Nuk është Haxhi një platformë për lavdi personale apo përfitime të fshehta. Është një akt sakrifice e devotshmërie. Askush nuk ka të drejtë të sakrifikojë besimtarin “për të ruajtur” buxhetin e institucionit. Çfarë është kjo nëse jo abuzim? Dhe a nuk ngre kjo dyshime të mëdha për mënyrën si lidhen kontratat korruptive?
Nga Mahir Rexhepi
Ndërsa shumica dërrmuese e haxhilerëve nga e gjithë bota tashmë janë kthyer pranë familjeve të tyre (dje, sot e nesër kthehen edhe haxhilerët e Kosovës), vetëm haxhilerët nga Maqedonia e Veriut vijojnë të qëndrojnë në vendet e shenjta edhe për një, madje deri në dy javë pas përfundimit të riteve të Haxhit. Cili është kuptimi i kësaj zvarritjeje? Pse nuk kthehen në kohë si gjithë të tjerët? Dhe kush do të japë llogari për këtë gjendje?
Haxhi i përfunduar, qëndrimi vazhdon – përse?
Haxhi është obligim i shenjtë dhe sakrificë e madhe për çdo besimtar mysliman. Por ai ka një kufi të qartë kohor dhe fetar. Me kryerjen e riteve, misioni përmbushet dhe detyra shpirtërore përfundon. Qëndrimi përtej kësaj kohe nuk ka më asnjë justifikim as fetar, as logjik. Fatkeqësisht, kjo “zgjatje” po kthehet në një torturë të pajustifikueshme për haxhilerët tanë, shumica e të cilëve janë të moshuar, të lodhur dhe në nevojë për kujdes e rikuperim.
Shëndeti mendor i haxhilerëve, veçanërisht atyre në moshë të thyer, po vihet seriozisht në rrezik. Mungesa e informacionit të saktë, pasiguria për kthimin, rajonit po i kanoset një luftë globale dhe rrezikon të mbyllen edhe hapsirat qiellore, qëndrimi në kushte klimatike ekstreme dhe izolimi nga familja, po krijojnë gjendje ankthi e trishtimi tek shumë prej tyre. A është kjo ajo që na mëson feja? Apo është kjo rruga që zgjodhëm për të “organizuar” një nga shtyllat më të shenjta të Islamit?
Kush përfiton nga qëndrimi i zgjatur?
Burimet jozyrtare flasin për kontrata të dobëta me kompanitë ajrore, të cilat, në vend të kthimit në ditët e para menjëherë pas përfundimit të Haxhit, i detyrojnë haxhilerët të qëndrojnë më gjatë, sepse kështu “dalin më lirë” për organizatorët. Pra, në emër të “kursimeve” të Bashkësisë Fetare Islame dhe përfitimeve të organizatorëve të babzitur e të pashpirt nga radhët e BFI-së, po paguajnë individët-haxhilerët dhe familjet e tyre, me para, me kohë, e mbi të gjitha, me shëndet.
Kjo logjikë është jo vetëm e pakuptimtë, por edhe imorale. Askush nuk ka të drejtë të sakrifikojë besimtarin “për të ruajtur” buxhetin e institucionit. Çfarë është kjo nëse jo abuzim? Dhe a nuk ngre kjo dyshime të mëdha për mënyrën si lidhen kontratat, për përfitimet që mund të ketë ndokush në këtë proces, e për mungesën e transparencës totale?
Përse nuk lidhen kontrata më herët?
Vetë kreu i BFI-së, Shaqir Fetai, është shprehur se lista e haxhilerëve është mbyllur deri për vitin 2028. Atëherë, përse nuk fillon procesi i kontraktimit me kohë? Pse nuk arrihen marrëveshje më të hershme me kompani ajrore të besueshme e me çmime më të favorshme? Sa më herët të lidhet një kontratë, aq më lirë kushton. Kjo do të lehtësonte barrën ekonomike për vetë haxhilerët dhe do të përmirësonte cilësinë e shërbimit.
Pra, jo vetëm që kemi të bëjmë me një neglizhencë në organizim, por edhe me mungesë vullneti për të përmirësuar gjërat, pavarësisht mësimeve të përsëritura që çdo vit sjell Haxhiu. Sa më rëndë aq më i lehtë është përfitimi nga matrapazët e Shaqir Fetait.
A duhet të japë dikush llogari?
Po. Pa diskutim. Kjo është një çështje që meriton hetim të brendshëm, transparencë të plotë dhe madje përgjegjësi institucionale. BFI nuk është një kompani private. Ajo është një institucion që duhet të mbrojë interesin shpirtëror, fizik e material të besimtarëve. Çdo vendim që cenon këtë mision është abuziv dhe i dënueshëm.
Nuk është Haxhi një platformë për lavdi personale apo përfitime të fshehta. Është një akt sakrifice e devotshmërie. E tillë duhet të trajtohet, dhe organizimi i tij duhet të bëhet me nder, me përkujdesje dhe me standardet më të larta të mundshme.
Koha për ndërgjegjësim dhe veprim
Nëse nuk merren masa që tani, do të vazhdojmë të përjetojmë të njëjtin skenar çdo vit. Është momenti që shoqëria, media, intelektualët, dhe vetë besimtarët të kërkojnë llogari. Të bëjnë presion për transparencë. Të kërkojnë që haxhi të mos menaxhohet më si agjenci turistike e as si biznes me “klientë besimtarë”.
Kjo nuk është vetëm një çështje organizative. Është një çështje njerëzore. Është një çështje e drejtësisë dhe e respektit ndaj sakrificës së myslimanëve të këtij vendi. Cili haxhi ka nevojë që pas kryerjes së të gjitha obligimeve të haxhit, të vazhdojë edhe një turizëm-pushim prej nja dy-tri javëve, pushim ky që u kushton ekstra nga çmimi astronomik që ka BFI-ja për kryerjen e këtij obligimi fetar? Kjo është torturë, kjo është shkelje e të drejtave të një kategorie besimtarësh në emër të vendimit për të përfituar honxhobonxhot e Shaqir Fetait, i cili në vend po mundohet ta ruajë qetësinë me kopalla e pallavra të tipit “haxhilerët po i ndjekin ligjeratat fetare nga hoxhallarët tanë nëpër mesxhidet e hoteleve”! Për këtë kanë nevojë haxhilerët tanë që mezi presin të kthehen dhe t’i ndajnë me familjarët e tyre kujtimet më të ëmbla të përjetuara përgjatë një jete të tërë!