Nga Avni Halimi
Ngjarjet ku diskutohet për librin, për botuesit, për lexuesit si dhe për autorët dhe përkthyesit, janë panairet e librit. Pra, panairet ofrojnë mundësinë për botuesit dhe autorët të promovojnë krijimet e tyre të reja, të kenë takime me lexuesit dhe të rrisin njohjen e punës së tyre. Autorët dhe botuesit kanë rastin që të lidhin marrëdhënie profesionale, të krijojnë mundësi të reja për promovimin dhe shpërndarjen e librave të tyre. Organizimi i panaireve të librit ndihmon në zhvillimin e kulturës së leximit dhe bën që librat të jenë më të aksesueshëm për një audiencë më të gjerë. Po ashtu, këto evente të librit janë mundësi ideale për industrinë e botimeve që të diskutojë trende të reja dhe inovative në fushën e botimeve, si dhe të promovojnë zhvillimin e bizneseve të reja në këtë fushë.
Në botë janë të njohura shumë panaire tradicionale të librit dhe, ndër panairet më të njohur është ai i Frankfurtit, i Bolonjës, i Torinos, Stambollit, Lajpcingut, Londrës, Parisit, Amsterdamit, Geteborgut, Edinburgut, Moskës, Nju Jorkut, Singaporit, Kajros. Në rajon njihet panairi i Beogradit, i Sarajevës, i Zagrebit, i Tiranës, i Prishtinës, i Shkupit, i Athinës, i Sofjes etj. Panairet e librave organizohen nga një gamë e gjerë organizatash dhe institucione që përfshijnë botues, asociacione profesionale, qeveri lokale dhe organizata të tjera kulturore. Pra, varësisht nga karakteri i panairit, ato mund të organizohen nga botues dhe agjenci botimesh, nga asociacione dhe federata botuesish, si: IPA (Asociacioni Ndërkombëtare e Botuesve) si dhe FEP (Federata e Botuesve të Librit) që organizojnë panaire në Londër e Paris. Organizatorë të tjerë na dalin qeveri dhe autoritete lokale, institucione kulturore dhe shoqata letrare, korporatat dhe ndërmarrjet private, universitete dhe institucione edukative etj.
Edhe në Maqedoni asociacionet gjegjëse organizojnë panaire të librit por dhe marrin pjesë nëpër panaire të ndryshme ndërkombëtare, kryesisht në Frankfurt, Lajpcing, Bolonjë, Stamboll, Beograd, Sofje, Athinë, Tiranë, Prishtinë etj. Nga demokratizimi i vendit e deri pas konfliktit të armatosur të vitit 2001, libri shqip i shqiptarëve të Maqedonisë e kishte pothuajse të pamundur të depërtojë në panairet ndërkombëtare. Eventualisht, mund të flitej për ndonjë libër në Tiranë, Prishtinë apo edhe Stamboll që vinte si rezultat i bashkëpjesëmarrjes së ndonjë botuesi maqedonas me ndonjë shqiptar sa për ta ndarë qeranë e stendës. Pas konfliktit të armatosur, do të ndahen edhe “sferat e interesit”: botuesit shqiptarë do t’ia dalin që të jenë bartës të projektit pjesëmarrës në Panairin e Stambollit, në atë të Tiranës e të Prishtinës! Organizatorët shqiptar gjithnjë do të hasin në probleme nga më banalet! Do të kenë buxhet qesharak që do t’ua ndajë Ministria e Kulturës, por dhe do të hasin në refuzim të botuesve maqedonas, të cilët, nuk do t’ua besojnë titujt organizatorëve shqiptarë qoftë për në Stamboll, apo edhe në Tiranë! Organizatorët shqiptarë do të duhet të vrapojnë nga dera në derë për të siguruar ndonjë titull maqedonisht, të cilët, kryesisht do t’i gjejnë në Bibliotekën Popullore dhe Universitare të Shkupit ku botuesit dorëzojnë detyrimisht nga 55 ekzemplarë të çdo libri të botuar e të financuar nga Ministria e Kulturës. Nga ana tjetër, botuesit dhe autorët shqiptarë gjithnjë do të bojkotohen nga organizatorët maqedonasë që do ta prezantojnë krijimtarinë maqedonase nëpër panaire të ndryshme ndërkombëtare! Dhe ky lloj “racizmi kulturor” do të përkrahet dhe stimulohet edhe nga Ministria e Kulturës, e cila, kurrë nuk e ngriti në problem këtë dukuri raciste dhe asnjëherë nuk ndërmori asgjë për ta tejkaluar problemin.
Sa për ilustrim, nga Programi Vjetor i kësaj Ministrie, vërejmë se për organizatorin shqiptar që do ta prezantojë librin nga Maqedonia në Panairin e Stambollit janë ndarë vetëm 496 mijë denarë, apo rreth 8 000 euro. Ndërsa përfaqësuesit maqedonas të letërsisë maqedonase në stendën e Panairit në Frankufrt i janë ndarë 3 000 000 denarë apo rreth 49 mijë euro! Ndërkaq organizatorëve maqedonas të panairit të librit në Shkup i janë ndarë rreth 2 milion denarë apo rreth 32 mijë euro!
Kjo qasje dhe ky refuzim etnik, a bën pjesë në korpusin e diskriminimeve që i përjetojnë në forma të ndryshme shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Pa dyshim që po dhe, ky diskriminim mund të shpjegohet si pasojë e një kombinimi të faktorëve politikë, kulturorë dhe ekonomikë që ndihmojnë në ruajtjen e një status quoje të pasigurt dhe të pabarabartë si për botuesit shqiptarë, për letërsinë shqipe të këtij vendi, ashtu edhe për përfaqësuesit e kulturës shqipe në tregjet ndërkombëtare. Pa një angazhim më të fortë dhe pa një politikë më racionale nga institucionet maqedonase dhe shqiptare, ky problem do të vazhdojë të mbetet edhe më tej një pengesë për zhvillimin dhe promovimin e letërsisë shqipe që krijohet në Maqedoninë e Veriut.