Aktakuzë ndaj M.A për dhunë ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë ndaj M.A për katër vepra penale: sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge, si dhe posedim i paautorizuar i armëve.

Sipas aktakuzës, më 29 maj 2023, që nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin përreth objektit të Komunës së Zveçanit, i pandehuri M.A ka sulmuar dhe seriozisht ka kanosur disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, shufra, koktej molotovi, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

M.A akuzohet se, përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës, së bashku me të pandehurit tjerë ka ushtruar dhunë të pakontrolluar.

Si pasojë e këtyre veprimeve janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë pësuar lëndime të rënda trupore, si dhe janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në automjete zyrtare dhe të gazetarëve që kanë mbuluar ngjarjet.

Prokuroria Speciale ka kërkuar konfiskimin e një arme zjarri dhe shkatërrimin e substancave narkotike të sekuestruara gjatë hetimeve, si dhe ka propozuar vazhdimin e paraburgimit për të pandehurin deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *