Gazetare: Ajnur Bafqari
Ekspertët e trafikut vlerësojnë se për ndërtimin e një qyteti vërtetë të sigurt, teknologjia duhet të ec krah për krah me rregullat, edukimin dhe infrastrukturën rrugore. Eksperti i komunikacionit, Refik Miftari në intervistën për Alsat tha se rrjeti rrugor është i vjetërsuar dhe i papërshtatshëm me numrin e makinave që e frekuentojnë atë.
“Çalojmë në aspektin e edukimit të hershëm, duhet të miratohet me kushtetutë përfshirja e një lënde obligative në sistemin arsimorë, që do të trajtojë edukatën dhe sigurinë rrugore që në moshë të hershme dhe njëkohësisht duhet të kemi infrastrukturë të përshtatshme. Kur e cek infrastrukturën të përshtatshme, duhet të kemi rrjet rrugorë të kapacitetit me automjetet që e frekuentojnë, sepse e kemi një numër të lartë të automjeteve që importohen nga vendet e huaja, infrastruktura mbetet e njëjta…Makinat shtohen rrugët mbeten ato”, tha Refik Miftari, ekspert trafiku.
Miftari thotë se sistemi Safe City evidenton edhe shkeljet e tjera, siç është përdorimi i celularëve gjatë vozitjes dhe mos vendosjes së rripit të sigurisë, pasi siç tha mbi 80 për qind e aksidenteve shkaktohen nga këto pakujdesi.
“Sa i përket faktorit njeri kemi një sërë shkeljesh që i bëjmë, tejkalimi i shpejtësisë, pastaj kemi telefon mobil gjatë përdorimit të automjetit pastaj kemi mos vendosjen e rripit të sigurisë ka një sërë faktorësh, dhe jo rastësisht e kemi se 85 për qind e aksidenteve ndodhin nga faktori njeri për shkak të këtyre sjelljeve të cilët nuk janë të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjetit” , u shpreh Refik Miftari, ekspert trafiku.
Në dy ditët e para të testimit të Safe City janë regjistruar mijëra shkelje në komunikacion. Në ditën e parë 110.000 dhe në ditën e dytë 50.652 shkelje të tilla. Shpejtësia më e madhe e regjistruar nga kamerat e Safe City është ajo prej 231 kilometra në orë, ndërsa më e vogla 51 kilometra në orë. Shkeljet më të shpeshta për kalim në semafor të kuq janë regjistruar në kryqëzimin Cvetan Dimov- Xhon Kenedi të komunës së Çairit, ndërsa shpejtësia më e madhe e tejkaluar u regjistrua në dalje nga Shkupi për në Tetovë në bulevardin “Nikolla Karev”./ Alsat.mk
