Nuk ka më dyshim: Rijaseti është kapur peng. Me drejtues që ndihen më të sigurt mes dhjetë intrigantëve të një qyteti të vetëm, sesa mes dhjetëra intelektualëve e udhëheqësve të komunitetit në nivel kombëtar
Nga Ramadan Fazliu
Në kohë krizash të thella morale dhe institucionale, nuk ka më keq sesa një lider që e di se fundi i tij është afër – dhe përpiqet me çdo kusht ta mbrojë fronin duke e futur institucionin në kthetrat e një rrethi personal. Pikërisht kjo po ndodh sot në Bashkësinë Fetare Islame nën udhëheqjen e Shaqir Fetait, i cili nuk ka më as përkushtim fetar, as integritet institucional, as besnikëri ndaj komunitetit. Ka vetëm një obsesion: pushtetin e vet personal. Ai nuk thotë më “jam dijetar”, “jam besimtar i devotshëm” por, thotë: “jam shumë i fortë”!
Shaqir Fetai, i cili e ka uzurpuar pozitën e reisul-ulemasë me bekime politike të kalbura dhe skema të errëta, duket se ka vendosur t’ia dorëzojë fatin e institucionit të tërë një grushti njerëzish nga qyteti i tij i lindjes – Gostivari. Ai flet me një lloj strategjie primitive, siç i ka hije një njeriu që e mendon jetën në logjikën fisnore të viteve ’50: “Nuk dua të bëhem si Arif Emini – reis nga Gostivari e i varur nga Tetova e Shkupi.” Ky është “mësimi” që Fetai pretendon se ka nxjerrë nga dështimi i Arif Eminit, një ish-reis i njohur për një përulësi që Shaqiri nuk do ta ketë kurrë. Dhe çfarë bën si pasojë? Vendos të mos varet nga askush tjetër – përveçse nga vetvetja dhe nga njerëz që i sheh si përçues të vullnetit të tij personal.
Sot në BFI nuk flitet më për bashkëpunim mes myftinive. Nuk flitet për harmoni. Flitet për klane, për lojalitete lokale, për “krahë” të brendshëm dhe për favore. Rijaseti, dikur organi më i lartë dhe më autoritativ i udhëheqjes fetare në vend, është shndërruar në një “Myftini e zgjeruar e Gostivarit”, me kompetenca të fryra dhe me ndikim që i tejkalon kufijtë statutorë. Kudo tjetër – në Shkup, në Tetovë, në Kumanovë – janë vetëm mbeturina për t’u qetësuar me ndonjë kockë të rastit. Ky është realiteti i zi që Fetai nuk e fsheh më: e drejta, fuqia dhe vendimmarrja janë vetëm për ata që i binden personalisht atij dhe që e ndajnë prejardhjen me të.
E gjithë kjo u demaskua publikisht në mënyrë skandaloze gjatë një manifestimi të mbajtur këto ditë në Medresenë Isa Beu. Një incident në dukje teknik – por në thelb politik – e ekspozoi qartë përçarjen e brendshme që po e gërryen institucionin nga brenda. Drejtori Islam Islami, në fjalimin e tij përshëndetës, përmendi me emër dhe mbiemër maturanten ekselente nga Shkupi, ndërsa, pa dashje apo me qëllim, harroi ta përmendë ekselenten nga paralelja e Gostivarit. Ka mjaftuar ky moment i vetëm që Afrim Aliu, profesor në paralelen e vajzave në Gostivar, një figurë dikur i njohur si “qengji i BFI-së”, të shndërrohet brenda sekondash në dash sulmues, dhe ta zhvilloje intrigën e një nate më parë të thurrur në një restorant të Gostivarit nga “klani” i Fetait, duke u hedhur në sulm verbal ndaj drejtorit të institucionit arsimor islam të vendit.
Skandaloze është jo vetëm mënyra e reagimit të Aliut, por më tepër roli i Shaqir Fetait në këtë farsë të turpshme: “vezhgues shurdhmemec”, i pranishëm fizikisht, por jo institucionalisht. Ai nuk flet, nuk ndalon, nuk qorton. Ai hesht. Dhe heshtja e tij nuk është e rastësishme – është pëlqim i heshtur dhe pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në një skenar të kurdisur mirë, për të dëmtuar autoritetin e drejtorit dhe për të përgatitur terrenin që edhe ai post – si shumë të tjerë – të trashëgohet nga ndonjë emisar i klanit të tij. Po pse i sulet pikërisht tani drejtorit Islam Islamit? Sepse, tashmë ka kuptuar Shaqir Fetai se Islami nuk është më në axhendën e Myftiut të Shkupit, nuk i hy më në punë Qenan Ismailit, ndaj dhe përpiqet që të shfrytëzoj rast, ta përjashtojë nga loja Islam Islamin dhe në vend të tij të sjell ndonjë “qingj” të tipit të Afrim Aliut.
Ky skandal e nxori lakuriq gjithë këtë sistem klanor. Përshëndetja selektive e drejtorit, tensioni i shfryrë publikisht nga “dorasi” politik Afrim Aliu, heshtja e turpshme e Shaqir Fetait në prani të një ofendimi publik – nuk janë thjesht incidente. Janë simbole të sëmundjes së thellë që e ka kapluar BFI-në. Janë dëshmi e një deformimi të qëllimshëm të funksionit institucional dhe edukativ, i cili tashmë i është dorëzuar thashethemeve të mbrëmjes, xhelozive lokale dhe paranojës së humbjes së kontrollit.
Fatkeqësisht, gjithçka në këtë histori lidhet me frikën. Frikën e Shaqir Fetait për të mos përfunduar si Arif Emini. Por ajo që nuk kupton dot ai është se Arif Emini dështoi jo për shkak se nuk mbështetej vetëm në qytetin e tij, por sepse nuk kishte kapacitet të ndërtonte një vizion gjithëpërfshirës institucional. Shaqiri, në vend që të mësojë nga ky dështim, po bën edhe më keq: po izolon institucionin, po e degëzon në krahinë, po e shkatërron nga brenda duke ndërtuar një strukturë besnikësh të verbër, e jo të bashkëpunëtorëve të ditur.
Rijaseti sot nuk është më një forum i mendimit dhe autoritetit fetar – është një zgjatim i tryezës së Shaqirit. Dhe në atë tryezë, përfaqësohet vetëm një qytet, vetëm një interes, vetëm një paranojë. Anash tryezës qëndrojnë edhe do përfaqësues marioneta nga Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi, Manastiri etj. Kësisoj, e gjithë BFI-ja është shndërruar në një makineri për vetëmbrojtjen e një individi të vetmuar, që nuk ka më fuqi për të udhëhequr, por vetëm etje për të mbijetuar.
Nuk ka më dyshim: Rijaseti është kapur peng. Me drejtues që ndihen më të sigurt mes dhjetë intrigantëve të një qyteti të vetëm, sesa mes dhjetëra intelektualëve e udhëheqësve të komunitetit në nivel kombëtar. Plasaritjet në institucion janë bërë të dukshme, linjat e përçarjes janë thelluar dhe ajo që dikur quhej BFI po zvogëlohet në një bashkësi klanore territoriale, ku meritat nuk maten me kontribut, por me prejardhje gjeografike dhe besnikëri personale ndaj një individi që po ngulfat institucionin me çdo veprim që ndërmerr.
Nëse askush nuk reagon, këto nuk do të mbeten vetëm plasaritje – do të bëhen rrëzime strukturore. Nëse kjo linjë nuk ndalet me urgjencë, nëse nuk ndërhyhet me masa të forta institucionale e shoqërore, Bashkësia Fetare Islame nuk do të ketë më personalitet juridik e fetar kombëtar. Ajo do të jetë thjesht një sindikatë e vogël lokale, e udhëhequr nga komplekset personale të një njeriu që e ka kuptuar se nuk do të mbahet mend si dijetar, as si prijës, por si shkatërruesi më sistematik që ky institucion ka parë ndonjëherë.