Kurti: Të gjithë po përgatiten për balotazh e zgjedhje të reja parlamentare

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për media tha se, pas dështimit të djeshëm ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë nga presidentja.

“Së pari ne nuk kemi marrë ende ftesë nga zonja presidente, natyrisht që do të konsultohemi me të, e dimë që për herën e dytë është në diskrecionin e saj çështja e mandatarit për formimin e qeverisë. Nga ajo që dëgjuam dje dhe në bazë të rrethanave që ekzistojnë, duket që tash që të gjithë po përgatiten jo vetëm për balotazhin, por edhe për zgjedhjet e reja parlamentare”, tha Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes, tha se është për të ardhur keq që përveç balotazhit të 9 nëntorit do të ketë edhe dy herë zgjedhje në dimër e në pranverë, kur radha do t’i vije zgjedhjes së presidentit apo presidentes të re të vendit.

“Mbase është për të ardhur keq që do të mund të kemi përveç balotazhit, edhe dy herë zgjedhje, edhe zgjedhje në dimër edhe në pranverë, sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që mund t’i bëjmë kollaj 80 deputetë, në pranverën e vitit të ardhshëm. Dhe kemi vetëm katër muaj deri te zgjedhja e presidentit apo presidentes, pra afatet kohore po ikin me shpejtësi. Kemi mundur së paku këto zgjedhjet e dhjetorit t’i eliminojmë e t’i kemi vetëm ato në pranverë, por le të presim tash, janë 10 ditë afat për rrugën përpara që në bazë të gjitha fakteve e shenjave është veçse ajo e zgjedhjeve të reja”, deklaroi Kurti.

Në vijim të konferencës, kreu në detyrë i qeverisë, Albin Kurti, tha se përveç LDK-së e Nismës nuk ka synuar takime me subjekte tjera politike për bashkëqeverisje.

Por, Kurti tha se për të është e çuditshme sjellja e LDK-së.

“Në politikë përveç mospajtimeve janë edhe çuditë. Unë nuk po kuptoj saktësisht LDK-në, nuk duan qeveri që udhëhiqet nga LVV-ja e nga unë, nuk duan ta formojnë qeverinë e tyre me parti të tjera opozitare, por insistojnë në disa zgjedhje të reja ku përsëri do të përsërisin sloganin që ‘ne dalim të parët’, por nuk dalin të parët, është e çuditshme kjo sjellje për mua. O bëj koalicion si i treti me të parin, o me të dytin kundër të parit, ama diçka duhet të bësh. Njëherë e kisha përshtypjen se e kanë me mua personalisht. Mirëpo kur po e shohim tash para balotazhit, ata janë edhe kundër liderëve lokal të LDK-së që duan të bashkëpunojmë me  LVV-në. Mirë, Albin Kurti nuk bën për kryeministër të Republikës, por pse nuk bën Sulejman Meholli për kryetar të Vushtrrisë. Po del që problemi nuk është vetëm  me mua, por me fituesin e zgjedhjeve”, tha Kurti.

Kurti: Jam përpjekur shumë që ta shkëpusë LDK-në nga PDK-ja

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, një ditë pas dështimit që në Kuvend t’i merrte votat e mjaftueshme për ta krijuar qeverinë “Kurti 3”, ka dalë në konferencë për media.

Ai tha se asnjëra nga partitë parlamentare të cilave iu bënë ftesë nuk kanë pranuar bashkëqeverisje, megjithëse, sipas tij, vota e qytetarit kishte përcaktuar që duhet të kishte koalicion bashkëqeverisës.

“I bëmë ftesë dy herë LDK-së dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Nismën. LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse Nisma përfundimisht nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë. Po të rezononin ndryshe këto dy parti e të pranonin ofertën tonë për bashkëpunim, ne jo vetëm që do t’i kishim numrat e nevojshëm të kishim qeverinë e re, por edhe do të mund t’i jepnin zgjidhje çështjes së zgjedhjes së presidentit, që na pret pas vetëm 4 muajsh”, tha Kurti në nisje të kësaj konference për media.

Kurti, tha se duke parë disponimin e elektoratit të LVV-së dhe LDK-së, është përpjekur shumë që ta shkëpuste LDK-në nga PDK-ja.

“Në vitin 2020 ia arritëm, por vetëm për 51 ditë, e provuam përsëri me lidershipin e ri të LDK-së, por pa sukses. E vetmja mënyrë që LDK pranonte të bëhej pjesë e qeverisë me ne, ishte që edhe PDK-ja të ishte aty brenda. Për neve kjo është e papranueshme, sepse është e dëmshme”, deklaroi Kurti.

Kreu në detyrë i qeverisë, që është kryetar i Vetëvendosjes, tha se katër vitet e këtij mandatit kanë dëshmuar se qeveria është stabile atëherë, kur, përveç numrave në Kuvend, i ka edhe numrat në kuti të votimit, dhe se, sipas tij, interesat e vendit mbrohen dhe afirmohen më së miri atëherë kur kryeministri dhe qeveria gëzojnë legjitimitet të madh e të drejtpërdrejtë nga populli.

“Dua të theksoj se unë dhe LVV jemi të interesuar andaj angazhohemi të punojmë që ta zhvillojmë shtetin e jo që ta mbajmë pushtetin. Prandaj, para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është edhe arsyeja pse vendi nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveçse drejt zgjedhjeve të reja”, tha kryeministri në detyrë në konferencë për media nga objekti i qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *