Agim Çeku dhe 9 të tjerë dënohen me nga 1 vit burgim në rastin “Veteranët”, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj lirohen nga akuza

Gjykata ka shpallur sot vendimin për rastin e njohur si “Veteranët”, duke dënuar me nga 1 vit burgim disa prej ish-anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të UÇK-së, nën akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Të dënuarit janë:

Agim Çeku

Sadik Halitjaha

Shkumbin Demaliaj

Qelë Gashi

Shukri Buja

Ahmet Daku

Rrustem Berisha

Faik Fazliu

Fadil Shurdhaj

Xhavit Jashari

Ndërsa Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj janë liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale që nga viti 2018, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e Komisionit, duke i njohur në mënyrë të paligjshme statusin e veteranit të luftës së UÇK-së personave që nuk plotësonin kriteret.

Prokuroria thekson se anëtarët e Komisionit kanë vepruar me qëllim të përfitimit pasuror për të tretë, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare dhe duke keqpërdorur pozitën e tyre.

Rasti ka kaluar nëpër disa faza gjyqësore. Fillimisht, Gjykata Themelore kishte shpallur të pafajshëm të akuzuarit, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, duke kërkuar një vlerësim të ri të provave dhe procedurës.

Ky vendim i fundit shënon një zhvillim të rëndësishëm në një nga rastet më të zhurmshme që lidhet me procesin e verifikimit të statusit të pjesëmarrësve në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *