Sa herë afrohet përvjetori i Shpalljes së Pavarësisë së vitit 1912, dalin në dritë detaje të reja nga ajo periudhë vendimtare për shtetin shqiptar. Një nga aspektet më pak të njohura, por thelbësore, lidhet me financimin e Qeverisë së Vlorës, në një kohë kur shteti i sapokrijuar nuk kishte asnjë strukturë financiare apo burim të qëndrueshëm të ardhurash.
Pyetja lind natyrshëm: kush i dha para një shteti që ende nuk ekzistonte realisht, pa institucione dhe pa buxhet? Përgjigjja është e qartë – patriotë që vunë në shërbim jo vetëm idealin, por edhe pasurinë personale.
Vëllezërit Cakrani, shtylla financiare e shtetit të ri
Bektash bej Cakrani dhe vëllai i tij, Hajredin bej Cakrani, ishin ndër figurat kyçe që kontribuuan drejtpërdrejt në mbajtjen gjallë të Qeverisë së Vlorës. Roli i tyre nuk ishte thjesht politik apo simbolik, por thellësisht praktik dhe financiar.
Në qeverinë e Ismail Qemalit, Bektash bej Cakrani u emërua Ministër i Thesarit. Në një kohë kur Thesari i Shtetit praktikisht nuk ekzistonte, ai financoi veprimtarinë e qeverisë gjatë gjithë vitit 1913 me të ardhurat e familjes së tij.
Jo vetëm kaq. Bektash bej Cakrani mbuloi gjithashtu shpenzimet e turit diplomatik të Ismail Qemalit, gjatë udhëtimit drejt Londrës, ku delegacioni shqiptar – ku bënin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini dhe personalitete të tjera – do të përpiqej të siguronte njohjen e kufijve të shtetit shqiptar.
Letra sekrete që dëshmon gjithçka
Kontributi financiar i familjes Cakrani dokumentohet qartë në një letër sekrete, e shkruar në frëngjisht nga Bektash bej Cakrani dhe drejtuar vëllait të tij, Hajredin bej Cakrani. Në këtë letër, ai i kërkon me urgjencë dërgimin e lirave të floririt në Vlorë, për të mbuluar shpenzimet e delegacionit shqiptar në Londër.
Në letër theksohet se paratë duheshin për 10 persona, të cilët do të qëndronin në Londër 20 deri në 25 ditë, dhe se monedhat duhej të ishin lira ari, pasi ato këmbeheshin më lehtë jashtë vendit.
Bektash bej Cakrani pranon se nuk kishte në dispozicion shumën e nevojshme për një angazhim kaq të madh dhe thekson urgjencën ekstreme të situatës, për shkak të zhvillimeve të rrezikshme në veri dhe jug të vendit, si dhe presionit nga Serbia dhe Greqia.
