Alarmi i kuq

Shumë shpejt, brenda disa javësh apo muajsh, tashmë do të shpërthejnë mediat e vendit dhe ato botërore për rrezikun që po i kanoset rajonit nga “terrorizmi islamik i shqiptarëve” të cilët po përkrahen nga “transfersalja” politike VLEN-VV-PAD i Sarajevës ku kohë më parë qëndroi edhe Albin Kurti, kryeministri i Kosovës. Pra, është po ajo politikë për të cilën UDB-a serbe bashkë me Aleksandar Vuçiqin vite me radhë po mundohen ta etiketojnë Kosovën dhe shqiptarët e rajonit

Nga Ali Ramadani

Një dekadë më herët, kur nga Bashkësia Fetare Islame në RMV shpërthente shqetësimi se jasht Institucionit po funksionojnë katër xhami në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, situata përceptohej si tepër alarmante dhe, brengën e sinqertë e kuptonin të gjithë, me përjashtim të elementeve të UDB-së që, si recidivë që edhe më tej po ndjehej nëpër strukturat e caktuara shtetërore. Atëbotë, e tërë bota demokratike e përfaqësuar nga kori diplomatik në vend, e frekuentonte Institucionin e BFI-së duke përcjellë mesazhe shqetësimi por edhe solidarizimi me kërkesën e kreut më të lartë të atëhershëm të BFI-së për ta vënë situatën nën kontroll.
Kështu ishte dikur jo shumë vite nga sot! Ndërsa sot, që kur u instalua në krye të BFI-së Shaqir Fetai, ky element destabilizues, devalvues, shkatërrues dhe shumë i rrezikshëm për perspektivën e shoqërisë myslimane në vend e më gjërë, sot situata ka marrur përmasat e alarmantes që shpërndanë kumtin se një lojë shumë e zezë po përgatitet mbi kurrizin e kombit shqiptar! Pra, loja është që të plagoset, përgjaket e dërmohet kurrizi i identitetit kombëtar dhe jo se dikush do të mund ta dëmtojë fenë islame e cila është e garantuar nga Allahu Mëshirëplotë.
Loja nisi me regjistrimin e dhjetra “bashkësive fetare islame”, u zhvillua me lejimin e ngritjes së faltoreve private, të xhamive të personalizuar si pronë private dhe, ja tash, po përhapet dukuria duke grabitur copa gjigante të terrenit të Institucionit të BFI-së! Shoqëria jo që po del jasht kontrollit por tashmë po na radikalizohet duke hasur në përkrahje të heshtur nga BFI-ja e Shaqir Fetait! Për këto katër-pesë vite në RMV janë kapur celula të ISIS-it, sipas raporteve të MPB-së, dhe janë burgosur dhjetra “radikalistë” me strategji e të përgatitur për të sulmuar qendra të frekuentuara nga qytetarë të shumtë (Siti Malli, Ramstori etj.)
Kështu ngrit shqetësimin këto ditë edhe gazeta maqedonase “VEÇER”! Natyrisht, gazeta thurrë elozhe për policinë maqedonase e cila po ia del që t’i kap këto “celula trroriste” të gatshme për akcion. Por ama nuk tregon se si po themelohen këto celula, kush po qëndron pas tyre, kush po i frymëzon, pse asnjëherë nuk kapet baza por “celulat” dhe, asnjë kritikë për ata që po lejojnë që ky “element radikal” të radikalziohet deri në përmasa të dëbimit të hoxhallarëve nga xhamitë dhe të kapjes së objekteve të tyre fetare!
Natyrisht, ky shqetësim në mediat kombëtare është ngritur tash e pesë vite, pa ia ndarë! Është shkruar e stërshkruar për strategjitë alarmante që po përkrahen, fatkeqësisht, edhe nga Shaqir Fetai i cili asnjëherë nuk u pranua si element përbashkues i myslimanëve të vendit, por si “mish i egër” i shkaktuar nga elementet e huaj që nuk i duron organizmi i shëndoshë i trupit mysliman të vendit.
Gazeta në fjalë alarmon për një dukuri shumë të rrezikshme të cilën subjekti ynë politik kombëtar assesi ta kapë e ta qëmtojë deri në detaje për ta kuptuar se sa e rrezikshme është kjo lojë që po e referon Shaqir Fetai dhe “Rijaseti” i tij. Gazeta, duke u bazuar në burimet e saj brenda BFI-së, thotë se, ekziston një marrëveshje “interne” në mes të Shaqir Fetait dhe grupeve radikale që, ata të shtohen, të shtrihen në tërë territorin, të veprojnë shlirshëm, madje edhe nëpër xhamitë që janë pronë e BFI-së, të manipulojnë e të drejtojnë si të duan me xhematin, por, vetëm mos ta prekin dhe asnjë fjalë mos ta thuan për qendrën e BFI-së, gjegjësisht, për Kryesinë e Institucionit me në krye Shaqir Fetain! Pra, Shaqir Fetai ofron terren për rehati! Shaqir Fetai hesht para akcioneve të këtyre celulave që e heshtin strategjinë ogurzeze të Shaqir Fetait!
Shaqir Fetai tërë këtë strategji po na e shet si “bashkëjetesë dhe harmoni ndërfetare” duke i përfshirë këtu edhe ato “bashkësi” e grupe religjioze, ato celula “fetare” e sekte që po na e shtuakan “diversitetin fetar” si dhe menaxhimin e Shaqir Fetait në drejtim të trashjes së bashkëjetesës! Pasojat, jo që nuk i di Shaqir Fetai, porse, mundohet t’i minimizojë dhe t’i neglizhojë deri në tradhëti!
Natyrisht, shumë shpejt, brenda disa javësh apo muajsh, tashmë do të shpërthejnë mediat e vendit dhe ato botërore për rrezikun që vjen nga “terrorizmi fetar i shqiptarëve” të cilët po përkrahen nga “transfersalja” VLEN-VV-PAD i Sarajevës ku kohë më parë qëndroi edhe Albin Kurti, kryeministri i Kosovës. Pra, është po ajo politikë për të cilën UDB-a serbe bashkë me Aleksandar Vuçiqin po mundohen ta etiketojnë Kosovën dhe shqiptarët e rajonit vite me radhë. Për ta sendërtuar këtë strategji vuçiqiane ja që duhet edhe bashkëpunëtorë të brendshëm si puna e Shaqir Fetait me bashkëpunëtorët e vet të cilëve u falë terren për paqe në karrierë. Është koha që të veprohet, është koha që subjekti politik shqiptar të vetëdijësohet dhe sa më shpejtë ta kapë fillin e kësaj loje, si dhe të lojës së atyre këlyshëve të cilët lehin pas Shaqir Fetait por që në fakt janë bashkëlojtarë të tij. Heshtja para këtij alarmi skandaloz vetëm sa do ta dëmtojë kauzën kombëtare dhe pastaj do të na duhen dekada e dekada për t’u shpjeguar faqe botës se nuk jemi ashtu siç po na përshkruan politika serbe, e cila, falë këtyre “celulave” do t’ia dalë që të konsolidohet si shtet me traditë në arenën ndërkombëtare. Subjekti politik shqiptar në rajon duhet ta kuptojë alarmin e kuq, tash dhe menjëherë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *