Nesër bëhen katër vjet qëkur Rusia nisi atë që e ka quajtur dhe vazhdon ta quajë si Operacion Special Ushtarak ndaj Ukrainës.
Rusia vazhdoi shumë ngadalë përparimet në terren, përshkallëzoi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, por nuk munguan as përpjekjet diplomatike ndërkombëtare për armëpushim.
Gjatë vitit të fundit të luftës mes rusisë e Ukrainës, forcat ruse pretendojnë se kanë marrë nën kontroll mbi 6,300 km² territor të Ukrainës dhe më shumë se 300 vendbanime, ndërsa betejat kryesore pas majit u zhvilluan në lindje dhe jug të Ukrainës, duke kulmuar me marrjen e qytetit Pokrovsk në dhjetor.
Pas largimit të forcave ukrainase nga rajoni i Kurskut, ushtria ruse vazhdoi avancimin në rajonet Dnipropetrovsk, Sumy dhe Kharkiv, ku synon krijimin e asaj që njihet si “tampon zone”. Megjithatë, pavarësisht epërsisë teknologjike dhe taktike të raportuar për vitin 2025, Rusia nuk arriti ta përfundojë shpejt luftën dhe konflikti vazhdon si luftë shkatërrimtare.
Sulmet ndaj sistemit energjetik ukrainas u intensifikuan ndjeshëm gjatë vitit 2025, duke dëmtuar rëndë infrastrukturën dhe duke ndikuar negativisht në rimëkëmbjen ekonomike dhe aftësitë mbrojtëse të vendit. Një nga sulmet më të mëdha ndodhi më 9 janar 2026 ndaj Kyiv dhe Lviv, me qindra dronë dhe dhjetëra raketa.
Në planin diplomatik, bisedimet për paqe nisën më 16 maj 2025 në Stamboll dhe vazhduan me raunde të tjera, por dallimet mes palëve mbetën të mëdha. Një samit i nivelit të lartë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump u mbajt më 15 gusht 2025 në Anchorage të Alaskës për të diskutuar përfundimin e luftës.
Raundi më i fundit i konsultimeve u zhvillua më 18 shkurt në Gjenevë, ku delegacionet e Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës zhvilluan takime dypalëshe dhe trilaterale, por pa ndonjë përparim vendimtar.
