Supremja vërteton burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaçën

Kolegji gjyqësor i Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Dardan Krivaçën, duke vërtetuar aktgjykimet e shkallëve më të ulëta për veprën penale vrasje e rëndë dhe dënimin me burgim të përjetshëm.

“Në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, pretendimeve të paraqitura në ankesë, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, me shumicë votash ka marrë aktgjykim me të cilin refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa vërtetohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit”, thuhet në njoftim.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka konstatuar se aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se arsyetimi për vendimmarrjen është i qartë dhe i bazuar në prova.

Sipas Kolegjit gjyqësor, gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave mjeko-ligjore, provat materiale dhe video-incizimet nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima. Nga këto prova është konstatuar se viktima, M.O., ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit.

Raporti i autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë kanë vërtetuar se vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë), të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Gjykata ka vlerësuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike, çka mbështet kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Po ashtu, janë shqyrtuar pretendimet e mbrojtjes lidhur me rigjykimin, ekspertizën psikiatrike dhe ndikimin e mundshëm të substancave narkotike. Kolegji ka konstatuar se këto pretendime nuk janë mbështetur me prova. Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike rezulton se i akuzuari nuk ka pasur çrregullime mendore të karakterit psikotik dhe ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në momentin e kryerjes së veprës.

Në përfundim, Gjykata Supreme ka vlerësuar se dënimi me burgim të përjetshëm është në përputhje me ligjin dhe rrethanat e rastit, duke marrë parasysh natyrën jashtëzakonisht të rëndë të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *