Administrim imagjinar dhe pushtet prej mushkonje

Kur pushteti humb kontrollin real, ai fillon të prodhojë shifra. Administrimi imagjinar nuk është udhëheqje, por përpjekje për të maskuar dështimin dhe për të mashtruar opinionin publik

Nga Mr. Mahir Rexhepi

Në ditët e fundit, Shaqir Fetai, i rraskapitur nga skandalet e njëpasnjëshme, i mënjanuar nga kongreset relevante në botën turko-arabe dhe i nënçmuar nga faktorë të rëndësishëm vendorë e ndërkombëtarë, ka zgjedhur rrugën më të vjetër të pushtetit të dobët: propagandën. Një propagandë e porositur, e sponsorizuar dhe e shpërndarë përmes disa portaleve, e cila synon të krijojë iluzion force aty ku realisht sundon fragmentimi dhe humbja e kontrollit.
Sipas kësaj “informate”, në territorin e myftinive të BFI-së ekzistojnë 629 xhami dhe, gjoja, të gjitha qenkan “nën menaxhimin e BFI-së”. Ky pretendim nuk është thjesht i pasaktë; ai është një fyerje për inteligjencën publike. Sepse Shaqir Fetai, duket qartë, nuk e kupton as kuptimin e fjalës menaxhim, as domethënien reale të shprehjes “nën kontroll”.
Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujtojmë se vetë ish-reisul-ulema historik i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, kishte deklaruar publikisht se në Shkup ekzistojnë të paktën katër xhami që veprojnë jashtë kontrollit të BFI-së dhe për këtë kishte kërkuar ndihmën e shtetit. Sot, ky numër jo vetëm që nuk është zvogëluar, por është shumëfishuar. Realiteti në terren e rrëzon brutalisht propagandën e zyrave.
Për një kohë të gjatë, Shaqir Fetai nuk kishte kontroll as mbi tërë Myftininë e Tetovës. Një numër i konsiderueshëm xhamish i kanë vënë “stop” autoritetit të tij. Në Kumanovë, vizitat e tij nëpër xhami mund të numërohen me gishta, nëse kanë ndodhur fare. Në Strugë, Veles, Kërçovë, Dibër dhe madje edhe në Shkup, mbi tetëdhjetë për qind e xhamive nuk i përgjigjen autoritetit të tij formal. Kjo nuk është çështje interpretimi; është fakt i njohur publik.
Akoma më domethënëse është bllokada shumëvjeçare nga Fakulteti i Shkencave Islame, institucion kyç i mendimit dhe edukimit fetar, ku Shaqir Fetai nuk kishte qasje për më shumë se tri vite. Një udhëheqës që nuk ka qasje në institucionet themelore të komunitetit që pretendon ta drejtojë, nuk është administrator, është figurë simbolike pa pushtet real.
Gjatë periudhës së tij janë shtuar ndjeshëm xhami të personalizuara, xhami private dhe objekte fetare jashtë çdo strukture institucionale. Këto xhami nuk janë dhe as që mund të jenë nën kontrollin e tij, pavarësisht pretendimeve publike. Vetë ai e di këtë. Prandaj edhe del me këtë “info” të rreme: jo për të informuar opinionin vendor, por për të kamufluar të vërtetën në sytë e faktorit ndërkombëtar.
Në kohën e qeverisjes së tij, janë regjistruar disa “bashkësi islame” dhe grupe të ndryshme religjioze, të cilat aktivitetin e tyre fetar e zhvillojnë në xhamitë dhe objektet e tyre private. Pikërisht këto objekte janë ato për të cilat Shaqir Fetai pretendon se i ka “nën kontroll”. Një pretendim absurd, që bie ndesh me realitetin juridik dhe praktik.
Nëse këto janë faktet, dhe janë, atëherë përfundimi është i pashmangshëm: sektaristi dhe fragmentarizuesi më i madh në historinë moderne të myslimanëve të këtij vendi nuk është ndonjë faktor i jashtëm, por vetë Shaqir Fetai. Një figurë që, në vend se të unifikojë, ka copëzuar; në vend se të menaxhojë, ka humbur kontrollin; dhe në vend se të udhëheqë, ka zgjedhur të simulojë pushtetin përmes propagandës.
Forca e tij sot është vetëm ajo e mushkonjës: e zhurmshme, bezdisëse, por thelbësisht e pafuqishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *