A mund të ketë Zoti “synim”?

Në një nga ato copëza shkrimore që i ngjajnë më shumë hartimeve të një nxënësi sesa meditimit teologjik, Shaqir Fetai, në shkrimin e tij të fundit, të titulluar “66”, shprehet: “Përmbush synimin e Zotit që të krijoi.”

Nga H. Jasir Jashari

Të bëjë shirk, të mëkatojë kaq shumë një narcis që ia do qejfi që të vetëquhet edhe “reis”, si Shaqir Fetai, këtë nuk do t’ia merrte mendja as të pafeve. Po sa mirë ia kanë shkëputur pikërisht këtë fjali të pistë e të xhindosur myhybtë e tij dhe ia publikojnë si “aforizëm”, apo “mendim filozofik”: “Përmbush synimin e Zotit që të krijoi.”
Një fjali që në dukje mund të tingëllojë devocionale, por që në thelb përmban një nga lajthitjet më të mëdha teologjike që mund të rrëshqasë nga pena e një njeriu që pretendon të flasë në emër të fesë.
Sepse fjalia presupozon diçka të pamendueshme për çdo besimtar monoteist: që Zoti qenka një Qenie me synim, pra, me qëllim të paracaktuar që e shtyn të veprojë. Por synimi, si koncept filozofik, nënkupton një mungesë, një nevojë, një dëshirë për ta plotësuar diçka që ende nuk është. Ndërsa Zoti, në çdo sistem teologjik të mirëfilltë, islam, kristian apo hebraik, është i Plotë, i Pafilluar dhe i Pambarim. Ai nuk synon, sepse Ai urdhëron; Ai nuk dëshiron, sepse Ai vendos; Ai nuk kërkon, sepse çdo gjë tashmë është nën dijen dhe vullnetin e Tij të përjetshëm.
Në filozofinë islame, kjo çështje është trajtuar me thellësi nga Imam el-Gazali, i cili thekson se çdo mendim që ia atribuon Zotit një proces “synimi” apo “mendimi paraprak” është kufizim njerëzor i Hyjnores. Edhe Ibn Sina (Avicena) e përshkruan Zotin si “El-Vaxhibu’l-Vuxhud”, Qenia e Domosdoshme, për të cilën çdo akt është shprehje e ekzistencës së vet, jo e një qëllimi që e nxit. Zoti, në këtë kuptim, nuk vepron për të arritur diçka, por sepse veprimi i Tij është identik me Qenien e Tij. Nëse Ai do të “synonte”, atëherë do të ekzistonte diçka jashtë Tij që duhej arritur, dhe kjo është, në vetvete, blasfemi, është prej mëkateve të mëdha e të pafalshme.
Kjo është ajo që teologët klasikë e kanë quajtur rreziku i antropomorfizmit teologjik: përpjekja për ta përfytyruar Zotin me ndjesi e shtysa njerëzore. Një njeri mund të synojë, sepse ai ka mungesë; një nxënës synon të dijë më shumë, një piktor synon të krijojë bukurinë, një pushtetar synon pushtetin. Por Zoti nuk mund të ketë synim, sepse çdo gjë që mund të jetë është prej Tij dhe në Të.
Kjo është arsyeja pse Kur’ani nuk përdor asnjëherë termin synim (me domethënien njerëzore të qëllimit të paplotësuar), por fjalën “urdhër” (emr) dhe “vullnet” (irade).
“Kur Ai dëshiron diçka, mjafton të thotë: “Bëhu!”, dhe ajo bëhet.” (Sure Jasin, 82)
Ky varg i shenjtë e shuan çdo mundësi për t’ia atribuar Zotit “synimin”. Zoti nuk përpiqet të krijojë, Ai nuk planifikon të arrijë diçka, Ai thjesht thotë dhe është.
Kjo është ontologjia absolute e Hyjnores, që s’mund të përthyhet në kategoritë njerëzore të synimit, qëllimit apo projektit.
Fjalitë e tilla, të lëshuara nga njerëz që kanë marrë rolin e predikuesve, apo “thirrësve në islam” por jo peshën e mendimit teologjik, janë dëshmi e varfërisë së reflektimit fetar në sferën publike. Një njeri që guxon të flasë në emër të Zotit, por që nuk dallon urdhrin hyjnor nga synimi njerëzor, bie në një mëkat të mendimit: idolatërinë e fjalës. Ai projekton tek Zoti kufijtë e vetvetes.
Pra, Zoti nuk ka synuar të krijojë njeriun, por ka dashur të manifestohet përmes krijimit, si shfaqje e mirësisë, dijes dhe urtësisë së vet absolute. Krijimi nuk është qëllim, apo synim, por rrjedhojë e ekzistencës hyjnore.
Dhe kështu, fjalia “përmbush synimin e Zotit që të krijoi” nuk është vetëm një lajthitje stilistike; është rrëshqitje doktrinare. Sepse Zoti nuk ka synim që të përmbushet nga krijesa e Tij, përkundrazi, është krijesa që përmbushet duke iu nënshtruar urdhrit të Zotit.
Nëse dikush dëshiron t’i shërbejë Zotit, le ta kuptojë se nuk “plotëson” asgjë tek Ai; thjesht i kthehet asaj që tashmë është urdhëruar të jetë. Në këtë kthim qëndron nderi i njeriut dhe përulësia e fesë, jo në trillimet sentimentale që ia veshin Zotit natyrën njerëzore, siç bën Shaqir Fetai i gjorë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *