Autoritetet gjeorgjiane kanë arrestuar Aleksandre Elisashvilin, lider i partisë opozitare “Qytetarët”, nën akuzën se ka tentuar t’i vërë zjarrin ndërtesës së Gjykatës së Qytetit të Tbilisit.
Sipas Ministrisë së Brendshme, e cila publikoi njoftimin në Facebook, 47-vjeçari hyri me forcë në ndërtesën e kancelarisë së gjykatës në orët e para të mëngjesit, duke thyer një dritare me çekiç. Më pas ai dyshohet se ka derdhur benzinë në ambientet e brendshme me qëllim zjarrvënie.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, Elisashvili mbante një armë zjarri dhe plagosi një zyrtar gjykate, para se të arrestohej. Autoritetet publikuan pamjet, ku shfaqej një pistoletë në tokë, një shishe benzine, një çakmak dhe copa xhami të thyer.
Elisashvili është themelues i partisë “Qytetarët”, pjesë e koalicionit opozitar Lelo–Strong Georgia, një nga tre blloqet kryesore kundërshtare të qeverisë. Kohët e fundit, autoritetet gjeorgjiane kanë shtuar presionin ndaj opozitës, ndërsa partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ndalimin e tri forcave kryesore opozitare, përfshirë Lëvizjen Kombëtare të Bashkuar dhe koalicionin Akhali.
