Nata e ndërrimit të viteve është shoqëruar me një numër të lartë lëndimesh nga mjetet piroteknike. Vetëm pas orës 22:40, Klinika Emergjente ka trajtuar dhjetëra raste, disa prej të cilave me pasoja të rënda dhe afatgjata.
Situata me personat e lënduar nga përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë natës së Vitit të Ri në Kosovë vlerësohet si serioze. Doktori kujdestar i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ejup Govori, ka bërë të ditur se numri i të lënduarve ka arritur në 35.
Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e rasteve përfshin lëndime të rënda, disa prej të cilave mund të rezultojnë me invaliditet të përhershëm. Të lënduarit janë të moshave të ndryshme, megjithatë dominojnë të rinjtë, ndërsa ka edhe persona më të moshuar.
“Gjendja mund të konsiderohet alarmante. Që nga ora 22:40 kemi regjistruar 35 raste të lëndimeve nga mjetet piroteknike. Një numër i madh i tyre janë lëndime serioze, kryesisht të shuplakave të duarve, të cilat mund të lënë pasoja të përhershme”, ka deklaruar Govori.
Ai ka shtuar se janë evidentuar edhe lëndime të rënda në sy. Një nga pacientët është transferuar në repartin e Oftalmologjisë, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike.
