Pseudo-intelektuali digjital

Pseudo-intelektuali digjital mbijeton në ekran, por jo në kujtesën e lexuesit, dhe
postulatet e huazuara nuk i japin asnjë peshë mendimit të tij. Neurologjia beogradase mund të analizojë deformimet, por nuk mund të shërojë mungesën e ndërgjegjësimit dhe integritetit kulturor

Nga Mr. Eset Shaqiri

Në kohët e fundit, në hapësirën tonë publike po shfaqet një specie e re: kuazi-intelektuali digjital. Ai nuk lind nga leximi, as nga përvoja mendore, as nga mundimi i gjatë i gjuhës dhe i mendimit, por nga nevoja patologjike për dukje. Është një figurë që, pasi është lexuar mjaftueshëm përmes pacavurave të veta të botuara në format pseudo-librash, tashmë përpiqet të rishfaqet në skenë duke pozuar si filozof antik: me portret të menduar, me citate të shkurtra, me “postulate” që nuk kanë as histori, as kontekst, as autorësi të vërtetë. Dhe këto arna i postojnë nëpër fb-at e veta dhe presin nëse po ua huazon dikush!
Këto postulate nuk janë fryt i mendimit, por mbeturina algoritmike. Ato janë të shkëputura nga shkrime të gjeneruara prej inteligjencës artificiale, të cilat këta individë i paraqesin si reflektime personale. Pastaj vjen rituali i dytë: urdhri social. Miq, shokë, xhemat e mahlukë thirren të komentojnë, të bëjnë “like”, të prodhojnë iluzionin e rezonancës mendore. Nuk kemi të bëjmë me dialog, por me koreografi narcisiste, të mendjes së kuruar dikur nëpër zyret e UDB-së e sot nëpër neuropsikiatritë beogradase.
Ironia është se këta pseudo-intelektualë harrojnë një fakt elementar: gjurmët. Letra shqipe i mban mend. Tekstet paçavura të tyre të mëhershme flasin ende. Dhe nga ato gjurmë ata shquhen qartë si analfabetë funksionalë, si snobë me ambicie filozofike, por me tru të atrofizuar. Postulatet e tyre “bashkëkohore” nuk korrespondojnë askund me atë që kanë shkruar dikur. Diskontinuiteti nuk është evolucion; është zbrazëti.
Në të vërtetë, kjo dukuri nuk është as e re, as e pafajshme. Ajo shfaqet sa herë që mendimi humb përgjegjësinë ndaj vetvetes dhe ndaj gjuhës. Kur leximi zëvendësohet nga pozimi, kur mendimi zëvendësohet nga citati, kur reflektimi zëvendësohet nga algoritmi, atëherë kemi të bëjmë me një krizë të thellë epistemike. Inteligjenca artificiale, në këtë rast, nuk është shkaku, por alibia. Ajo shndërrohet në patericë për mendje të lodhura, në maskë për paaftësi krijuese.

Dhe këtu hyn në lojë ajo që, me një sarkazëm të hidhur, mund ta quajmë neurologjia beogradase e këtij fenomeni: një mendësi e deformuar, e trashëguar nga kultura e simulimit, ku dukja vlen më shumë se përmbajtja, ku autoriteti imitohet, por nuk ndërtohet, ku mendimi nuk zhvillohet, por kopjohet. Një neurologji që nuk shërohet as me ndërhyrje shkencore, sepse problemi nuk është biologjik, por etik dhe kulturor. Truri
nuk u është dhënë për të menduar, por për të ricikluar klishe. Ky është prototipi i atij pseudo-intelektuali i cili, ndonëse analfabet funksional, reagon kësisoj sa herë që rri për ndonjë kafe të rastësishme me “akademikë”!
Sa të mjerë janë këta mashtrues publikë, jo sepse përdorin inteligjencën artificiale, por
sepse fshihen pas saj. Sa idhnakë me Zotin, jo sepse nuk u ka dhënë “kapacitetin e trurit të kombit”, por sepse u ka dhënë mundësinë e mendimit dhe ata e kanë
shpërdoruar. Dhe as neurologjia beogradase, me gjithë traditën e saj të errët të deformimeve mendore, nuk ua shton vlerë këtyre raste: sepse këtu kemi të bëjmë me varfëri shpirtërore, jo me defekt mendor.
Në fund, koha i nxjerr jashtë loje. Mendimi i rremë është gjithmonë i përkohshëm.
Postulatet pa rrënjë treten shpejt. Ndërsa fjala e vërtetë, edhe kur është e heshtur, mbetet. Dhe kjo është diferenca e pakapërcyeshme mes intelektualit dhe imituesit të tij digjital.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *