Guterres: Situata në Gaza e papranueshme

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kritikoi ashpër përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Gazë nga Izraeli.

“Çfarë po ndodh sot në Gazë është e tmerrshme. Po shohim shkatërrim masiv të lagjeve, përfshirë shkatërrimin sistematik të qytetit të Gazës”, tha Guterres në Nju Jork.

“Kjo është dhunë në një shkallë që nuk e kam përjetuar në asnjë konflikt gjatë gati nëntë viteve si sekretar i përgjithshëm”, theksoi ai “E vërteta është se kjo është diçka moralisht, politikisht dhe ligjërisht e papranueshme”, shtoi Guterres.

Forcat izraelite nisën gjatë natës një ofensivë tokësore në Qytetin e Gazës.

Guterres mbrojti qëndrimin e tij se nuk do të përdorte termin “gjenocid” ndaj palestinezëve pa një vendim gjyqësor përkatës.

“Historia do të kujtojë faktin që ne ishim në vijën e parë për të mbrojtur interesat e popullit palestinez”, tha ai.

Guterres gjithashtu deklaroi se dëshiron të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në debatin e ardhshëm të OKB-së, nëse ky do të pranojë, por aktualisht nuk ka plane për takim.

Qeveria izraelite e ka shpallur sekretarin e përgjithshëm portugez persona non grata për shkak të kritikave të tij ndaj konfliktit në Gaza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *