Kurti u bën thirrje serbëve të Kosovës: Mos besoni propagandën e Beogradit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, iu drejtua komunitetit serb me një mesazh për bashkëpunim dhe të drejta të barabarta. Ai u bëri thirrje të mos besojnë propagandën e Beogradit dhe garantoi mbrojtje për sigurinë, paqen dhe të drejtat e tyre.

“Shteti ynë me Kushtetutë ua garanton të drejtat dhe lirinë të gjithëve dhe dëshiron bashkëpunimin sa më të mirë për realizimin e tyre”, deklaroi kryeministri në detyrë, në videomesazhin drejtuar qytetarëve të komunitetit joshumicë serb në Kosovë.

Kurti shtoi se Kosova është një republikë demokratike dhe shoqëri multietnike, ku jetojnë 92% shqiptarë dhe 8% nga komunitetet joshumicë: serbë, boshnjakë, turq, ashkalinj, romë, egjiptianë dhe të tjerë. “Dallimet ndërmjet nesh nuk janë shkak tensionesh, por përmbajtje e diversitetit që është pasuri e përbashkët dhe përparësi për zhvillim”, theksoi ai.

Kryeministri u ndal edhe te përparimet ekonomike dhe sociale, duke përmendur rritjen mesatare ekonomike prej 6% në katër vitet e fundit, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja, si dhe uljen e borxhit publik në vetëm 17%. Ai vuri në pah përpjekjet për komunitetet joshumicë, duke thënë se “falë ministrit Rashiq, për vetëm dy vjet e gjysmë, është bërë më shumë se kurrë më parë për komunitetet joshumicë: janë ndërtuar 138 shtëpi të reja, janë rinovuar 12 shtëpi dhe 13 të tjera janë në proces.”

Kurti theksoi rëndësinë e pluralizmit politik dhe mbrojtjen e të drejtave të secilit qytetar serb.

“Unë jam kryeministër i të gjithëve. Nuk jam kundër asnjë komuniteti etnik. Unë u shërbej të gjithë qytetarëve të shtetit tonë të përbashkët”, tha ai.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos besojnë propagandën e Beogradit dhe garantoi mbrojtje për sigurinë dhe paqen e tyre. 

“Ju lus mos t’u besoni britmave luftënxitëse të zyrtarëve të lartë të Beogradit për gjoja sulme apo pogrom që gjoja po përgatit qeveria e Kosovës kundër jush. Beogradi zyrtar zyrtarisht gënjen. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore do t’ju mbrojnë edhe prej tyre. Paqja dhe siguria juaj janë obligimi ynë”, tha Kurti.

Kryeministri ne detyrë gjithashtu nënvizoi planet për të inkorporuar sistemet e shëndetësisë dhe arsimit në një të vetëm. “Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, bashkë me të gjithë, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm”, theksoi ai.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *