “panelist” të një konference që na e paska organizuar Shaqua, ndërsa nuk e thotë se ka qenë opinionist i rregullt per disa vite në “Hena e Re”! Gjerat që i thotë për të ndjerin Abdi Baleta, i thotë jo për të nderuar, por për të përfituar. Dhe aty, në atë cinizëm të poshtër, shfaqet fytyra e vërtetë e njeriut që jeton me ftesa: një aparatçik që përdor çdo ngjarje, madje edhe vdekjet e të tjerëve, për të krijuar një iluzion pune. Një mënyrë e ulët për të fituar vëmendje nga vdekja e një tjetri, një shfrytëzim i ndyrë i kujtesës publike për imazh personal.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.
Ky njeri nuk ka as platformë ideologjike, as strategji zhvillimore, as vizion institucional. Ai udhëheq me intuitë instinktive, me logjikën e mbijetesës personale. Nuk ndërton, por shkatërron çdo gjë që mund ta rivalizojë. Nuk përkrah, por pengon. Nuk bashkon, por përçan. Sepse e di që vetëm mbi kaosin mund të qëndrojë edhe ca kohë në fronin e vet të rremë.
Për të, posti është burim rehatie, jo përgjegjësie. Ai nuk sheh veten si shërbëtor të komunitetit, por si pronar të institucionit.
Paratë e kontributeve fetare i konsideron si kapital privat për luksin e vet: udhëtime, gostira, makina e dijeta. Ndërkohë, realiteti poshtë tij është rrënojë: xhami që nuk i pranojnë autoritetin, imamë të zhgënjyer, plotë xhami private ku BFI nuk mund të ndikojë, besimtarë që ikin, dhe bashkësi alternative që po ngrihen kudo.
Në këtë mes, prijësi i vetëshpallur e ka gjetur zgjidhjen e tij: të krijojë iluzion suksesi.
Në vend të reformës reale, shpik lajme; në vend të punës, organizon ceremoni; në vend të vizionit, improvizon slogane. Dhe në fund, të gjitha këto i mbledh në ndonjë komunikatë triumfale, ku çdo fjalë është një rrenë e veshur me rroba protokolli.
Kështu, ai shndërrohet në një karikaturë prijësi, që nuk di të flasë për Zotin, por vetëm për veten.
Në vend që të frymëzojë njerëzit me moral e dije, ai i lodh me retorikë të thatë. Në vend që të kujdeset për institucionin, ai kujdeset për emrin e vet nën hijen e nofkës policore “ORAO”. Dhe në fund, kur realiteti fillon ta refuzojë, ai përpiqet të mbijetojë në hapësirën virtuale, duke manipuluar portalet, faqet e mediave dhe rrjetet sociale.
Ky është paraziti institucional: i pangopur me pushtet, i sëmurë pas imazhit, i varfër në mendim.
Ai nuk ka kauzë, ka vetëm interes.
Nuk ka ndershmëri, ka vetëm marketing.
Nuk ka besim, ka vetëm teatër.
Në një shoqëri të lodhur nga zhurma, ai lulëzon mbi heshtjen e njerëzve.
Sa më shumë hesht populli, aq më shumë rrenë ai.
Sa më shumë shembet institucioni, aq më shumë shpall “suksese”.
Sa më larg Zotit, aq më shumë ky njeri përmend Zotin me gojë, vetëm për ta fshehur mungesën e Tij në vepra.
Por, çdo iluzion ka fundin e vet.
Sepse asnjë propagandë nuk mund të mbajë në këmbë një ndërtesë që shembet nga themelet.
Sot, mbi rrënojat e besimit që ai duhej ta ruante, po lindin iniciativa të reja, bashkësi të reja, por dhe njerëz që duan t’ia rikthejnë dinjitetin fesë, kulturës e moralit.
Ky është fillimi i fundit për njeriun që jeton me ftesa e me vizita formale, me vizita çaji, sepse realiteti po e përgënjeshtron çdo ditë.
Në fund, kur kamerat të mbyllen dhe ftesat dhe vizitat e kota të pushojnë, ai do të mbetet vetëm me albumin e fotografive të veta, ku çdo buzëqeshje është dëshmi e një mashtrimi të vogël. Dhe historia, që nuk korruptohet dot nga propaganda, do ta kujtojë vetëm për një gjë:
që në kohën kur duhej të udhëhiqte, ai pozonte.
Në kohën kur duhej të ndërtonte, ai recitonte si nëpër zyret e UDB-së.
Në kohën kur duhej të shërbente, ai shërbehej.
Dhe kështu, përmes tij, shoqëria mëson një mësim të hidhur: se asnjë post nuk e bën njeriun të madh, nëse brenda tij rron një njeri i vogël.