Kur idealit i flet maska e tij

Kur të mungon formimi akademik atëherë mund të “pallamundësh” e të thuash se “Ideali është një proces që fillon dhe vazhdon pa mbarim”, apo “të besosh fort në ardhmërinë e realizimit të idealit tënd”, apo “Ideali për vepra madhore është vlera”, budallallëqe këto që mund të dalin vetëm nga i kompleksuari Shaqir Fetai që ka vrarë idealin që në rininë e vet

Nga Mr. Mahir Rexhepi

Pas një pauze të gjatë sërish na paraqitet Shaqir Fetai në opinion. Kjo paraqitje na del sa tinzare aq edhe naive, sa serviliste aq edhe tradhëtuese, sepse kërkon që të angazhohemi në harrim të së kaluarës, në pajtim me tërë atë mënxyrë e kalvar nëpër të cilën kaloi populli ynë shqiptar e, përgjithësisht, mysliman në këtë nënqiell. Nga kjo prizëm na drejtohet Shaqir Fetai kur na uron për 8 Shtatorin që nuk e nënvizon si ditë kur do të do të shprehen përpjekjet antishqiptare për institucionalizim të diskriminimeve johumane kundër shqiptarëve të RMV-së dhe, në vazhdim, po nga kjo prizëm na drejtohet me “margaritarin” e radhës të titulluar “65” e të publikuar në faqen e vet që është tablloid i idiotizmave të tij përmes të cilave mundohet ta mbulojë tradhëtinë e madhe! Në “65” ai na flet për idealin? Po çka mund të jetë ideali në sytë e një udbashi, në sytë e një “gjaku të shprishur” në të cilin mund të ketë plane e strategji të djallëzuara por assesi IDEAL!
Shaqir Fetai dhe bythëlëpirësit e tij kanë nevojë për një leksion mbi idealin! Çfarë është ideali?
Në filozofi, ideali është një nocion abstrakt që përfaqëson formën më të përsosur, më të plotë, apo më të lartë të diçkaje, një gjendje ose objektiv që aspiron të arrihet, por që shpesh është e paarritshme në praktikë. Në filozofinë platonike, idealet janë format (eidos), ose realitetet absolute që ekzistojnë në një botë transcendentale, për shembull, bukuria ideale, drejtësia ideale, etj. Për filozofë si Kant, ideali është një model rregullues i arsyes, diçka që nuk mund të përjetohet plotësisht në realitet, por që ndihmon mendjen të udhëheqë veprimet dhe gjykimet tona (si ideali i së mirës morale, apo i shtetit të përkryer).
Në estetikë, ideali lidhet me nocionin e së bukurës absolute ose perfeksionit artistik. Krijuesit e mëdhenj shpesh kërkojnë të arrijnë një formë të idealizuar të së bukurës që tejkalon realitetin.
Në artin klasik, figura njerëzore pikturohej apo skulpturohej sipas një ideali simetrik e harmonik, që nuk pasqyronte domosdoshmërisht realitetin, por një version të përkryer të tij.
Estetikisht, ideali është ajo që i tejkalon kufijtë e zakonshëm të përvojës dhe përpiqet të arrijë një bukuri transcendentale, që nuk mund të matet apo shpjegohet plotësisht.
Po a mund të jetë ideali “një proces që fillon dhe vazhdon pa mbarim” siç e koncepton Shaqir Fetai?
Ideali nuk është një pamje statike që pret të arrihet, por një horizont që largohet sa herë afrohemi. Ai nuk ka fillim as fund në kuptimin kronologjik, por ekziston si tension i përhershëm midis asaj që jemi dhe asaj që mund të jemi. Ai nuk kërkon përsosmëri, por përkushtim të sinqertë ndaj së lartës. Ideali nuk është monument që ndërtohet, por një rrugë që të formëson ndërsa ecën. Ai nuk kërkon heronj, por vetëdije. Ai nuk shpërblen, por zbulon kush je në heshtjen e përpjekjes.
Njeriu që zgjedh të jetojë me një ideal nuk është ai që flet për të, por ai që hesht e vepron kur askush nuk sheh. Sepse ideali nuk mbrohet me fjalë, por me qëndrime. Ai nuk është objekt dëshire, por formë jete. Kërkon ndershmëri në përballjen me vetveten, dhe guxim për të përballuar pasojat e së vërtetës. Kërkon qëndrueshmëri jo nga fanatizmi, por nga kuptimi i thellë se e mira nuk është gjithmonë e lehtë, por gjithmonë e nevojshme.
Ideali është shpesh i padukshëm për të tjerët. Ai nuk ka nevojë të duartrokitet. Nuk ndriçon për të bërë përshtypje, por për të hapur rrugë në errësirën që vjen nga brenda. Në një botë të mbushur me iluzione, ideali është akt rebelimi kundër të lehtës, kundër zbrazëtisë së moralit të rremë, kundër komoditetit të turmës që pranon çdo gjë pa pyetur.
Kushdo që ndjek një ideal të vërtetë, e di se rruga nuk është triumf, por shpesh një seri humbjesh me kuptim.
Ideali të kërkon të jesh i drejtë edhe kur nuk ka shpresë, të jesh i mirë edhe kur s’ka shpërblim, të jesh i bukur në shpirt edhe kur je i thyer në mish. Ai nuk është utopi që të mban larg tokës, por vetë toka që të djeg nën këmbë nëse nuk ecën me të.
Kalitja nuk është vetëm durim, por shndërrim. Është procesi i brendshëm përmes të cilit njeriu nuk bëhet më i fortë për të mbijetuar, por më i thellë për të kuptuar. Aty ku xhelozia, urrejtja dhe forcat shkatërrimtare të botës kërkojnë të shkurajojnë njeriun, ideali është akti i brendshëm i mosdorëzimit.
Së këndejmi, ekziston një dhunë më e rafinuar se grushti, më e neveritshme se tradhtia, dhe më helmuese se urrejtja: është fjalimi mbi idealin nga goja e atij që e ka tradhtuar thelbësisht vetë idealin. Kur një figurë publike si Shaqir Fetai, i njollosur nga dyshimet për bashkëpunim me shërbimet sekrete jugosllave, i pazbardhur në të kaluarën e tij, i padëshmuar në sinqeritetin e tij, guxon të flasë për idealin, ky nuk është më fjalim, është krim simbolik.
Ideali është përpjekje, koherencë, përkushtim, sakrificë. Nuk është monedhë që përdoret në pazaret e politikës apo në teatrot e pushtetit fetar për t’iu drejtuar të pranishmëve: “bëhuni me ideal, sepse kështu ju do Zoti”? Po Shaqir Fetai pa pikë të idealit, a duhet nga Zoti? Nuk është fjalë që e thua për të larë mëkatet me retorikë, ndërsa dora të mbetet e zhytur në baltën e ndasive, intrigës dhe shantazhit. Le të shikojë se në çka e ka katandisur Bashkësisnë Fetare Islame! Kurrë nuk ka qenë kaq e përçarë dhe kaq e fragmentarizuar dhe e sektarizuar deri në përmbytje të të gjithë idealeve kombëtare e fetare. Dhe kur këtë fjalë e artikulon një njeri i përfolur për puç kundër të zotit që e kishte rritur, atëherë fjala “ideal” shndërrohet në fyerje publike ndaj vetë ndjenjës njerëzore për drejtësi.
Të flasë Shaqir Fetai për idealin është njësoj si t’i besosh kujdestarinë e moralit një shitësi të shpirtit. Çfarë ideali mund të artikulojë një njeri që e sheh përparimin si rezultat të përçarjes, ngritjen si produkt të tradhtisë dhe autoritetin si të drejtë për të ndëshkuar cilindo që nuk e adhuron? Këtu, ideali nuk është më ideal, është fasadë për pushtet, justifikim për sundim, dhe hipokrizi për konsum të verbër popullor.
E vërteta është se idealin nuk e përfaqësojnë ata që e përmendin më shumë, por ata që e jetojnë me pak fjalë. Dhe në këtë dritë, çdo herë që një figurë si Shaqir Fetai flet për idealin, ai vetëm sa e rikonfirmon zbrazëtinë e vet morale. Idealin nuk mundet ta shkel askush, madje as armiku, por ama kush e përdor si maskë, e shkatërron nga brenda!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *