Duke nisur nga viti akademik 2026–2027, 30 shkolla në vend do të funksionojnë me orar të zgjatur, duke u ofruar nxënësve mundësinë të qëndrojnë në ambientet shkollore deri në orën 16:00. Projekti parashikon gjithashtu drekë falas dhe hapësirë për kryerjen e detyrave të shtëpisë brenda shkollës.
Burime paraprake bëjnë me dije se bëhet fjalë për një projekt pilot, për të cilin shkollat përfituese kanë marrë tashmë udhëzimet përkatëse mbi mënyrën e zbatimit.
Në disa prej këtyre institucioneve janë informuar edhe prindërit, të cilët në shumicë e kanë mirëpritur këtë ndryshim. Vakti i drekës do të ofrohet pa asnjë kosto shtesë për familjet.
Projekti do të zbatohet për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Qëndrimi i zgjatur në shkollë deri në orën 16:00 ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e prindërve ndër vite dhe është prezantuar më herët edhe nga kryeministri Edi Rama.
Aktualisht, drafti për zbatimin e këtij projekti ndodhet ende në proces finalizimi.
